Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se 48 udhëheqës iranianë janë vrarë në sulmet e vazhdueshme amerikano-izraelite në vend.
“Askush nuk mund ta besojë suksesin që po kemi, 48 udhëheqës janë zhdukur menjëherë. Dhe po ecën me shpejtësi”, ka thënë Trump në një intervistë me Fox News. Nërkaq, media tjetër amerikane Axios bën të ditur në një artikull të gjatë se Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidenti amerikan Donald Trump filluan të diskutonin detajet e një sulmi tjetër ndaj Iranit në fund të dhjetorit gjatë takimit të tyre në rezidencën e presidentit Mar-a-Lago.
Netanyahu ishte ai që e diskutoi temën e një vazhdimi të luftës pas sulmeve 12-ditore të qershorit 2025 ndaj Iranit. Sulmi fillimisht ishte caktuar në maj të këtij viti.
Por masat repressive të regjimit ndaj protestuesve ndryshuan mënyrën e të menduarit të Trump, thekson Axios. Ai pothuajse urdhëroi sulme më 14 janar, por në vend të kësaj nisi një grumbullim të madh ushtarak në rajon. Trump gjithashtu nisi të planifikonte një sulm të përbashkët ndaj Iranit me Izraelin.
Trump vendosi gjithashtu të zhvillojë negociata me Iranin ndërsa planifikimi për një sulm përparonte. Bisedimet nuk ishin një dredhi për t’i zënë në befasi iranianët, i thanë Axios tre zyrtarë amerikanë dhe izraelitë.
Pas raundit të dytë të bisedimeve, Izraeli dhe SHBA-të ranë dakord se kishte një mundësi për të sulmuar më 28 shkurt, kur Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, do të takohej me ndihmësit e tij kryesorë.
Ndihmësit e Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, morën pjesë në bisedimet e Gjenevës me iranianët të enjten e kaluar, ku s’kishte shumë shpresë se do të arrihej një marrëveshje, por, sipas raportit, ishte një element i rëndësishëm për t’u siguruar që Khamenei të merrte pjesë në takim me ndihmësit e tij dhe të mos fshihej në bunkerin e tij.
Dy të dërguarit amerikanë “panë se propozimi iranian ishte i pakuptimtë dhe kishte për qëllim vetëm të fitonte kohë”, i tha Axios një zyrtar i lartë amerikan.
“Nuk kishte pamë njeri të gatshëm për të punuar mbi një draft marrëveshjeje”.
“Ne ia raportuam këtë presidentit dhe padyshim ai i peshoi opsionet e ndryshme”, i tha zyrtari Axios. Zyrtarët thonë se kishte tre fusha kryesore mosmarrëveshjesh.
Irani refuzoi një ofertë për karburant bërthamor falas për një program bërthamor civil pa datë përfundimi. Gjithashtu refuzoi të diskutonte raketat balistike ose mbështetjen e regjimit për grupet terroriste të ndërmjetme.
Inteligjenca amerikane tregoi qartë se Irani po rindërtonte objektet bërthamore që u goditën nga bombarduesit amerikanë në qershor, sipas raportit.
Kushner dhe Witkoff kërkuan që Irani të paraqiste një propozim konkret. Ekipi iranian u kthye me një dokument shtatëfaqësh që shpjegonte se sa pasurim do t’u nevojitej për një program civil. Shtëpia e Bardhë i kontrolloi shifrat me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, e cila i informoi ata se propozimi iranian do t’u lejonte atyre të pasuronin pesë herë më shumë sesa lejohej në marrëveshjen bërthamore JCPOA të vitit 2015 me administratën e ish-presidentit amerikan Barack Obama.
“Nëse iranianët do të kishin ardhur në Gjenevë dhe do t’i kishin dhënë Trumpit atë që donte, ai do të kishte tërhequr frenat në pistën ushtarake. Por ata ishin arrogantë dhe menduan se ai nuk do të ndërmerrte veprime”, i thotë Axios një zyrtar i inteligjencës izraelite. “Ata gaboheshin.”











