Nga Fatos Tarifa
Pjesa I
Asnjëherë nuk e kam kuptuar përse në periudhën e socializmit dhe të ateizmit shtetëror në Shqipëri nuk u përkthyen e nuk u botuan në shqip dy prej veprave më të njohura të Bertrand Russell-it: pamfleti i tij Pse nuk jam i krishterë (Why I am Not a Christian), botuar në vitin 1927, dhe libri i tij Feja dhe shkenca (Religion and Society), botuar më 1935. Këto dy vepra, ndër shumë të tjera, si pjesë e krijimtarisë së jashtëzakonshme të këtij matematicieni dhe filozofi të shquar, i dhanë atij, në vitin 1955, Çmimin Nobel në Letërsi (diçka krej unike deri më sot), si një kampion i “ideve humaniste dhe i lirisë së mendimit”. Nëse për regjimin komunist në Shqipëri Bertrnad Russell nuk ishte veçse një “filozof borgjez”, këto dy vepra të tij, madje e gjitha krijimtaria e këtij njeriu të madh, duhej tu ishin bërë të njohura në shqip lexuesve shqiptarë fill pas ndryshimit të sistemit politik. Për të rinjtë e sotëm dhe për këdo që lexon anglisht, ato janë lehtësisht të aksesueshme në Internet dhe unë ua rekomandoj fort që t’i lexojnë. Në Shqipëri, sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për racionalizmin dhe humanizmin që ushqejnë dhe frymëzojnë filozofia e Russell-it dhe e mendimtarëve të ngjashëm me të.
Zoti nuk ekziston dhe askush nuk lind me idenë e tij
Për këdo që i lexon këto radhë, e them hapur qysh në fillim se unë jam ateist. Si i tillë, ndryshe nga çdo besimtar që, njëlloj si unë, ka lindur edhe ai “ateist”, pra pa idenë e Zotit, por është rritur si një besimtar, unë kam lindur dhe jetoj pa besuar te një fuqi e mbinatyrshme. Tek unë dhe për mua, si individ, Zoti nuk ekziston dhe as është i domosdoshëm për ekzistencën, për sigurinë dhe për mirëqenien time.
Unë besoj, gjithashtu, se çdo fëmijë duhet lënë të rritet e të zhvillohet intelektualisht pa ushtruar mbi të asnjë presion që do ta detyronte atë të besojë në këtë ose në atë fe. Në këtë çështje, unë bashkohem me pikëpamjen që shpreh Richard Dawkins se të rritësh një fëmijë si katolik (unë do të shtoja çdo denominacion fetar), është një “formë abuzimi ndaj fëmijës”, pasi feja i pengon fëmijët që të marrin një arsimim racional. Nga ky këndvështrim, unë e kam kundërshtuar vendosmërisht disa vite më parë―dhe e kundërshtoj po aq fort sot―idenë për të futur në shkollat tona mësimin e fesë, pasi besoj në atë që thotë Bertrand Russell se shkolla, qysh nga fillimi, duhet t’i mësojë fëmijët që “të mendojnë, jo që të besojnë”.
Një ngjarje tragjike në Tiranë
Shkas për t’i shkruar këto radhë u bë një ngjarje shumë e trishtuar në Tiranë disa ditë më parë, kur një nënë dhe vajza e saj u gjetën të vetvrara në shtëpinë e tyre për shkaqe dukshëm të lidhura me besimet e një sekti fetar. Fillimisht u tha se ato bënin pjesë në kishën “Dëshmitarët e Jehovait”, por një zëdhënës i kësaj kishe në Tiranë e mohoi këtë. Më pas u tha se përgjegjës për tragjedinë e asaj familjeje janë pjesëtarët e një sekti tjetër fetar, i quajtur “Kulla e vëzhgimit” (Watchtower), kur, në fakt, ky është thjesht një tjetër emër për “Dëshmitarët e Jehovait”. Më vonë u tha se ato ndiqnin Kishën Ungjillore. Kjo e fundit konfirmoi se viktimat kishin qenë për disa vite me radhë ndjekëse të kësaj kishe, por ishin larguar prej saj rreth pesë vite më parë. Supozimi i fundit, gjithnjë sipas medias, është ai që e lidh vetflijimin e tyre me një tjetër kult fetar, siç është ai i quajtur “Scientology”. Asgjë nuk dihet ende me siguri. Hamendjet vazhdojnë, siç vijon edhe odiseja e kërkimit të gjurmëve fetare të kësaj tragjedie dhe unë shpresoj që, herët ose vonë, prokuroria do të hedhë dritë mbi të vërtetën.
