Memorie.al publikon historinë e panjohur të Qemal Voglit, portierit të famshëm të kombëtares shqiptare të futbollit me origjinë nga Kavaja, i cili pasi deputoi me sukses me ekipin “Dinamo” të kryeqytetit, bëri një paraqitje të shkëlqyer në mjaft takime ndërkombëtare që zhvilloi në vitet ‘50-të përfaqësuesja kuq e zi me disa ekipe të Europës Qëndrore dhe Lindore, si Jugosllavia, Rumania, Bullgaria, Polonia, Hungaria, Çekosllavakia, Bashkimi Sovjetik, etj., dhe gjatë një ndeshje futbolli të “Dinamo”-s në vitin 1956 në Gjermaninë Lindore, i joshur nga gjermanët, arratiset në Gjermaninë Perëndimore.
E gjithë historia e trishtë e Voglit, që ëndërroi Italinë e Lushtës e Kryeziut dhe përfundoi në burgun e Tiranës, i dënuar me 17 vite “për tradhëti të lartë ndaj atdheut”. Jeta tragjike e legjendës së portës shqiptare që kapërceu i pari “Murin e Berlinit” kur ai ende nuk ishte ndërtuar dhe u detyrua të punonte në tharjen e kënetës së Thumanës, e saldator në Parkun e Kamionëve në Tiranë.
Ka qenë fundi i gushtit i vitit 1956, kur në rrethinat e Berlinit Lindor ku ishte atashuar ekipi i futbollit “Dinamo” i Shqipërisë, u dukën disa policë me qentë erëkërkues. Po çfar kishte ndodhur, përse ishte alarmuar policia berlineze dhe çfar kërkonin ata nëpër dhomat e hotelit të futbollistëve shqiptarë? Çudia në kampingun e shqiptarëve u shua kur shoqëruesi i ekipit, një kolonel i Ministrisë së Brendëshme nga Tirana, njoftoi se: ishte zhdukur nga dhomat e hotelit, pa asnjë lloj njoftimi portieri i skuadrës Qemal Vogli. Po kush ishte Qemal Vogli, cila ishte e kaluara e tij, si e siguroi ai portën kavajase dhe më pas me ekipin “Teuta” të Durrësit dhe karriera brilante me “Dinamo”-n e famëshme të porsakrijuar të fillimviteve ’50-të, për të përfunduar me kombëtaren shqiptare të futbollit ku ai shkëlqeu në mjaft takime ndërkombëtare në fillimin e viteve ’50-të?
Si ndodhi arratisja e tij nga Berlini Lindor në gushtin e vitit 1956 kur ai ishte me ekipin “Dinamo” dhe përse Vogli nuk dëshironte të na thoshte asnjë fjalë për atë ngjarje të largët që i ndërroi edhe drejtimin e jetës dhe ai nuk foli kurrë në gjallje të tij për atë gjë? Si e kujtonin shokët e tij të ekipit arratisjen e Voglit dhe çfarë variantesh jepnin ata për atë ngjarje që shënoi jo vetëm fundin e karrieres brilante të tij si roje i portës, por edhe burgun për gjashtë vite e në kampet e punës së detyruar për tharjen e kënetave të Thumanës, Mamurrasit e Laçit?! Për të gjitha këto dhe më shumë, na njeh shkrimi i mëposhtëm që është bazuar me dëshmitë që i kemi marrë vite më parë vetë mjeshtrit të portës Qemal Vogli, me ndihmën e mikut të tij të ngushtë, Bixh Bytyçit, një nga futbollistët e njohur të Tironës së madhe të fundviteve ’60-të dhe fillimit të viteve ’70-të.
Rastësia që e futi në portë
Qemali u lind në vitin 1929 në qytetin e Kavajës, ku pasioni i tij ishte futbolli, kishte filluar të luhej aty që në fillimet e Luftës së Parë Botërore, kur një prift austriak që shërbente si kapelan në rradhët e ushtrisë austro-hungareze, solli topin e parë në Shqipëri. Që në moshë fare të re, si gjithë fëmijët kavajas, Qemali filloi të lunate në rrugicat e atij qyteti e më pas në fushën e lagjes “Zguraj”. Në atë fushë, specialistët e futbollit Vasip Alushi, Demir Karriqi e Qemal Teliti, vunë re tek ai talentin e ardhshëm dhe e nxitën që ta vazhdonte atë sport.
