• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 19, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Tym e flakë…se tymit i ka dal flaka

by Java News
06/12/2023 18:54
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Josif Papagjoni

Po përsëriten të njëjta skena në Kuvendin e Shqipërisë, e njëjta regji e dështuar, me një njeri që tashmë s’ka ç’paraqet diç tjetër të re, një farë veshje a sfilate që të na hedh hi syve si deri dje, që krijon iluzionin e ndryshimit (ah sikur!!!). Është po ajo fytyrë nervoze, po ato britma, po ato anatema me “revolucione” permanente alla Lenin, me “mosbindje civile”, me “syrin shqiponjë” mbi të vetët, me grumbullim karrigesh, tymse, flakë letrash, dhunë. E kush nuk i njeh tashmë bëmat dhe gjëmat e Sali Berishës. Le të shpikë të tjera, po e njëjta mizanskenë është! Regji e dështuar. E dhunshme. Prej kohësh Sali Berisha i takon të shkuarës së rrëmujshme dhe anarkisë së këtij vendi. “Non grata” amerikane dhe afrimi i një gjyqi për hajni, më tej varret e të vrarëve dhe plumbat e 21 janarit, gjëmimi i Gërdecit si të qe një bombë atomike, shkatërrimet dhe të vdekurit e tij, pastaj varetë dhe qysqytë edhe kundër të “tijve” për të shqyer selinë e Partisë Demokratike (si nëpër betejat e marrjes së kështjellave mesjetare), burgimi i dhëndërrit për aferën e madhe të Pallatit të Sportit “Partizani”, të gjitha këto e kanë nxjerrë jashtë sjelljes normale prej një politikani të moderuar e dritësues! Oh! Po çfarë moderacioni dhe dritësimi ka ky njeri veçse mllef, mllef, ditë-natë, mllef.

Një energji djallëzore që nuk di të gjej pakëz, fare pakëz prehje moshe, fare pakëz paqe a një kafe mes njerëzish të zakonshëm diku në një bar-kafe lagjeje. Thashë “energji djallëzore” sepse ajo e tilla është, është veçse shkatërruese, veçse të prish gjithçka që është ndërtuar, siç bëri me 1997, ku sakatoi njerëzit dhe futi tmerrin në bark të nënës. E jashtëzakonshme energjia e tij në moshën që ka, por nuk është energji ndërtuese, por destruktive. I jashtëzakonshëm autoriteti gati prej ajatollahu që ky lider nevrastenik ka ndaj të tjerëve, teksa ata, “të tjerët”, nuk guxojnë ta kundërshtojnë qoftë edhe në një fjalë, se e dinë fundin, siç ai ka bërë me paraardhësit. E jashtëzakonshme demagogjia e tij kur shtiret si njeri i “ndershëm”, duke u stërbetuar se qoftë dhe një provë të vetme t’i gjejnë, një qindarkë të vjedhur, ai shkon vetë në dyert e gjyqit. Mirëpo gjyqi e thërret dhe ai e sfidon “trimërisht” atë. Trim dhe frikacak njëherit.

Dhe mua, besoj edhe mijëra të tjerëve, më vjen të bërtas: “Po çfarë drejtësie kaq e paaftë, e pafuqishme, frikacake qenka kjo, kur i sfidohet dhe i refuzohet vendimi?!” E jashtëzakonshme patetika e tij me superlativat e bezdisura dhe qesharake “më e rëndësishmja”, “historikja”, “mbishekullorja”, më ashtu e më kështu, më e më, kaq miliona këtu e aq miliarda atje. Boh! I jashtëzakonshëm vullneti për ta bërë kashtë e kuqe elektoratin e djathtë, madje edhe vetë Partinë Demokratike e bëri keq e për dreq veçse për hallin e tij, për të mbuluar hajnitë dhe tinëzitë, gjer dhe krimet. Qesharak refreni “na vodhen votat”, “do luftojmë për të drejtën e zgjedhjeve”, edhe kur humb me një milion, edhe kur humb me 6 mijë vota (Kukësi), edhe kur elektorati ia përplas shuplakën çdo dy a katër vjet fytyrës. Atëherë mendja e tij, që nuk njeh humbje, tërheqje, pendesë, reflektim, lënie të hapësirës tek të rinjtë, mbyllje të karrierës politike etj., apelon sloganin e mësuesit të tij “nga fitorja në fitorje”, e futur si mendësi në të menduarit e tij, paçka se gojarisht asnjëherë e pranuar. Sali Berisha është një krijues i madh. Një Demiurg, por për së prapthi. Demiurg i të keqes. Personalisht nuk e njoh. Sigurisht ka pasur disa merita të fillimit, mbase guximin, punën, vullnetin, mbase dhe leximet (thuhet, por unë s’e kam vërejtur këtë si një meritë e veçantë), mbase dhënien e favoreve dhe të shërbimeve ndaj besnikëve. Mbase një ushtarak do të ishte më i përshtatshëm. Por një ideator shteti dhe demokracie, jo kurrë! Asnjëherë nuk e kam parë këtë njeri si paqedashës, si një udhëheqës i prerjes evropiane (kurrë s’ka qenë i tillë), i cili duhej ta shihte popullin si njësi unike, si një familje të madhe, por gjithnjë bardh e zi, mik-armik, ose me mua-ose kundër meje, militant partiak-tradhtar politik.