Ajo që mund të thuhet me siguri, sidoqoftë, është se, pavarësisht emrit të kishës apo të sektit ose të kulti fetar që mund t’i përkisnin vajza dhe nëna e asaj familjeje, siç dëshmohet edhe nga tekstet fetarë që janë gjetur në banesën e tyre, nga mënyra e jetesës dhe nga motivet e mënyra se si ato u vetflijuan, është se vdekja e tyre ka lidhje me besimin e tyre fetar. Ky është thjesht një rast më shumë që dëshmon rrezikshmërinë e besimit të verbër në një dogmë fetare dhe në praktikat e sekteve apo të kulteve ekstremistë të lidhur me fe të caktuara ose të derivuar prej tyre.
Redaksia e gazetës Dita më kërkoi një opinion mbi atë se çfarë i shtyn disa njerëz që t’u bashkohen sekteve të ndryshëm fetarë, të cilët nuk kanë ekzistuar në Shqipëri, por janë importuar te ne pas viteve 1990. Duke e pranuar ftesën e kësaj redaksie, më duhet të them qysh në fillim se ky subjekt nuk është territori im, ndaj edhe nuk pretendoj t’i jap një shpjegim shterues kësaj çështjeje. Sidoqoftë, me këtë rast më jepet mundësia që, jo vetëm të informoj e të sqaroj sa mundem lexuesin mbi rrezikshmërinë shoqërore që paraqesin sekte dhe kulte të tillë për qytetarët tanë, por edhe të shtjelloj, ose të ritheksoj disa nga pikëpamjet që kam argumentuar edhe më parë lidhur me rolin e fesë në shoqëri dhe rrezikshmërinë shoqërore që paraqesin dogmat e saj dhe besimi i verbër në të.
Roli i fesë dhe praktikat e saj në balancë
Edhe më parë kam vënë në dukje se, duke qenë përgjithësisht një forcë regresive në histori, në periudha të caktuara të zhvillimit të qytetërimit feja ka luajtur një rol pozitiv dhe ka dhënë një kontribut të veçantë. Jürgen Habermas vë në dukje rolin e saj të rëndësishëm në lëvizjet për paqe, për të drejta civile e njerëzore dhe për mundësi të barabarta zhvillimi. Të tilla kanë qenë, fjala vjen, lëvizjet kundër skllavërisë në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara, influenca që fetë e vogla protestante kanë pasur në një varg lëvizjesh sociale gjatë shekujve të 18-të dhe 19-të, përfshirë edhe ato që u frymëzuan nga pikëpamje demokratike.
Mund të përmendim, gjithashtu, rolin që ka luajtur spiritualizmi (edhe pse jashtë ortodoksisë religjioze) dhe marrëdhëniet e tij me Romanticizmin, Socializmin utopik dhe Humanizmin, si dhe rëndësinë që kanë pasur motivet dhe praktikat organizative fetare në një varg lëvizjesh sociale gjatë shekullit të 20-të në Europë, në Shtetet e Bashkuara dhe në vende e rajone të tjerë të botës. Nga ky këndvështrim, mund të thuhet se historia e sekularizimit të shoqërisë moderne ka qenë dhe është jo vetëm historia e rënies së rolit të fesë, por edhe një histori e rritjes së angazhimeve të saj në projektet transformuese të kësaj jete tokësore.