Kur e takuam për këtë shkrim, ndonëse ai kishte kaluar të 70-at dhe me një jetë të mbushur me vuajtje e peripecira të pafundme, Qemal Vogli, ish portier i famshëm i ekipit “Dinamo” dhe kombëtares shqiptare të futbollit, me një kujtesë brilante, sillte ndërmend fillimin e karrierës futbollistike aty në qytetin e tij të lindjes, Kavajë, duke kujtuar: ”Ka qenë viti 1944, kur lufta ende nuk kishte përfunduar dhe ekipi i të rriturëve “Besa”, përgatitej të lunate një ndeshje stërvitore me një ekip të Tiranës. Kur donte edhe pak minuta që të fillonte takimi, portieri kavajas Hamza Milku, nuk kishte ardhur ende.
Alush Merhori, sulmuesi i talentuar kavajas, nga mesi i fushës ku qëndronte për të filluar ndeshjen, vrapoi në drejtim të portës së zbrazur, ku pas sajë po qëndroja unë. ‘Qemal, m’u drejtua ai. ‘Futu në portë se ti do të bëhesh portier i mirë’. Me thënë të drejtën unë u befasova, sepse nuk kisha luajtur kurrë portier. Me ekipin e të rinjëve të qytetit tonë, “Besa””, unë luaja si qëndërsulmues. Megjithkëtë, unë nuk kundërshtova dhe u futa në portë ku luajta shumë mirë gjatë gjithë ndeshjes dhe nuk lëviza më që andej”, kujton Vogli ndeshjen e tij të parë si portier.
Nga “Besa” tek ekipi Kombëtar
Pas asaj dite që rastësia e solli Qemal Voglin, të ruante portën e “Besës”, ai u bë një nga lojtarët më stabël të formacionit kavajas. Kështu pas mbarimit të Luftës, nga fundi i vitit 1945 në qytetin e Kavajës u ndeshën për Kampionatin Kombëtar, ekipi vendas me “Vllazninë” e Shkodrës. Ndonëse me ekipin shkodran në atë kohë luanin Loro Boriçi, Pal Mirashi, Bimo Fakja etj, që më pas u bënë dhe baza e ekipit përfaqësues të Shqipërisë, ndeshja përfundoi e barabartë 0 me 0. Qemal Vogli që atë ditë lunate ndeshjen e tij të parë zyrtare me ekipin e të rriturve, ra në sy për lojën e tij të shkëlqyer. Në vitin 1947, Vogli së bashku me gjithë familjen e tij u transferuan për në qytetin e Durrësit, ku për tre vite rresht ai mbrojti me dinjitet ngjyrat e ekipit “Teuta”.
Lidhur me vitet që Qemali luajti në qytetin bregdetar, ai na tregonte: “Nga ajo kohë ruaj kujtimet më të mira, kur në atë ekip luanin të famëshmit Skënder Jareci e Tom Gjiri, e deri tek Sotiraq Manushi, Sedat Ohri e Latif Fermia. Në vitin 1947, në Durrës ne luajtëm me një ekip marinarësh anglez dhe fituam 4 me 0. Atë ndeshje unë kam pritur penalltinë e parë në jetën time”, kujtonte Vogli plot nostalgji vitet kur lunate në Durrës. Pas tre vitesh, në vitit 1949, ai u thirr për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Tiranë, ku u aktivizua me ekipin e “Dinamo”-s, që atë vit sapo ngrihej nga Ministria e Brendëshme.
Me ”Dinamo”-n, Qemali luajti në portë për gjashtë vite, ku pesë nga të cilat ajo doli kampion, duke bërë lojra të shkëlqyera dhe asokohe ai cilësohej si një nga sportistët me popullaritetin më të madh në Shqipëri. Ndeshjen e parë ndërkombëtare me përfaqësuesen, Qemali e luajti në vitin 1947 në Tiranë, kur nuk ishte më shumë se 18 vjeç, ku ekipi kombëtar fitoi 2 me 0 me përfaqësuesen e Bukureshtit. Pas kësaj në vitin 1948, në ndeshjen e famëshme të Beogradit, ku rezultati ishte 0 me 0, portiere i madh Italian Giacomino Pozelli që mbronte ngjyrat kuq e zi të përfaqësueses shqiptare, do të caktonte si zëvëndës të tij, vetëm Qemal Voglin.