Ai kurrë nuk e ka njohur formulën e demokracisë se kundërshtari nuk është armiku yt por një alternativë politike qeverisëse e pritshme me të cilën ti duhet të diskutosh, të debatosh, të polemizosh në parlament e kudo gjetke me elektoratin tënd, për të fituar bash opsioni yt. Dhe ky opsion nuk është e vërteta absolute, e pakorigjueshmja dhe e pakontestueshmja; gjithsesi është i përkohshëm, i testueshëm, sot kjo parti a grupim partish, nesër tjetri. Jo! Ai përherë e ka parë opozitën socialiste si armik i mundshëm. I mbiu në gojë fjala “komunistë”. Po ka 33 vjet, or zotëri, po lind brezi i dytë, ndryshoje dreqin pak, fare pak! Sepse, me thënë të drejtën, ti je komunisti më i thekur kësaj ane. E pra, pikërisht kjo psikologji, jo pak katundareske, e cila ushqehet nga një mendësi arkaike, e çoi atë ta burgoste kundërshtarin politik, Fatos Nanon. Po kjo mendësi e çoi të godiste e rrihte për vdekje shumë militantë politikë që ishin kundër tij. Ia çau buzët dhe ia theu dhëmbët Edi Ramës, që shkruante kundër tij dhe për nga kultura e qytetaria ishte ku e ku më lart; e rrahu edhe Arben Imamin, që u shfaq si opozitar ndaj falimentit të tij politik dhe autoritarizmit të padurueshëm. E ç’ti numërosh bëmat, solla veç dy shembuj, në dy krahët e kundërt të politikës: opozitë, sa dhe brenda vetvetes. Ndoshta Partia Demokratike do të kishte tjetër fytyrë, fuqi e vizion sikur të ishte bërë prijës i saj Sokol Olldashi, por ai humbi s’dihet se si, dhe iu dhurua torta e Partisë Lulzim Bashës, një sejmeni të trembur dhe hija e mardhur e vetë atij, Saliut. Nganjëherë kam qejf ta qas fytyrën e mrolur të tij me atë të Arturo Uisë, dmth me vizionet apokaliptike dhe karrierën e frikshme, që nuk njeh humbje, pakim, asnjë dështim, por veçse përmes populizmit dhe frikës kërkon të jetë i pranishëm përherë aty, si qershia mbi tortë (në fakt, si këndezi majë plehut).

Hamendësoj se nëse Berisha ikën (dmth e largojnë nga udhëheqja e pjesës së mbetur të PD, e cila do të zvetënohet keq e më keq, ditë pas dite), një tjetër marrëdhënie mund të ndërtohet midis pozitës dhe opozitës, shumë më dëgjuese, e respektueshme dhe konstruktive. Nuk fitohet vetëm me militantët, ish të punësuarit e dikurshëm që presin një tjetër punë nga partia fituese (kanë mbetur pa rroga, privilegje, para, hajni, vëmendje etj.). Fitohet me elektoratin e gjerë, ai që nuk të vjen pas nëpër mitingje, sado zëri, i nderuari Sali, të të ngjyret si Leonid Trockit dikur në demostratat e Shën Petërburgut dhe Moskës dhe sado ta cytësh turmën si toreadori demin, me fjalime steriotipe mbushur dëng me urrejtje, përçarje e përçartje, me populizëm të dalë boje, me egërsi, me premtime boshe. Njerëzit nuk mund të gënjehen më me kësi gjërash si njëherë motit, ca më pak rinia. Nëse do që ta mundësh pozitën e fuqishme të së majtës, munde me argumente, me projekte konkrete, me urtësi e maturi, me dinjitet e moralitet, aty në kuvend. Me mbushamendje, jo me flakadanë.