Po kështu, askush s’mund ta vërë në dyshim faktin që, për shekuj me radhë, bota arabe ka qenë në ballë të qytetërimit dhe të arritjeve të tij. Për pesë shekuj me radhë pas Muhamedit, arabët, përveçse ushtrarakisht dhe ekonomikisht, e dominuan botën edhe kulturalisht në një mënyrë po aq tërësore sa edhe Europa dhe Amerika kanë dominuar në këta 250 vitet e fundit. Krijimi i një hapësirë kulturore poliglote e të diversifikuar nga pikëpamja fetare në të gjitha provincat e Kalifatit arab krijuan një qytetërim multietnik, multiracor dhe, madje, ndërkontinental, i cili tërhoqi shumë nga intelektualët, filozofët dhe shkencëtarët më të shquar të asaj kohe. Të paprivuar për shkak të përkatësisë etnike dhe besimit të tyre fetar, ata do të gjenin në Bagdad e në Kairo lirinë e nevojshme intelektuale, e cila, në atë kohë, mungonte në Europë, për të eksploruar përtej kufijve të njohur të dijes dhe për të ringjalluar nga thellësitë e shekujve filozofinë, letërsinë klasike dhe shkencën e lashtë përmes përkthimeve të teksteve të Aristotelit, të Platonit, të Pitagorës e të Hipokratit.
Në shekujt e 10-të dhe të 11-të, ndërsa Europa lëngonte nën pushtetin absolut të Kishës Katolike dhe të obskurantizmit mesjetar, Spanja e Jugut, nën Kalifatin arab, gjithashtu njohu një rilindje letrare të shkëlqyer dhe një zhvillim kulturor të paparë deri atëherë. Krahas Bagdadit dhe Kairos, Kordova, e cila dikur kishte qenë pjesë e Perandorisë Romake, u bë në atë kohë jo vetëm kryeqyteti mysliman i Spanjës, por edhe një qendër e madhe dhe shumë e rëndësishme e kulturës, e filozofisë dhe e shkencës në krejt botën arabe.
Çfarë vura në dukje më sipër, sidoqoftë, nuk duhet të na bëjë të harrojmë rolin regresiv të fesë dhe krimet e shumta që janë kryer përgjatë historisë së njerëzimit në emër të saj dhe as të mbyllim sytë përballë rreziqeve që vijnë nga fanatizmi dhe fondamentalizmi fetar i çdo lloji. Burimet historike njoftojnë, fjala vjen, se miliona gra e vajza janë djegur të gjalla në Mesjetë dhe deri në fillim të shekullit të 18-të nga Kisha Katolike, sepse konsideroheshin “shtriga”, gra nimfomaniake, që kishin aftësinë të zhvillonin dhëmbë në vaginat e tyre—vagina dentata—për të kastruar meshkujt, një arsye kjo, ndër të tjera, që shpjegon gjuetinë e tmerrshme dhe djegien e tyre për shekuj me radhë. Po kështu, në Mesjetë, rreth 300 mijë njerëz janë dënuar e burgosur nga Inkuizicioni dhe rreth 6 mijë prej tyre janë ekzekutuar.
Nga ana tjetër, për shekuj me radhë, xhihadistët islamikë kanë marrë jetën e miliona njerëzve në emër të fesë së tyre. Anëtarë të kultit fetar Thagi në Indi, origjina e të cilit daton në shekullin e 14-të, mendohet se kanë vrarë rreth 2 milionë njerëz. Në emër të fesë së tyre, budistët në Burma, për një kohë të gjatë kanë sakrifikuar mijëra jetë njerëzish, derisa ceremonitë e flijimit në atë vend u ndaluan me ligj. Edhe sot e kësaj dite, sektarizmi fetar në këtë vend (dhe në shumë vende të tjerë) mbetet një problem i madh. Në vitin 2012, grupe sektarë budistë në Burma vranë mbi 200 myslimanë dhe dogjën mijëra shtëpi.
