Policia malazeze është në kërkim intensiv të vrasësit të njërit prej krerëve të klanit malazes “Skaljari”, Miliç Sakoviç pak para mesnatës së djeshme në Budva. Ndaj tij u qëllua me tetë plumba përmes një automatiku të shkurtuar, të cilin vrasësi e mbante poshte rrobave të tij për ta nxjerrë me shpejtësinë e dritës duke qëlluar disa herë në drejtim të bosit të Podgoricës.
Mediat malazeze bëjnë me dije se disa kamera sigurie kanë filmuar vrasësin, i cili ishte veshur me një këmishë të bardhë me krahë të gjata, kapele dhe xhinse, raporton abcnews.al.
Policia ka konstatuar se vrasësi ishte ulur në një tavolinë pranë Sakoviçit në kafenenë “Korkovado” në qytetin e vjetër në Budvas. Ai ka nxjerrë armën me shpejtësi rrufeje duke qëlluar disa herë në drejtim të tij.

Dyshohet se arma ka qenë një automatik i vogël, ndërsa ekzekutori ka zbrazur të gjithë karikatorin në drejtim të njërit prej krerëve të klanit “Skaljari”. Ndërkohë që ndodhi kjo, asnjëri prej shokëve të pranishëm të Sakoviçit nuk u prek nga plumbat duke bërë që policia të mendojë se kemi të bëjmë me një killer profesionist, raporton abcnews.al.
Nga kamerat është kuptuar se vrasësi kishte një trup të mbushur dhe me gjatësi mesatare. Teksa vraponte për të ikur nga vendi i ngjarjes, ai është penguar në një bordurë duke lënë aty gjurmë të tij. Më pas rezulton nga kamerat se ai është ngritur dhe ka humbur mes lagjeve të qytetit.
Ka dyshime se vrasësi nuk është malazez, nisur edhe nga fakti se ai nuk mbante maskë dhe nuk e fshehu identitetin e tij, ndërkohë që u ul vetëm një tavolinë larg objektivit të tij.
Policia e gjeti më pas armën me të cilën u vra Sakoviç duke e çuar për ekspertizë ligjore.

Nga këqyrja e trupit ka rezultuar se Sakoviç ka marrë tetë plumba në trup. Tre i ka marrë në kokë dhe pesë të tjerë në pjesë të ndryshme.
Krahas armës, policia ka gjetur edhe veshjet e vrasësit, të cilat i kishte hedhur aty pranë pas kryerjes së krimit. Dyshohet se autori kishte një bluzë nën këmishën e tij me qëllim humbjen e gjurmëve pas largimit nga vendi i ngjarjes.
Miliç Sakoviç rezulton të jetë njëri prej krerëve të klanit “Skaljari” dhe i ishte besuar kontrolli i Podgoricës prej drejtuesve të klanit. Ata janë në një luftë të hapur me klanin tjetër nga Kotorri, “Kavaç” dhe gjatë këtyre viteve, beteja mes tyre ka rezultuar me dhjetra viktima nga të dyja palët./m.j