Shkëlqen në takimet europiane
Në vitin 1949 përfaqësuesja shqiptare e futbollit ndërmori një turne ndeshjesh nëpër Europë dhe takimin e parë e zhvilloi në Bukuresht me përfaqësuesen Rumune. Ai takim u mbyll në barazim 1 me 1. Kjo ishte një nga ndeshjet më të bukura të portierit Vogli, ku shtypi sportive rumun shkruante me gërma të mëdha: “Portieri Vogli, më i shkëlqyeri nga të 22 lojtarët që ishin në fushë, me pritjet e tija të mrekullueshme tërhoqi vëmendjen e publikut”. Nga Rumania ekipi kombëtar i futbollit shkoi në Poloni, ku u ndesh në Lodz me ekipin përfaqësues polak, të cilin e fitoi me rezultatin 1 me 0 me gol të Qamil Telitit. Lidhur me këtë ndeshje shtypi polak midis të tjerash shkroi:”Porta shqiptare ishte një barrikadë e pakalueshme e cila mbrohej nga një zezak,(Qemali ishte veshur me të zeza), që me pritjet e tija u bë i pakalueshëm”.
Pas Polonisë, ekipi shqiptar u kthye në Bullgari duke u ndeshuar me ekipin përfaqësues bullgar në Sofie dhe ndeshja përfundoi pa gola me rezultatin 0 me 0. Në këtë ndeshje, dy të mëdhenjtë, legjendat e futbollit bullgar, Boshkov e Sokolov, nuk mundën ta mposhtin dot Voglin. Pas atij turneu nëpër Europë, nga më të suksesëshmit e kombëtares shqiptare, në vitin 1951, në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë zbarkoi skuadra përfaqësuese e Moskës, ku luanin të mëdhenjtë Simonian, Neto, Totoshin, Iliv Bashkashin etj. Ata nuk mundën që ta thyenin dot portën shqiptare të mbrojtur nga Vogli. Kjo ndeshje u mbyll në barazim 0 me 0, ku portieri shqiptar shkëlqeu si një mjeshtër i madh. Po në vitin 1951, në “Qemal Stafa”, zbriti për një takim miqësor ekipi ”Vashash” i Budapestit, një nga skuadrat më të mira hungareze ku luanin disa lojtarë të kombëtares. Ky takim u mbyll 3 me 1 për ekipin shqiptar. Për këtë ndeshje Vogli kujtonte:”Atë ditë për herë të parë kam parë Anton Mazrekun duke qarë nga gëzimi”. Një vit më pas, po në “Qemal Stafa”, shqiptarët mposhtin 2 me 0 ekipin përfaqësueses të Polonisë. Trajneri polak pas ndeshjes në intervistën për gazetën “Sporti Popullor”, u shpreh:”Porta e Voglit ishte një kala e pakalueshme”.
Pas kësaj përfaqsuesja shqiptare zhvilloi dhe disa takime të tjera në Tiranë, ku fitoi me Çekoskllovakinë 3 me 2 dhe me Poloninë 2 me 0, ndërsa barazoi 2-2 me Bullgarinë. Edhe në këto ndeshje Vogli shkëlqeu me lojën e tij. Në vitin 1955 kombëtarja shqiptare, bëri një turne tjetër miqësor në Poloni, ku fitoi me ekipin çek në Poznan 2 me 0 dhe në Lodz me ekipin polak 3 me 0. Pas këtyre ndeshjeve të suksesshme, ekipi shqiptar vazhdoi turneun në Çeki ku mundi në Pragë 3 me 2 Çekinë, ku Vogli mahniti tifozat vendas me pritje spektakolare. Pas këtyre ndeshjeve, shqiptarët u dërguan që të luanin në qytetin Moravo-Stravo. Në këtë qytet që nuk mbahej mënd të kishte fituar apo barazuar ndonjë ekip i huaj, shqipëtarët barazuan 2 me 2 dhe shtypi sportiv çek shkruajti:”Ne nuk mundëm që të fitonim, se nuk mposhtëm dot Voglin, gjigandin e portës shqiptare”.
Berlin 1956, gracka për Voglin
Pas lojrave të shkëlyera në turnetë e Polonisë e Çekisë, ekipi kombëtar shqiptar vazhdoi turneun e tij në Gjermaninë Lindore, ku me një lojë të shkëlqyer fitoi takimin e parë 3 me 1. Përsëri tek skuadra shqiptare, një lojtar ra në sy më shumë se të tjerët për lojën e tij, gjë e cila u cilësua dhe nga shtypi gjerman. Ky ishte Qemal Vogli, portieri fantastik që të nesërmen shtypi vendas e cilësoi si hero të takimit.
