Nga Ermir Gjinishi
Konflikti i rindezur palestinezo-izraelit në 7 tetor dhe rreziku i përshkallëzimit në një luftë rajonale e ndoshta botërore, ka hapur një debat publik në mbarë botën. Përtej aleancave politike, ai dominohet nga ekspertët më të njohur të atij rajoni, në politikë, diplomaci dhe çështjet e sigurisë. Kritikat e dështimit të politikës për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë, standartet e dyfishta të ndjekura në mbështetjen e palëve në konflikt duke anashkaluar të drejtën ndërkombëtare dhe skenarët e mundshëm të eskalimit të situatës, janë tri boshtet e këtij debati.
Në Financial Times, ish shefi i shëbimit britanik John Sawers e vlerëson të paarritshme sipërmarrjen e qeverisë së Netaniahut për shkatërrimin e Hamasit. Sipas tij, objektivi kryesor duhet të jetë stabiliteti në Gaza dhe ndalimi i përshkallëzimit të konfliktit në një konflikt rajonal. Gil Troy profesor në McGill University shkruan në The Jerusalem Post se dorëheqja e Netaniahut do të ndihmojë Izraelin të kalojë nga politika e turmës dhe ndarjeve, në epokën e një qeverisje serioze të pjekur. Përtej terrorit të 7 tetorit nga Hamas, The Washington Post, në artikullin “Izrael says Hamas is ISIS. But it’s not” i referohet historianit dhe ekspertit të lëvizjeve islamike në Universitetin Haifa të Izraelit Isaac Wiseman i cili e konsideron Hamasin një organizatë që reflekton realitetin e krijuar në Gaza. Kohë më herët, Amos Oz, autor i 40 librave të përkthyer në 45 gjuhë të botës përfshirë dhe në gjuhën shqipe, shprehej se Hamasi është një ide. A mund të luftohet një ide me bomba është pyetja retorike?
Ndërkaq, kultura puniste dhe lejfenizmi jonë publik dominant, janë kthyer vërtetë në skenar për humor të zi. Absurdi më i madh në mediat shqiptare këto ditë është përcaktimi me kë je, me Izraelin apo Palestinën? Kjo lloj dikotomie përballë një katastrofë njerëzore ku civilët nga të dy palët mbushin statistikat me viktima të pafajshme, të sjell ndërmend fshikullimin e Hanah Arendt kur thonte, vdekja e keqardhjes njerëzore është shenja e parë që tregon se kultura e një vendi po fillon të bjerë në barbarizëm.
Shembulli brilant i një debati publik të hapur vjen nga vetë Izraeli. Mediat reflektojnë ndarjet e brendëshme. Kanali N12 dhe N13 kundërshtojnë deklaratat raciste të së djathtës ekstreme qeverisëse dhe dënojnë vrasjen e civilëve në Gaza. Frymëzimin religjioz të Netaniahut në cilësimin e vetes populli i dritës dhe palët kundërshtare në konflikt populli i errësirës, mediat izraelite e konsiderojnë paranojë. Shoqëria civile proteston për vrasjen e qytetarëve civilë nga të dyja palët. Në parlamentin izraelit Keneseth, deputetët e majtë bëjnë përgjegjës Netaniahun për situatën në Gaza. A e shkatërron vrasja e civilëve Hamasin, është dilema që qeveria izraelite nuk po mund ta bindë opinionin publik izraelit.
Pas tre javë luftimesh me mbi 1400 izraelitë dhe 8700 palestinezë të vrarë, nisja e ndërhyrjes tokësore në Gaza kanë shtuar mbështetjen ndaj Palestinës dhe e kanë vendosur qeverinë e Netaniahut në një pozitë mjaft delikate brenda dhe jashtë Izraelit. Votimi me 120 vota pro rezolutës në OKB javën e kaluar, kritikat ndaj qëndrimeve të njëanëshme të Ursula von der Leyen në Parlamentin Europian, deklarata e Borel për ekuilibër midis të drejtës së vetmbrojtjes dhe viktimave civile, cilësimi gjenocid dhe krim kundër njerëzimit nga Amnisty International dhe Human Rights Watch të asaj që po ndodh në Gaza apo protestat pro-palestineze në kryeqytet e vendeve perëndimore, po dobësojnë mbështetjen politike ndaj Izraelit. Nga rritja e anti-semitizmit në Perëndim e deri te refuzimi i rikthimit të hebrejve në Dagistan, janë vetëm një pjesë e eskalimeve të paparashikuara.
