Gjatë protestës së thirrur nga Partia Demokratike, mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë nuk kanë munguar as incidentet, të cilat çuan në lëndimin e tre punonjësve të Policisë së Shtetit.
Drejtori i DVP Tiranë, Elton Alushi, dhe Zëvendësdrejtori i Rendit kanë vizituar të lënduarit në spitalin e Traumës dhe kanë siguruar se ata do të marrin çdo ndihmë të nevojshme nga stafi mjekësor.
Incidenti ndodhi pasi demonstruesit hodhën lëndë piroteknike drejt policisë që ishte e vendosur për sigurinë para selisë së Kryeministrisë sipas njoftimit të policisë.
Një efektive ka pësuar dëmtime në sy, ndërsa dy punonjës të tjerë janë lënduar në fytyrë dhe dorë. Ata janë transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore dhe aktualisht janë nën kujdesin e mjekëve.
Policia e Shtetit ka njoftuar se shërbimet e saj janë angazhuar për mbledhjen e provave dhe pamjeve filmike, me qëllim identifikimin dhe dënimin e autorëve që sulmuan punonjësit e policisë, të cilët ishin të angazhuar në sigurimin e mbarëvajtjes së protestës.