Dy persona janë kapur të dyshuar për vendosjen e tritoli në një banesë në Vlorë, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Si rezultat i mbajtjes nën vëzhgim të personave të dyshuar për vendosje eksplozivi dhe falë informacioneve të marra në rrugë operative u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Porositësi”, në kuadër të të cilit u kap në flagrancë Marlen Gutiçi, 34 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
I riu në orët e para të mëngjesit, në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë, ka tentuar të vendosë një sasi lënde plasëse në oborrin e banesës së shtetasit Adhurim Demiri, dyshohet kundrejt pagesës.
Por nga ndërhyrja e policisë u parandalua shpërthimi i lëndës eksplozive, pasi autori u kap në flagrancë në momentin që po vendoste lëndën eksplozive.
Nga hetimet e kryera u bë i mundur dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje, duke çuar në identifikimin, kapjen dhe arrestimin e porositësit, konkretisht Bexhet Alliaj, 50 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga kontrolli i ushtruar në banesat e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një bazë materialesh, një armë zjarri e llojit revolver me dy fishekë, dy sasi lënde të dyshuara eksplozive të llojit tritol, të montuara me kapsollë detonatorë me fitil zjarrpërcjellës, 21 doza të dyshuara me lëndë narkotike të llojit kokainë, 1 dozë e dyshuar lëndë narkotike e llojit heroinë, 1 peshore elektronike për peshimin e lëndës narkotike, 3 automjete (njëri rezulton i vjedhur në shtetin grek), 3 aparate celularë, targa të vjedhura, biçikletë etj.
Aktualisht vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
g.kosovari










