Florind Rama u arrestua në Pereira të Kolumbisë pasi ishte shpallur në kërkim për një vrasje që nga viti 2022.
Mediat kolumbiane kanë publikuar pamjet nga arrestimi i tij, ku në video shihet momenti kur agjentët i vendosin prangat dhe i komunikojnë akuzat, ndërsa ai deklaron se nuk ka nevojë për avokat dhe kërkon të bëjë një telefonatë për të kontaktuar familjarët.
Florind Rama, i njohur edhe me pseudonimin “Florin Terziu”, ishte shpallur në kërkim nga Interpol, në kuadër të një hetimi për rrëmbim, torturë dhe vrasje të ndodhur në vitin 2022 në Marbella.
Sipas mediave të huaja, gjatë arrestimit ai tentoi të prezantohej si shtetas gjerman, por autoritetet kishin informacion të plotë për identitetin e tij dhe të kaluarën kriminale.
Dyshohet se ai përdorte disa pasaporta dhe lëvizte në vende të ndryshme të Evropës.
Hetimet e lidhin me struktura kriminale që operojnë në zonën e Costa del Sol, e njohur për aktivitet të trafikut të drogës dhe rrjete ndërkombëtare kriminale.
Ngjarja për të cilën ai akuzohet lidhet me vrasjen e një shtetasi serb në qershor të vitit 2022 në zonën Golden Beach në Marbella, ku viktima u gjet me shenja torture dhe plagë nga armë zjarri.
Autoritetet ndërkombëtare po vijojnë hetimet për të zbuluar lidhjet e mundshme të tij me grupe kriminale në disa vende të Evropës dhe më gjerë.











