Gjatë ditëve të verës në kryeqytet bien mesatarisht 10 zjarre në ditë. Drejtori i zjarrfikëseve të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, thotë se më problematike mbeten zjarret në banesa, që kanë si shkaktar kryesisht bombolat e gazit. Ai u bën apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në përdorimin e tij, dhe të mbajnë në shtëpi sensor gazi.
“Qytetarët vazhdojnë të jenë të pakujdesshëm me përdorimin e bombolave të gazit, që janë dhe burimi kryesor i zjarreve për momentin në banesa në kryeqytet. Bombolat që janë të mbushura me gaz të lëngshëm duhet të jenë gjithmonë në ambiente të ajrosura, asnjëherë në vende të mbyllura. Një kujdes i veçantë duhet të jetë edhe për pajisjet që përdoret gazi, sobat e gatimit.
Afër këtyre pajisjeve duhet të kemi sinjalizues, që tregon rrjedhjen e gazit. Menjëherë sapo qytetari merr vesh që ka rrjedhje gazi, nuk duhet të afrohet aty me një cigare të ndezur, nuk duhet të takojnë asnjë çelës dritash, asgjë. Vetëm duhet të izolojnë, të mbyllin bombolën, duhet të mbyllin pajisjen që përdor këtë gaz, duhet të bëjnë ajrosjen e ambientit”, shprehet Goxhaj.
Gati dyfishim ka pasur edhe numri i zjarreve në automjete, kryesisht në ato që punojnë me gaz apo benzinë. Për të menaxhuar këtë situate, zjarrfikëset kanë bashkëpunuar me policinë bashkiake dhe në rast të një zjarri në automjet në rrugë policia bashkiake ndërhyn me fikse dore.
“Ne kemi pajisur patrullat e policisë bashkiake me fikëse dore 6 kg. Çdo patrullë e shërbimit të Policisë Bashkiake ka edhe këtë fikësen, që janë ata të parët që ndërhyjnë në automjete, sepse ata janë patrulla që janë në qytet, janë shumë afër vendit të ngjarjes dhe kanë mundësi të afrohen më shpejt se shërbimi zjarrfikës. E mora këtë si shembull për t’u bërë thirrje qytetarëve, që një pajisje e tillë duhet patjetër në çdo mjet qarkullimi, qaftë kamion, apo mjet i vogël”, thotë ai.
Falë sensibilizimit të qytetarëve këtë vit ka pasur rënie të numrit të zjarreve në pyje dhe kullota, por megjithatë Goxhaj iu bën apel qytetarëve që në këtë stinë të nxehtë të mos e përdorin zjarrin si eliminues të mbeturinave bujqësore, pasi situata mund të dalë nga kontrolli.
“Në këtë stinë nuk duhet të përdoret zjarri për eliminimin e asgjëje, për asnjë gjë, ose nëse e ka të detyrueshme të përdorë zjarrin, duhet të bashkëpunojë me Policinë Bashkiake, me Policinë e Shtetit, të marrin leje për këtë. Vetë qytetari të mos bëjë asgjë me mendjen e vet, sepse nga temperaturat e larta zjarri merr përmasa të papërballueshme. Sa më të kujdesshëm të jenë qytetarët, aq më pak zjarre do të kemi”, përfundon ai.
Për të menaxhuar situatën me zjarret zjarrfikëset e qytetit në të 6 stacionet kanë marrë masat dhe kanë lënë në gatishmëri çdo ditë po aq punonjës sa edhe ka në stacion. /l.m