Në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, të thirrur nga Kryeministri Edi Rama pas ngjarjeve të fundit në vend, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit institucional në mbrojtje të fëmijëve.
Gjatë fjalës së saj, ministrja u shpreh se zhvillimet e fundit kanë vendosur institucionet përballë nevojës për të analizuar jo vetëm masat e ndërmarra deri më tani, por edhe mënyrën sesi bashkëpunojnë mes tyre për të parandaluar dhe trajtuar situatat që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve.
“Ngjarjet e fundit na kanë vendosur përpara nevojës për të vlerësuar jo vetëm masat e ndërmarra, por edhe mënyrën se si institucionet tona bashkëpunojnë për të parandaluar dhe trajtuar situata që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve”, tha Spahiu.
Sipas saj, takimi krijon një hapësirë të përbashkët diskutimi mbi situatën aktuale, përgjegjësitë institucionale dhe masat që duhet të ndërmerren në vijim për forcimin e mbrojtjes së të miturve.
Ministrja nënvizoi se mbrojtja e fëmijëve duhet të mbetet përparësi absolute dhe të qëndrojë mbi çdo agjendë, ndasi apo interes politik.
“Ta shohim këtë takim jo vetëm si reagim ndaj situatave të fundit, por si një mundësi për të identifikuar boshllëqet, për të përmirësuar mekanizmat tanë dhe për të forcuar përgjegjësinë e përbashkët”, u shpreh ajo.
Spahiu theksoi se përgjegjësia për mbrojtjen e fëmijëve është e përbashkët dhe përfshin institucionet, prindërit, mësuesit, mentorët, drejtuesit dhe çdo qytetar.
Sipas saj, pesha e kësaj përgjegjësie kërkon bashkëpunim më të ngushtë mes të gjitha palëve, në mënyrë që të garantohen siguria, mirëqenia dhe zhvillimi i shëndetshëm i fëmijëve në Shqipëri.