E si mund të jetë mbushamendës dhe referencë qytetarie një i ashtuquajtur “lider”, fund e krye i perënduar, që me sa duket do të iki nga skena politike shqiptare nën talljen dhe neverinë e njerëzve. Se, siç thoshte dikur filozofi, fenomenet në histori paraqiten në dy stade a forma, një herë në mënyrë heroike e tragjike dhe herën e dytë në mënyrë komike e për të qeshur. Poçet pas bishti të qenit unë kam kohë që i dëgjoj. I dëgjoj nga pakimi dramatik i elektoratit të dikurshëm të PD. I dëgjoj nga ndarja e të vërtetës prej demagogjisë, e populizmit prej dhuntisë konstruktive. I dëgjoj nga shkarja gjithnjë e më shumë drejt një ekstremizmi të rrezikshëm dhe të dëmshëm me thirrjet e çartura e të papërgjegjshme për “revolucione”, “beteja” e “luftë”, me fjalorin e shpërdoruar nacionalist “unë atdhetar e ti tradhtar”. Brofka! E vetmja ambicje e mbetur e këtij njeriu me emrin Sali, i vetmi qëllim, frika dhe shqetësimi që e ha përbrenda çdo ditë, çdo minutë, është mbijetesa e tij politike, është përballja me gjyqin e pritshëm, me të vërtetën që po troket, me ikjen e tij me turp. Mbase kjo, pra TURPI, është barra më e rëndë që ky njeri ka sot, guri i tmerrshëm i Sizifit që po ia bën gjak shpinën dhe po e kërrus dhe e kërrus gjer në dhe´. Turpi i vret të gjithë, por Sali Berishën ai sikur e fut në dhe´ të gjallë, sepse është tejet sedërmadh, tejet patriarkal (e reflektuar në politikë kjo si autoritar), tejet mospranues i gabimit të mundshëm, i tërheqjes, i dështimit, lëre pastaj i fajit. Berisha po bëhet një Tantal, ka etje por ujë s’ka, do të kap “frutin” e pushtetit, por sa zgjat dorën ai i ikën kilometra larg. Nd Turpi i vret të gjithë, por Sali Berishën ai sikur e fut në dhe´ të gjallë, sepse është tejet sedërmadh, tejet patriarkal (e reflektuar në politikë kjo si autoritar), tejet mospranues i gabimit të mundshëm, tërheqjes, dështimit, lëre pastaj fajit. Ndërron qimen, por mielli bie e bie prej tyre. Dhe sëpata e Damokleut i rri përsipër. Gjyqi…

Në ditë të zeza, e kapur në çark, dhelpra ha këmbën e vet. Kurrë ky njeri s’ka për ta njohur pendesën, qoftë dhe ashtu, larg e larg, me nënkuptin, në formë asociative. Jo! I gatuar ashtu, këtij politikani nervoz, në thelb një bolshevik i pandreqshëm por me maskë demokrati, një njeri i tmerrshëm që ka pasur jo pak ndjekës në formë “falangash të zeza e të përbetuara”, e pra ky njeri dhe mendja e tij prej sfidanti të përhershëm sot (si dhe dje, si edhe pardje) bën thirrje për “kryengritje”, për “sheshet e mbushura me protestues”, për rebelime në parlament, pa lënë punimet e tij të vijojnë normalisht, për më tepër edhe në miratimin e një ligji jetik, mbarëpopullor, si është ky i buxhetit i vitit 2024.  Mendja e tij tejet e përndezur dhe e eksituar sikur lundron në një lloj jermi e shajnie, që i kanë të tilla veçse shpirtrat e ngucur e me një krenari të sëmurë. E pra, me gjithë ç’po ndodhin vijimisht në Kuvendin Popullor, për ta nxjerrë jashtë funksionit institucionin ligjvënës dhe për të mbërritur në fund, ndoshta, në një “gol” politik, në një incident a diçka tjetër, ku të përdhosen besimi dhe idealet e njëmendta, ku të shuhet përfare qasja konstruktive e një opozite normale. Unë nuk e dua një opozitë të katandisur kështu, e cila nuk di të ngre në këmbë një tjetër vizion, të ushqejë shpresën që s’duhet të vdesë; një opozitë që nuk flet me mend por me këmbë, që nuk godet me fjalë, mendim, ide, dije, kulturë, por me grushta, përplasje karrigesh, ngrefosje gjoksesh prej “trimash”, kapërcim gardhesh hekuri me majë, flakadanë e zjarre, padituri dhe shumë, shumë idiotësi. Ka veçse një projekt ogurzi e gjitha çka po ngjet në parlament këto ditë, projekt i ideuar prej Ogurziut: ose e ngremë pupthi parlamentin, foltoren e shenjtë të tij, komunikimin e deputetëve të zgjedhur me zgjedhësit dhe nuk lëmë kërkënd të flasë në podium, ia ndukim mikrofonat, i kërcënojmë ose, ndryshe, e djegim fare, e bëjmë shkrumb e hi dhe nesër, pasnesër, siç thotë dhe kënga jonë e vjetër prej proletarësh: “Mbi gërmadhat e botës së vjetër, botën e re do të ndërtojmë”. Vendin ku ne, votuesit, kemi deleguar pushtetin tonë, ne do ta bëjmë gërmadhë!