Një ndër praktikat me bazë kulturore e fetare më mizore në shumë vende të botës vazhdon të jetë gjymtimi i organit gjenital (clitoridestomy) te vajzat në moshë nga 5 deri në 15 vjeç. Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se, në ditët tona, më shumë se 200 milionë vajza dhe gra—në 30 vende të Afrikës, të Lindjes së Mesme e të Azisë—jetojnë me pasojat e gjymtimit të organit të tyre seksual.
Kultet fetarë dhe rrezikshmëria e tyre
Në ditët tona, krimet në emër të fesë, ose të motivuar nga besime fetare lidhen jo aq me fetë e mëdha tradicionale, por kryesisht me ekzistencën e sekteve dhe, sidomos, të kulteve fetarë ekstremisht irracionalë e të dhunshëm. Këta sekte dhe kulte dallojnë shumë nga fetë tradicionale dhe doktrinat e tyre, por dallojnë edhe më tepër prej njëri-tjetrit në shumë drejtime, përfshirë edhe shkallën e rrezikshmërisë dhe veprimtarinë kriminale të tyre. Disa prej tyre janë mjaft të njohur në popullsinë dhe për institucionet e vendeve ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre, si dhe në vende të tjerë; kulte të tjerë, të cilët nuk kanë një shtrirje të gjerë rajonale ose globale, janë fare pak ose aspak të njohur për shumicën e njerëzve, por jo më pak të rrezikshëm.
Ashtu si sektet, edhe kultet fetarë nuk janë një dukuri e re. Edhe pse ekspertët dhe studiuesit e sotëm të kulteve shpesh nuk bien dakord mbi atë se çfarë ekzaktësisht e bën një grup njerëzish një kult, ose nga se dallojnë kultet nga sektet fetarë, është dëshmuar se kultet kanë ekzistuar qysh nga koha kur njerëzit nisën të ndajnë masivisht me njerëz të tjerë dhe të përhapin në shoqëri idetë, pikëpamjet, paragjykimet dhe praktikat e tyre. Nuk është synimi im―dhe as një fushë e ekspertizës sime―të shpjegoj këtu pse dhe si kanë lindur historikisht fetë, sektet apo kultet e ndryshëm fetarë. Këtu vetëm dëshiroj të sjell disa shembuj―të këtyre dekadave të fundit―të cilët dëshmojnë natyrën perverse (që s’ka të bëjë aspak me fenë e vërtetë) dhe rrezikshmërinë e madhe të kulteve si komunitete që, pavarësisht frymëzimit fetar, janë të dhunshëm, në radhë të parë ndaj anëtarëve të tyre.
Në fillim të viteve 1970, “Fëmijët e Zotit” (Children of God), një kult fetar që më vonë ndryshoi emrin e tij në “Familja e dashurisë” (Family of Love) dhe më pas në “Familja International” (Family International), u akuzua (dhe u provua fajtor) për përdhunime, burgosje, rrëmbime dhe incest brenda grupit të besimtarëve të atij kulti, të cilët, këta akte dhune i kryenin nën pretekstin e “zgjerimit” të grupit përmes shtimit të numrit të shtatzanive.
Në vitin 1978, në Jonestown, një qytet i vogël në Guajana, 918 amerikanë, anëtarë të një kulti fetar brenda Kishës së Krishterë, i njohur me emrin “Tempulli i Popullit” (Peoples Temple), përfshirë edhe 276 fëmijë, u helmuan në një akt kolektiv vetëvrasës pikërisht për shkak të besimit të tyre fetar.
Në vitin 1984, në një përpjekje që është konsideruar si sulmi i parë bioterrorist në Shtetet e Bashkuara, anëtarë të komuniteteve “Bhagwan Shree Rajneesh” synuan helmimin me bakterien e salmonelës të qindra qytetarëve amerikanë në qytetin Dallas (në Oregon), për t’i siguruar fitoren në zgjedhje kultit të tyre.
