Nga Jakin Marena
Publiku shqiptar është përballur këto ditë me dy ngjarje të forta, të cilat kanë lidhje me drejtësinë, trajtimin e saj nga ana e shtetit shqiptar, por që kohët e fundit kanë shkaktuar debat publik!
Bëhet fjalë për kërkesën e shoqatës së gjyqtarëve, të cilët kanë kërkuar rritje astronomike të pagës së tyre mujore! Një kërkesë e tillë ka sjellë reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili e ka cilësuar një përpjekje për t’iu imponuar qeverisë, e cila përcakton buxhetin për pagat, përpjekje kjo përmes vendimeve të gjyqësorit, që për të është e papranueshme!
Për më tepër që kreu i qeverisë shqiptare e ka cilësuar këtë kërkesë si absurde, ndërsa është shprehur se gjyqtarët nuk kanë qënë në lartësinë e ligjit për kryerjen e punës së tyre, aq shumë e ndërlidhur dhe me integrimin e Shqipërisë në BE.
Madje Rama ka pyetur këtë shoqatë, nëse “për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë e kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!”
Kjo ka sjellë një përplasje të fortë, duke përfshirë në debat jo vetëm publikun dhe opozitën, por edhe shoqatën e prokurorëve, të cilët janë vënë në mbështetje të gjyqtarëve që kërkojnë paga astronomike, në kundërshtim me skemën e rrogave në Shqipëri, duke përmbysur tërë piramidën e pagave e duke dalë madje dhe mbi Presidentin e Republikës!
Në perceptimin tonë, gjyqtarët dhe prokurorët janë të mirëpaguar, konform nivelit të pagave në Shqipëri! Madje sistemi i drejtësisë ka dalë dhe mbi sektorë të tillë si shëndetësia, arsimi, policia, këto të fundit për hir të së vërtetës, në vendet e rajonit por dhe në vendet e BE ku po kërkojmë të integrohemi, qëndrojnë në ‘majën’ e piramidës së më të paguarve për shkak të rëndësisë që kanë për jetën e qytetarëve! Sepse janë në shërbim të qytetarëve ‘non stop’ për jetën, ecurinë për të tashmen dhe të ardhmen e tyre!
Ndërkohë që prokurorët e gjykatësit, ndonëse kanë trajtim të jashtëzakonshëm në paga, madje dhe mbi takatin e buxhetit të shtetit në Shqipëri, një sforcim financiar ky për të arritur të bëhet drejtësi në këtë vend, deri më tani ende nuk kemi parë të ketë ndonjë ndryshim madhor në dhënien e drejtësisë!
E themi këtë, pasi mbushja e burgjeve me të paraburgosur të akuzuar për vepra të ndryshme penale, nuk është drejtësi e bërë deri më tani! Janë thjeshtë masa drastike, që më tepër kanë prodhuar lajme e ‘telenovela’ nëpër mediat shqiptare se sa drejtësi, problem ky që ka shqetësuar edhe zyrtarët e lartë të BE-së si dhe Këshillin e Evopës për shkeljen e të drejtave të njeriut të Shqipëri! Ka raporte për këtë, por dhe vendime të Gjykatës së Strasburgut për këto shqetësime!
Duke u rikthyer tek fillimi, pra kërkesa e gjyqtarëve për rritjen e pagave, ajo që mund të themi është se kryeministri Rama ka të drejtë në kundërshtinë e tij. E themi këtë, sepse jo se mungon dëshira për të rritur pagat, çdo qeveri ka dëshirë të rrisë pagat për të gjithë qytetarët e saj, por sepse precedenti i krijuar nga kjo mënyrë rritje pagash është shumë më i rrezikshëm se sa shuma që mund të dalë nga arka e shtetit. Nëse trupa gjyqësore arrin që të vendosë vetë rrogat e veta përmes vendimeve gjyqësore, të cilit nivel gjyqësor qoftë ky vendim, atëherë bie parimi i ndarjes së pushteteve. Drejtësia kalon konturet e pavarësisë, duke u kthyer në një shtet brenda shtetit!
Pra, ndarja e pushteteve pushon së ekzistuari. Sepse arrihet në precedentin tepër të rrezikshëm ku gjykata bëhet njëkohësisht edhe palë dhe arbitër. Kjo asesi nuk mund të quhet dhe as nuk është pavarësi gjyqësori, por është një konflikt i hapur dhe i pastër interesi, që kthehet në sistem apo ‘institucion’. Duke shërbyer më pas si precedent, që do t’i hapte derën kujtdo, që në mënyrë të pavarur mund të godasë pagën në gjykatë dhe të marrë në mënyrë të pavarur një copë vendimi në dorë për ta pasur si bazë për pagën! Ndërsa qeveria, Parlamenti dhe institucionet e tjera që përcaktojnë pagën, ekziston rreziku real që të kthehen në spektatorë apo apendiks të drejtësisë, e cila me vendimet e saj cakton pagat e veta, si një strukturë jashtë orbitës së shtetit!