Larg këtij mendimi ogurzi, o Ogurzi!

Çdo ogurziu i duhet kujtuar se pushteti nuk rrëzohet me karrige të hedhura, as me sulme të godinës së parlamentit si pak vite më parë po nga ky njeri, dhe as merret me dhunë, por me votë. Me votë zotëri, me votë! Ndërsa përrallat dhe avazi se “vota vidhet”, për të justifikuar humbjen, dështimin dhe mospranimin tuaj nga shumica e thjeshtë e zgjedhësve, këto s’i ha askush…

Next Post
Berisha i dorëzon ‘Foltoren’ vajzës Argita? Çollaku: E penalizon non grata! Gazetari: Pinjollët politike s’janë marrë prej dore nga prindërit

Berisha i dorëzon 'Foltoren' vajzës Argita? Çollaku: E penalizon non grata! Gazetari: Pinjollët politike s’janë marrë prej dore nga prindërit

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Listat e kandidatëve/ Minxhozi: Zgjedhjet janë edhe një lloj ‘vettingu’, s’janë thjesht akt i hedhjes së votës

Provat e Metës për 21 janarin dhe një nerv i zbuluar që s’e përmend askush

December 18, 2025
Fëmijët tanë nuk lindin me thikë në dorë

Një letër “nga brenda shtëpisë” (dhe çfarë do bëjë SPAK nëse Kuvendi bëhet Gjykatë)

December 18, 2025
I ftohti Siberian në fundvit, ciklon para Krishtlindjes! Meteorologia: Ja ç’do ndodhë në Shqipëri

I ftohti Siberian në fundvit, ciklon para Krishtlindjes! Meteorologia: Ja ç’do ndodhë në Shqipëri

December 18, 2025
Operacion kundër korrupsionit, arrestohet një ish-ministër dhe disa zyrtarë të lartë në Kosovë

Operacion kundër korrupsionit, arrestohet një ish-ministër dhe disa zyrtarë të lartë në Kosovë

December 18, 2025
Ankimimi në GJK për pezullimin e Ballukut/ Rama: S’dua t’i hyj dokrrave për ‘’pse-në’’ e kësaj beteje ligjore! Duhet të jesh krejt i verbuar nga..

A ke menduar të ikësh? Rama përgjigjet troç: Ja kush është misioni im

December 18, 2025
“Sëmundja e djalit”, Edi Rama tregon momentin më të vështirë

“Sëmundja e djalit”, Edi Rama tregon momentin më të vështirë

December 18, 2025
“U bëra burrë i martuar 24 karat”, Rama rrëfehet për Lindën: Më dha atë që më mungonte!

“U bëra burrë i martuar 24 karat”, Rama rrëfehet për Lindën: Më dha atë që më mungonte!

December 18, 2025
Berisha fton Ramën në debat dhe u bën mediave skenarin: Vendosni dy karrige dhe pastaj…

“Mishëron rrezatimin negativ”, Rama për Berishën: Komunisti ultrafanatik u kthye në konservator

December 18, 2025
1640593911_basharama1

Marrëveshja e 17 Majit, Rama zbulon për herë të parë: Bashën e mora në Elbasan! Berisha e bekoi 100%

December 18, 2025
Rama flet për refleksionet e tij në ‘90: Kur përmenda emrin e Enver Hoxhës, si seancë ekzorcizmi

Rama flet për refleksionet e tij në ‘90: Kur përmenda emrin e Enver Hoxhës, si seancë ekzorcizmi

December 18, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In