Shumë shpejt “Turbina”, qendra aq shumë e përfolur e artit, do të nisë nga puna. Pasi aktorët e fituan betejën për të mos lëvizur nga ambientet e Teatrit Kombëtar, dy sallat e “Turbinës” do të funksionojnë paralelisht me sallën “Kadri Roshi” në godinën historike të TK.
Këtë e konfirmoi disa ditë më parë, gjatë një konference për shtyp , drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, i cili u shpreh se në qershor do të marrë në varësi edhe dy salla të tjera. Ndërsa dje, Teatri Kombëtar, përmes një njoftimi u ka bërë thirrje të gjithë artistëve të skenës së pavarur të paraqesin projektet e tyre, që mund të zhvillohen në sallën “Kadri Roshi”, por edhe në dy sallat e “Turbinës”.
Prej ditës së djeshme, deri më 30 qershor 2018, artistët e skenës së pavarur duhet të paraqesin “projektet e tyre artistike, të cilat kërkojnë mbështetjen e Teatrit Kombëtar në infrastrukturë (salla, ambientet e punës,teknika etj.) dhe që duan të jenë pjesë e kalendarit artistik të Teatrit Kombëtar për sezonin e ardhshëm 2018-2019”.
Sipas njoftimit, përveç sinopsit të veprës dhe stafit krijues dhe interpretues, aplikuesit duhet të specifikojnë periudhën kohore të parashikuar për ngritjen në skenë të veprës artistike; numrin e shfaqjeve të parashikuara të veprës artistike; sallën e parashikuar: Teatri Kombëtar, salla “Kadri Roshi”, “Turbina” salla e vogël dhe “Turbina” salla e madhe. Kështu, institucioni i Teatrit Kombëtar hyn në një fazë të re, duke pasur në varësi më shumë hapësira.
ma.me