Një shpërthim dhe të shtëna janë shënuar pranë selisë së Kryeministrisë në Stamboll ditën e sotme. Lajmi bëhet i ditur nga mediat turke sipas të cilave të shtënat me armë janë dëgjuar në hyrje të Pallatit Dolmabahce në Stamboll, i cili është një atraksion i njohur turistik.
Sipas mediave turke, policia ka arrestuar 2 persona të armatosur. Nga të dhënat e para nuk dihet ende shkaku i trazirave në Stamboll, por dyshohet për një atentat terrorist.
Kjo pasi militantët e Shtetit Islamik ISIS i kanë bërë thirrje popullit turk të ngrihet kundër regjimit të presidentit Erdogan duke e quajtur të pabesë e tradhtar. Nëpërmjet një video, ISIS akuzoi Presidentin Erdogan se ia ka shitur vendin të krishterëve dhe partisë ateiste të Punëtorëve të Kurdistanit dhe se ka lejuar që bazat turke të përdoren nga të krishterët e nga SHBA thjesht për të ruajtur pozitën e vet.