Shoqëria izraelite nuk është ekstremiste, por ekstremistët pakicë kanë dominuar qeverisjen vitet e fundit. Ndarjet e brendëshme sociale e politike në Izrael janë thelluar. Që nga vrasja e Is’hak Rabin më 1995 nga një ekstremist i djathtë, asnjë qeveri nuk ka mundur të përmbyllë një mandat të plotë 4 vjeçar. Ndërsa 4 vitet e fundit ka patur zgjedhje çdo vit. E djathta e Netaniahut ka mundur të mbijetojë në koalicion me të djathtët ekstrem dhe ultraortodoksët haridinë që kanë 15 % të deputetëve. Të majtët në qeverinë e unitetit nuk e kanë miratuar ndërhyrjen tokësore në Gaza, ndërsa tre ministra kërcënojnë me dorëheqje për t’a detyruar Netaniahun të marrë përsipër përgjegjësinë e dështimit ndaj sulmit të 7 tetorit.
Kriza demografike është sfida më e madhe që nga themelimi i shtetit të Izraelit më 1948. Deri në 2022 numri i të larguarve nga Izraeli ishte rreth 500 mijë. Fight or Flight e cilëson gjendjen e shumë izraelitëve e përditshmja Haretz duke theksuar se mbështetja ndaj qeverisë ka rënë në rreth 20%, ndërsa 30% e izraelitëve të moderuar dhe liberalë duan të largohen nga Izraeli për shkak se e ardhmja politike e Izraelit po dominohet nga e djathta ekstreme dhe ultraortodoksët. Kërkesat për emigracion në vendet e BE janë rritur me 15%.
Kriza ekonomike është thelluar. Shpenzimet ditore të luftës janë 246 milion. Deri tani fatura e luftës është rreth 7 miliardë dollar. Sipas Eyal Winter, profesor në Hebrey University of Jerusalem, mobilizimi i 360 mijë rezervistëve paralizon ekonominë e vendit. Sipas Bloomberg mbi 100 kompani izraelite shënojnë rënie drastike në bursat amerikane. Turizmi është krejtësisht i bllokuar, ndërkohë shpërngulja e 500 mijë izraelitëve dhe mijëra të tjerëve nga territotet kufitare me Gazën të cilat prodhojnë rreth 75% të produkteve bujqësorë, ka impakt katastrofik në ekonomi. Busra e Tel Avivit shënon rënie drastike ndërkohë që Banka qëndrore ka hedhur 45 miliardë dollar për të mbrojtur monedhën vendase shekel nga inflacioni.
Opinion publik izraelit është i shokuar nga përformanca e sigurisë. Megjithëse ka nga sistemet më të sofistikuara kibernetike në botë, një aleancë hakerash ka vënë në pikëpyetje sigurinë kibernerike në Izrael, nga sulmet në institucione deri tek ndërhyrjet live në televizionet izraelite. Profecia e “mallkimit të dekadës së tetë” po kthehet në makth kolektiv.
Parashikimi për humbje të mëdha të cilat opinioni publik në Izrael nuk mund t’i pranojë po frenon ndërhyrjen tokësore në Gaza. Tunelet e Hamasit, rreth 500 km nëntokë, janë enigma më e madhe e pazgjidhur në planet e ndërhyrjes tokësore izraelite, ndaj SHBA insiston në mosfutjen e trupave në Gaza. Nga ana tjetër acarimi i vendeve arabe rrezikon t’i kthejë marrëdhëniet izraelito-arabe dekada pas.
Pika më sensitive mbetet e ardhmja e 242 izraelitëve që Hamasi mban si kartë për t’i këmbyer me të gjithë të burgosurit palestinezë. Ndërkohë që Hamasi ka deklaruar 50 pengje të vrarë nga bombardimet, në mugesë të një plani për lirimin e tyre, opinioni i zemëruar izraelit ngre pikëpyetje mbi aktivizimin e protokollit Hanibal “një ushtar i vdekur më mirë se një ushtar peng”.
Por hapja e fronteve të reja në Bregun Perëndimor apo me Hizbullahun në Liban, milicitë shiite në Siri, Irak, Jemen, sipas ekspertëve është e papërballueshme për ushtrinë izraelite. Ankorimi i kapaciteteve ushtarake ruse, amerikane, iraniane, turke, kineze në shtetet kufitare, në Detin Mesdhe dhe Detin e kuq, përtej misionit të frenimit të eskalimeve të mundëshme, me futjen në konflikt të aktorëve të tretë rrezikon ta kthejë konfliktin në rajonal, ndoshta dhe më shumë. Ndaj Presidenti Biden insiston se opsioni i zgjidhjes mes dy shteteve është versioni optimal për frenimin e konfliktit. Ata që mendojnë se ekzistenca e Izraelit është në pikëpyetje, janë viktima të paranojave emocionale. Ndërsa ata që mendojnë se Hamasi nuk do të ekzistojë, anashkalojnë mënyrat e adabtimit të një populli për mbijetesë. Por një gjë është e vërtetë. Izraeli i pasluftës nuk do jetë si Izraeli i paraluftës.