Në vitin 1994, 53 anëtarë të kultit “Urdhëri i Tempullit Diellor” (Order of Solar Temple), në Kanada dhe në Zvicër, u vranë ose u vetvranë duke i djegur ndërtesat ku ata vdiqën.
Në vitin 1995, një kult fetar i njohur me emrin “Aum Shinrikyo” (sot “Aleph”) dhe i konsideruar si një “fe e rrezikshme” në Japoni, shkaktoi vdekjen e 13 qytetarëve japonezë dhe plagosjen e rreth 6,000 të tjerëve në metronë e Tokios duke përdorur gazin Sarin.
Në vitin 1997, 39 shtetas amerikanë, anëtarë të kultit “Porta e Parajsës” (Heaven’s Gate), të bindur se Zoti është një alien, u vetvranë me shpresë se, pas vdekjes, trupat e tyre do të transportoheshin me një UFO drejt bishtit të kometës Hale-Bopp.
Kisha e Unifikimit (Unification Church), e krijuar në vitin 1954 në Korenë e Jugut dhe më vonë e përhapur në Shtetet e Bashkuara, është akuzuar për rrëmbimin me forcë dhe “deprogramimin” (lexo trushpëlarjen) e disa qindra anëtarëve të saj, të rektutuar me forcë në atë kishë.
Kulti fetar i quajtur “Kisha e Trupit të Krishtit” (Church of the Body of Christ) i ndalon anëtarët e vet të marrin informacion përmes mediave dhe i pengon ata, kur janë të sëmurë, të vizitohen te mjeku, ose të shtrohen në spital, duke u bërë shkak për vdekjen e shumë prejt tyre.
Shembujt janë të shumtë, por edhe vetëm këta që përmenda më sipër dëshmojnë se njerëz që kryejnë krime të tilla janë të mbrujtur me besime fetare që janë të rrezikshme për shoqërinë. Irracionalizmi dhe vulnerabiliteti ndaj ideve dhe besimeve të caktuara mbi universin, individin dhe shoqërinë mund të çojnë në veprime sektare e të dhunshme.
“Scientology”, një kult irracional dhe i rrezikshëm
Pohimi i mësipërm nuk është thjesht kaq―një pohim―por shpreh një rrezik real edhe për shoqërinë tonë dhe duhet të na bëjë të reflektojmë thellë të gjithëve, si shoqëri dhe si shtet. Dje, në këtë gazetë, u supozua―edhe pse pa asnjë provë serioze―se vetflijimi i një vajze dhe i nënës së saj në Tiranë pak ditë më parë mund të shpjegohet me kontakte të mundshme online të vajzës me kishën e njohur me emrin “Scientology”.
Një mundësi? Ndoshta, por edhe kjo, si shumë mundësi të tjera, mbetet që të provohet dhe kjo detyrë u përket organeve të prokurorise e të rendit. Sidoqoftë, gjej rast të them dy fjalë për këtë organizatë “fetare”, e cila, në fakt, ka të gjitha tiparet e një kulti fetar.
Nuk kishin kaluar veçse disa muaj pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri (ndoshta në vitin 1991 ose 1992), kur ndër të parët misionarë fetarë të huaj që “zbarkuan” në Tiranë ishin ata të Kishës së njohur me emrin “Scientology”. Të rinjtë e sotëm dhe, ndoshta, shumica e prindërve të tyre, mund të mos e dinë këtë fakt, por është rasti ta mësojnë. Çfarë është kjo kishë dhe cila është doktrina e saj?
