Opozita e la fushën e hapur në komisione për miratimin e paketës fiskale dhe buxhetit.
Demokratët dhe aleatët u kthyen në debat për ndryshimet në ligjin për tubimet, ku ndëshkohen me gjobë protestuesit e maskuar, ata që bllokojnë rrugët dhe shkaktojnë dëme.
Llogaritë e para kundër aktit normativ i bëri Oerd Bylykbashi. “Duhet ose të marr kredi, ose s’e paguaj dot atë gjobën. Ky është akti juaj normativ. Të tjerë e të tjerë e të tjerë si ky, me 5 milionë lekë të vjetra”, tha ai.
Nuk munguan reagimet e mazhorancës, duke kujtuar se një ditë ky ligj do t’i shërbejë edhe opozitës së sotme, shkruan A2 CNN.
“Nga vetë ju. Qoftë ajo ditë e largët, do të vini edhe ju në pushtet. Edhe ndërhyrja sot në ligjin për tubimet bëhet për të gjitha pushtetet, që një ditë të largët, shumë të largët, me këtë mendje që keni, do të vini edhe ju në pushtet”, tha deputetja e PS, Besa Spaho.
Ndërsa Tedi Blushi lexoi nenet e Kushtetutës, për të argumentuar se ato shkelen, Ulsi Manja i tregoi të kundërtën. “Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to, është e garantuar, thotë Kushtetuta”.
Pavarësisht debatit të zgjatur, akti normativ, që tashmë ka hyrë në fuqi, u miratua nga mazhoranca me votë në seancë. Dakordësi u dha edhe për dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara gjatë protestave.










