Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet sot më 2 dhjetor 2025 dhe ka dërguar në gjyq shtetasen A.B., e cila në cilësinë e avokates mashtroi disa persona, duke marrë shuma monetare, pa hapur asnjë proces gjyqësor.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Fier, “nga hetimet rezultoi se e pandehura A.B. nëpërmjet mashtrimit, u ka përvetësuar personave të ndryshëm, shuma të ndryshme monetare me pretendimin se kjo vlerë i duhej për përfaqësimin si avokate, por në fakt nuk është hapur asnjë proces gjyqësor apo nuk janë kryer veprimet administrative apo procedurale të pretenduara prej saj”.
Prokuroria sqaron se për të bërë të besueshme pretendimet e saj, avokatja në disa raste i ka dorëzuar klientëve akte, që nuk përfaqësonin realitetin. Sipas njoftimit, kjo mënyrë veprimi është përdorur edhe ndaj shtetasve që jetonin jashtë territorit të Shqipërisë, të cilët nuk kishin mundësi të ishin prezent dhe nuk kishin informacion mbi procedurat që pretendonte avokatja.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim A.B. për veprën penale “Mashtrimi” më shumë se një herë, në dëm të viktimave A.S., K.S., O.Sh. dhe D.L., si dhe për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, në dëm të viktimës M.Sh., parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal, dhe për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave”, parashikuar nga neni 186 paragrafi 3 i Kodit Penal.
Prokuroria thekson se angazhohet plotësisht për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që prekin pasurinë dhe të drejtat ekonomike të qytetarëve të dëmtuar.