”Deutsche Sport” shkroi tre faqe speciale vetëm për Voglin. Lidhur me këtë, Qemali kujtonte: ”Anton Mazreku që na shoqëronte, më la një kopje të saj në dorë dhe më tha: ‘ruaje dhe mos e humb kurrë, këtë gazetë’. Atë ditë pas fitores, shumë studentë shqiptarë që studionin në Gjermani, na rrethuan e na shoqëruan deri te dhomat e hotelit”. Pak ditë më vonë, do të ndodhte diçka, një ngjarje jo e zakontë për sportistët shqiptarë deri në atë kohë, që do t’ja ndryshonte tërësisht rrjedhën e jetës, futbollistit të talentuar nga Tirana. Papritur në kampingun ku ishte vendosur ekipi shqiptar i “Dinamo”-s ku bënte pjesë Vogli, shpërtheu alarmi.
Oficerët e Ministrisë së Brëndshme që shoqëronin ekipin, njoftuan se Qemal Vogli ishte zhdukur dhe policia gjermane mbërriti aty me qentë erë-kërkues. Po çfarë kishte ndodhur? Edhe sot pas më shumë se gjashtë dekadash nga ajo ditë e largët, askush nuk e di me saktësi se çfarë i ndodhi Qemal Voglit?! Madje vetë ai nuk dëshironte të fliste për këtë gjë. Një sekret që ndoshta kërkonte t’ja linte vetëm së shkuarës dhe ajo të mbetej “monopol” i kujtesës së tij. Por sidoqoftë, historia e Voglit, nuk mbeti krejtësisht në harresë. Disa nga shokët e tij të ekipit, kujtonin dhe na tregonin disa versione të asaj ngjarje të largët, ashtu siç ata e dinin, pasi Qemali vetë nuk u kishte folur kurrë për atë ngjarje.
Por të gjitha rrëfimet e tyre pothuaj “rrihnin” në një pikë lidhur me arratinë e shokut të tyre të ekipit. Sipas tyre, kur dikush…..ndoshta një femër, i kishte ofruar Qemalit kalimin në pjesën perëndimore të Berlinit, atje ku jeta ishte krejt tjetër. Megjithëse ftesa, kishte karakter profesional, “Hajde të luash në Gjermaninë Perëndimore”, i kishte thënë atij, njeriu i panjohur. Dhe Gjermania, vëndi që dy vjet më pare, ishte shpallur në Zvicër, kampione bote, nuk kishte si mos ta joshte portierin e talentuar shqiptar që asokohe ishte vetëm 25 vjeç dhe në kulmin e karrierës së tij sportive.
Ftesa për t’u aktivizuar te “Munchen 1860”
Ato ditë gushti të vitit 1956, teksa Vogli priste i vetëm në rrethinat e Berlinit, një Mercedes i zi ndaloi para këmbëve të tij. Një burrë hijerëndë dhe i veshur mirë, zbriti nga makina qetë-qetë. Ai ishte presidenti i klubit gjermano-perëndimor të futbollit “Munchen 1860”, që në atë kohë, ishte një nga skuadrat më të mira të vëndit. “Herr Vogli eollen sie fur unsere Manschaft spielen” ju drejtua ai pa ngurim shqiptarit. Pyetja e tij ishte e qartë për Voglin. A doni të luani për skuadrën tonë? Natyrisht i befasuar, Vogli nuk ju përgjigj menjëherë, mikut të panjohur gjerman. Teksa ai mendonte përgjigjen, në mëndje i kalonte familja në Tiranë, që kushedi se ku do përfundonte internimeve, nëse ai do të përgjigjej: po.
Ndërsa Qemali kishte mbetur si i ngrirë pas asaj oferte dhe nuk fliste asnjë fjalë, gjermani i panjohur ngulte këmbë: “Ja rroga që do të marrësh, ja dhe makina që do të keni, hoteli na pret për t’u regjistruar, më pas ju do keni shtëpinë tuaj të re”. Pas pak Mercedesi i zi rrëshkiti në autostradën që të çonte drejt Berlinit Perëndimor, ndërsa shqiptari Vogli shtrëngonte në dorë kartëvizitën që i la miku i panjohur, gjerman. Disa hapa larg tij qëndronte në pritje një njeri që do ta ndihmonte për të kaluar kufirin dhe do ta shoqëronte më pas deri në hyrjen e metrosë. Ndërsa ai mendohej për atë rast, që ndoshta nuk do t’i vinte më në jetë, u nis, e pas disa orësh mbërriti në “botën e premtuar”.