“Scientology” është krijuar, si një “fe” e re, në Shtetet e Bashkuara në vitin 1954, po atë vit në të cilin është lindur edhe autori i këtyre radhëve. Ajo është, pra, një kishë, ose një fe relativisht e re. Themeluesi dhe ndjekësit e saj besojnë në një marrëzi që tejkalon çdo imagjinatë njerëzore: 75 milionë vite më parë, Xenu, diktatori i një konfederate të galaktikës, solli në planetin Tokë miliarda krijesa të gjalla, të ngjashme me njerëzit, përmes një mjeti fluturues gjigand. Të paralizuar e më pas të ruajtur në antifrizë, trupat e tyre u stivosën në krateret e vullkaneve dhe u shkatërruan përmes shpërthimit të bombave me hidrogjen. Shpirtrat e atyre që shpëtuan u zunë, u futën në një kinema gjigante dhe u detyruan të shihnin filma për rreth një muaj, duke implantuar në to ide të këqia, si Katolicizmi. Pas kësaj, këta shpirtra u larguan për t’iu bashkuar trupave që kishin mundur t’u mbijetonin shpërthimeve. Njerëzit e sëmurë prej këtyre shpirtrave mund të diagnostifikohen vetëm me anë të mjeteve të veçantë që masin elektricitetin në lëkurë.
Kjo është me pak fjalë e gjitha. Dhe disa miliona njerëz anë e mbanë kësaj bote në të cilën jetojmë sot e besojnë këtë marrëzi. Shumica prej jush, jam i bindur, mund të pyesin: si është e mundur? Përderisa miliona njerëz e besojnë këtë fabul të mistershme, duhet të ketë arsye që e bëjnë këtë të mundur. Nuk e di nëse ka edhe në Shqipëri njerëz që e besojnë këtë (ndoshta vajza në fjalë u bë viktimë pikërisht e një besimi të tillë), por di që misionarët e kësaj feje nuk qëndruan gjatë në vendin tonë, por u larguan shpejt dhe një kishë e tillë nuk është krijuar në vendin tonë (ajo vepron në Kroaci, në Slloveni dhe në Maqedoninë e Veriut, por jo në vendet e tjerë të rajonit tonë).
Në fakt, “Scientology” nuk është një fe në kuptimin tradicional të fjalës, por një kult i rrezikshëm, që pretendon se është një fe e re dhe vepron si të ishte e tillë. Si çdo kult, “Scientology” është një kult fetar opresiv jo vetëm ndaj kritikëve të tij por, në radhë parë, ndaj vetë të anëtarëve të tij. Ndër mënyrat kryesore me të cilat ky kult ushtron kontrollin e vet shumë të rreptë ndaj anëtarëve të tij janë abuzimi psikologjik dhe emocional me ta, si dhe detyrimi që këta të shkëputen prej njerëzve që nuk bëjnë pjesë në këtë kult.
Nëse një “scientologist” mban lidhje me miq ose me anëtarë të familjes së tij, të cilët janë kritikë ndaj “fesë” së tij, ai urdhërohet që të shkëputet prej tyre dhe të ndërpresë çdo kontakt me ta, në mënyrë që të mos bëhet një “burim i mundshëm i problemesh” për komunitetin e kësaj kishe. Konvertimi në këtë “fe” ose rekrutimi i elementëve të rinj, izolimi i anëtarëve të saj nga ata që mendojnë ndryshe dhe e kundërshtojnë dogmën dhe veprimtarinë e kësaj kishe, si dhe kontrolli i rreptë mbi ta e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë, në mos të pamundur, largimin e anëtarëve të kësaj kishe prej saj (pasi ata janë konvertuar ose rekrutuar në të).
Për rrezikshmërinë që paraqet, në shumë vende “Scientology” është e ndaluar. Në Francë, ajo konsiderohet zyrtarish si një kult, ndërsa në Gjermani konsiderohet si një kërcënim për demokracinë në atë vend. Autoritetet e Hamburgut, madje, në vitet 1992-2010 patën krijuar një komision të posaçëm, të quajtur “Scientology Task Force”, për të monitoruar veprimtaritë dhe publikimet e këtij kulti, për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për të dhe si një mundësi për ata anëtarë të këtij kulti që mund të dëshironin të shkëputeshin prej tij.