Pas akuzave ndaj opozitës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka kthyer përgjigje Kryeministrit Rama për futjen e TVSH-së ndaj biznesit të vogël.
Në një postim në Facebook, Basha thotë se Kryeministri duhet t’u japë llogari sipërmarrësve të vegjël dhe qytetarëve se sa fonde janë dhënë nga buxheti i shtetit për oligarkët. Kryedemokrati thotë se Rama është pasuruar në kurriz të qytetarëve.
“Në vend që të kërcënojë sipërmarrësit e vegjël që punojnë sa për të mbajtur gjallë familjet e tyre, Edi Rama duhet t’u bëjë të ditur shqiptarëve sa para u ka dhënë nga buxheti i shtetit oligarkëve këto katër vite: oligarkët e shëndetësisë e të ilaçeve, oligarkët e ndërtimit, oligarkët e koncesioneve, oligarkët e naftës dhe të telekomunikacionit.
Pastaj t’u tregojë shqiptarëve edhe sa taksa kanë paguar këta oligarkë në buxhetin e shtetit. Por ai nuk i tregon dot këto fakte, sepse ato zbulojnë një të vërtetë kriminale: zhvatjen e pamëshirshme të njerëzve të thjeshtë për pasurimin e Edi Ramës dhe klientëve të tij”, shkruan Basha në Facebook.
Kryeministri Rama sulmoi më herët opozitën, duke thënë se po mbron informalitetin dhe se asnjë biznes tashmë nuk do të jetë pa TVSH. /a.ç