Turqia është një nga tre aleatët strategjikë të Shqipërisë, por në datë 6 tetor në media doli lajmi se Ankaraja do të furnizojë me dronë vrasës Serbinë.
Pandeli Majko, ministri i Diasporës i ftuar në Radarin Informativ në ABC përballë gazetares Jonida Shehu u shpreh se populli shqiptar do ta mbajë shënim këtë veprim të Turqisë.
“Ne kemi tre marrëdhënie strategjike, por Turqia ka një distancë, por e konsiderojmë të afërt.
Turqia po furnizon me armatim Serbinë, e di, secilido e kupton se ne mbajmë shënim në marrëdhëniet shqiptaro- turke, kjo regjistrohet, kaq.
Do të mbetet e shkruar në memorien shqiptaro-turke, nuk thash po e shpallim armike Turqinë” tha ai.
I pyetur nëse një gjë e tillë e shqetëson, Majko theksoi se “Furnizuesi i parë i Serbisë është Rusia”.
Më tej ai shtoi se “Në panik nuk duhet të jemi, sikur kanë ata miqtë e tyre, kemi edhe ne miqtë tanë.
Ata (Kosova) nuk kanë tjetër veç nesh dhe nuk kemi tjetër përveç atyre” tha ai.
Majko komentoi përsëri deklaratën e fundit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Sipas Majkos deklarata e Vuçiç, i cili tha se “konflikti në Nagorno-Karabak ka treguar shembull se si është një konflikt i ngrirë dhe që kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë një katastrofë të vërtetë”, tregon frymën politike që Serbia ka, dhe është krejtësisht e papërgjegjshme.
Majko i ka quajtur “deklarata tregtarësh” qëndrimet e Serbisë dhe vetë Vuçiç, të cilët kanë deklaruar se nuk mund të pranonin Kosovën si shtet, pa marrë asgjë në këmbim.
Duke marrë si shembull “konfliktin e shuar” tashmë mes Ramës dhe Haradinajt, ish-kryeministri Majko theksoi se nuk ka përçarje mes shqiptarëve, se Kosova nuk bën dot pa Shqipërinë, dhe as Shqipëria pa Kosovën.
“Kemi të bëjmë me një shtet që nuk pranoi paketën e Ahtisarit. Shteti i Serbisë deklaron si një tregtar se “si mund të pranojmë pavarësinë pa marrë gjë në këmbim”.
Deklarata e fundit e Vuçiç në esencë është e papërgjegjshme. Në përgjithësi në Ballkan ngjarjet e rënda ndodhin kur nuk ka deklarata, dhe nuk besoj se do shkohet më tutje.
Sa i përket shqiptarëve nuk besoj se jemi të përçarë. Sherri që u konsiderua si i madh mes Haradinaj dhe Ramës u shua, s’ka më konflikt.
Duhet të jemi të sinqertë. Vuçiç me deklaratën që ka bërë nuk është se ka shpallur luftë, është një pohim i bërë në një moment delikat pasi ish-krerët e UÇK janë përpara Hagës sot, dhe tregon frymën politike që ai vend ka.
Ne nuk kemi tjetër përveç Kosovës. Kosova sot nuk është një hapësirë tokësore pa emër, është një shtet. Ata nuk kanë tjetër përveç nesh, dhe ne nuk kemi tjetër përveç tyre”, tha Majko.