Sapo mbërriti në Berlinin Perëndimor, Qemali nuk qëndroi për asnjë minutë aty por u nis në drejtim të Mynihut, ku e priste një jetë e panjohur dhe tërheqëse. Fillimi nuk ishte i keq. Atë e vendosën në një dhomë luksoze dhe menjeherë filloi stërvitjen me “Munchen 1860”. Vetë presidenti i klubit, që e kishte joshur, e merrte në makinën e tij nga stadiumi në hotel e anasjelltas. Për tre muaj rresht, Vogli do të jetonte parajsën. Por në mëndjen e tij, parajsa kishte një emër tjetër, Italia. Gadishulli apenin, vendi ku kishin luajtur prej kohësh me sukses miqtë e tij, Riza Lushta, Naim Kryeziu e Loro Boriçi, kishte zënë vënd në imagjinatën e portierit të famshëm shqiptar dhe nuk i shqitet kollaj.
Drejt ëndrrës italiane
Pas disa kohësh, Vogli, la parajsën ku jetonte në Mynih dhe u nis në drejtim të Italisë. Në kufirin austro-italian, atë nuk e lejuan të hynte për mungesë dokumentash dhe ai u detyrua të qëndronte në Austri. Ato ditë në Vjenë, lunate kombëtarja hungareze, që e njihte portierin e famshëm shqiptar të cilin menjëherë e ftoi ta merrte me vete në Budapest. Qemali pranoi dhe pas disa ditësh, ai u gjend i vetëm nëpër rrugët e Budapestit. Por tashmë, krejt i brengosur për peripecitë që kishin filluar ta ndiqnin.
Ndërkaq ai filloi ta kuptonte se larg atdheut, jo gjithçka ishte e lehtë. Po ashtu dhe një ankth tjetër, filloi ta mundonte, pasi dy shqiptarë të panjohur, po i mbushnin mëndjen që të kthehej në Tiranë. “Përse nuk vjen?” Aty ke lënë familjen, a mendon se çfarë mund të ndodhë me ta?! Ti je portier i madh dhe nuk kanë se çfarë të bëjnë. Fundja do të largojnë nga “Dinamo”, që është një ekip ushtarak, por do luash me “Tiranën”. Ngulmimin i të panjohurve gati sa nuk e çmëndi Voglin. Për ditë të tëra ai luftonte me vete se si të vepronte!
Nga Budapesti në Burgun 313 të Tiranës
Një pasdite të tetorit 1956, një “Gaz” i Ministrisë së Brëndshme u nis drejt Rinasit, për të pritur “Malev”-in bashkë me personin e shumë-kërkuar. Me të zbritur në tokën e tij, Qemal Voglit ju vunë prangat. “Në emër të popullit je i arrestuar” i thanë atij, disa civilë të Sigurimit të Shtetit dhe menjëherë e dërguan në birucat e Burgut të Tiranës (Reparti 313”. Hetuesia ndaj tij nuk zgjati shumë dhe gjyqi iu bë shumë shpejt ku ai u dënua me 16 vite burg “për tradhëti të lartë ndaj atdheut”.
Pas kësaj, ai u dërgua që të vuante dënimin nëpër kampet e tharjes së kënetave të Mamurrasit, Tërbufit, dhe Laçit. Më 1962-in, kur ai nuk kishte kryer më shumë se gjashtë vite nga dënimi, pas tre amnistive që u dhanë asokohe për të burgosurit politikë, Qemal Vogli, doli nga burgu, dhe filloi punë si saldator në Parkun e Kamionëve në Tiranë. Ndonëse kishin kaluar 7 vite, disa nuk e kishin harruar talentin e tij, dhe e kërkuan që ai të zbriste në fushë. Një nga këta ishte dhe Beqir Balluku, në atë kohë Ministër i Mbrojtjes Popullore dhe tifoz i madh i futbollit, që ndërhyri për Qemalin, duke thënë “Le të luajë të paktën me Vlorën. Ai nuk ka vrarë njeri”.
Por edhe pse ato fjalë u thanë nga një prej njerzëve më të pushtetëshm të regjimit komunist në Shqipëri, duket se ato ranë në vesh të shurdhër, pasi fati i Voglit tashmë ishte përcaktuar dhe askush nuk mund ta ndryshonte. Ai do të kujdesej vetëm për kamionët e prishur dhe në ndonjë spartakiadë ndërmarrjesh, pasi fushat e blerta të futbollit tashmë për të ishin një “mollë e ndaluar” dhe do të mbeteshin vetëm një kujtim i së shkuarës. /Memorie.al/