Selia e Partisë Socialiste në Shkodër është riparuar pas dëmtimeve të shkaktuara nga protesta që u zhvillua ditën e djeshme në qytet.
Drejtuesi politik i PS-së në këtë qytet, ish-ministri Ilir Beqja ka shpërndarë disa foto në Facebook ku shfaqen disa punonjës teksa riparojnë dëmet e shkaktuara. Ndër të tjera në postimin e tij, Beqja shkruan se mirëkupton zemërimin e qytetarëve.
Kjo e sotmja, 12 dhjetor 2020, ka qënë një ditë e trishtueshme dhe e mërzitshme për shumë njerëz në Shkodër. Të trishtuar janë ndjerë shumë shkodrane e shkodranë, të cilëve u kërkoj ndjesë. Përpos shqetësimeve shëndetësore në familje e të afërm të krijuara nga sëmundja e Covid 19, përpos vështirësive ekonomike të krijuara nga ngërçi i ekonomisë prej pandemisë, ndjesia e zjarrvënies në mes të qytetit e rëndëon psikozën individuale dhe kolektive. Të mërzitur janë ndjerë shumë socialiste e socialistë shkodranë. Edhe simpatizantë e mbështetës të PS-së. Midis tyre ka edhe shumë të indinjuar. Kam komunikuar gjatë gjithë ditës me disa prej tyre. E mirëkuptoj zemërimin e tyre. Por besoj se tani në darkë, jemi të vetdijshëm se durimi dhe përulësia me të cilën e përballëm gjatë paradites sulmin ndaj selisë ka ndikuar drejtpërdrejt në lartësimin e qytetarisë shkodrane. Me fotot nga përfundimi i eleminimit të dëmtimeve të paradites së sotme të selisë së PS-së, ju uroj të gjithëve në Shkodër, natën e mirë, gjumë të qetë dhe të dielë të këndshme nesër, meqë edhe moti do të jetë pa shi,”-shkruan Beqja.
Ditën e djeshme në qytetin e Shkodrës u marshua për vrasjen e Klodian Rashës mirëpo protesta përshpejtoi në dhunë dhe djegie. Ishin të rinjtë ata që thyen dyert dhe dritaret e selisë së PS-së në Shkodër, duke nxjerrë jashtë saj dokumente, karrige, kompjutera dhe tavolina të cilat i dogjën. Po ashtu reklamave në rrugë iu vu flaka duke krijuar kaos në qytet. Policia mori masa ndëshkuese duke proceduar 46 persona, mes tyre të mitur dhe Kryebashkiakes së qytetit, Voltana Ademit. Selia e PS-së tashmë është rikthyer në normalitet pas rregullimeve të menjëhershme./a.p