Praktikisht, në asnjë demokraci sado e thjeshtë qoftë apo funksionale, politika e pagave nuk caktohet nga gjykatat, por caktohet nga parlamenti, sepse parlamenti mban përgjegjësinë për buxhetin. Dhe në fund të herës, kush përpiqet ta anashkalojë këtë rrugë, nuk po mbron drejtësinë, por po minon rendin kushtetues.
Ndërkohë që, në betejën për paga, drejtësia jonë e re rrezikon rëndë që të harrojë një detyrim më të madh, për të cilin është ngritur dhe për të cilin paguhet rëndë madje, atë ndaj Shqipërisë si shtet ligjor. Ka një moment në ecurinë e çdo shteti kur duhet të zgjedhë, nëse institucionet e tij janë shërbëtorë të ligjit apo shoqata të privilegjeve. Ajo që mund të themi është se Shqipëria po i afrohet rrezikshëm këtij momenti të fundëm, që mund të shkatërrojë tërë ngrehinën e besimit të shqiptarëve tek drejtësia e re. Sikurse ndodhi në Rumani e Kroaci!
Nuk po hyjnë më tej në faktin se kush është kupola drejtuese e kësaj shoqate gjyqtarësh, të cilët janë të shquar për goditje vetëm majtas, në spektrin e politikës shqiptare! Pasi kjo shoqatë e gjyqtarëve që janë vënë kundër qeverisë drejtohet nga një grup gjykatësish që në karrierën e tyre të shkurtër, kanë dënuar vetëm drejtues të qeverisë qendrore e lokale aktuale. Në vetëm 5 vitet e fundit, ata kanë dënuar me burg nga Erion Veliaj, te Arben Ahmetaj, Lefter Koka e Vangjush Dako. Ndërsa kanë të pandehur shumë deputetë, ish ministra, zv.kryeministër dhe ministra e kryetarë të bashkie të majte. Ndërsa, i vetmi person të cilit ata i kanë lehtësuar masën, është dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi. Duke përfshirë dhe vetë Sali Berishën brenda, që e nxorën nga arresti shtëpiak, në atë detyrim paraqitje si dhe i zvarrisin me ‘kilometra’ dosjet, nën hetim! Emrat i keni në google, nëse dikush është i interesuar për t’i ditur!
Ndërkohë që një problem tjetër ka nisur të dalë në sipërfaqe, ku në krye të ‘axhendës’ së kërkesave të pjestarëve të drejtësisë së re qëndron kërkesa për shtimin e truprojeve për mbrojtjen e jetës së prokurorëve të posaçëm ose jo dhe familjarëve të tyre! Është një e drejtë që buron nga ligji, por dhe nga puna e tyre, që në parim mendohet se gjendet nën kërcënim!
Kështu disa prokurorëve të SPAK u janë shtuar masat e sigurisë pa asnjë shpjegim publik për arsyet e rrezikut që u kanoset. Pasi duhet një shpjegim konkret, pasi ajo që na duket si shumë problematike është mënyra se si po trajtohet çështja e sigurisë së prokurorëve, pra. rritja e masave të sigurisë për të gjithë ata që hetojnë krimin e organizuar e korrupsionin e lartë, që në pamje të parë është tepër e justifikueshme. Pasi po përballen me elementë të inkriminuar!
Por ka një lëmsh në mënyrë se si po përcillen në publik, kërkesa për rritjen e mbrojtjes, koha dhe momenti kur po kërkohet kjo rritje truprojash dhe pashpjegueshmëria, pse po kërkohet një shtim i tillë drastik i masave të sigurisë!
Po marrim rastin më të fundit! Një nga prokurorët e posaçëm për të cilët është shtuar mbrojtja është edhe Dritan Prençi, i cili trajton çështjen e hetimit ndaj zv.kryeministres, Balluku, një mënyrë reale për të përcjellë perceptimin në publik sikur prokurorët e SPAK po ‘këputen’ rëndë duke hetuar numrin dy të qeverisë, duke formatuar 16 mijë faqe të dosjes ndaj saj dhe mbi të gjitha duke përballuar, sipas tij, ‘presionin’ e zv.kryeministres! Është një shërbim imazhi i pajustifikueshëm për prokurorët tanë, të cilët për hir të së vërtetës s’kanë pasur ankesa konkrete për kërcënime, ndryshe do t’i kishin bërë publike!
Për më tepër që Shqipëria, edhe për shkak të hapjes së të gjithë kapitujve të negociatave me BE për integrimin në Union, edhe për shkak se SPAK quhet ‘pjellë’ e Uashingtonit e Brukselit dhe vetëm paratë paguan qeveria shqiptare për të, pra për të gjitha këto, Shqipëria është një vend që monitorohet deri në detajet më të imta nga partnerët tanë BE dhe SHBA, s’ka pothuajse asnjë shans real që një ministre në detyrë të ketë kërcënuar drejtpërdrejt një prokuror. Jemi vend aspirant për në BE dhe jo vend me demokraci të rrezikuar që të kërcënojë ministri, një prokuror! Nëse është kërcënuar. ta bëjë publike, t’i fusë dhe një akuzë me fakte kuptohet, për kërcënim për shkak të detyrës, dhe ta rëndojë juridikisht autorin e kërcënimit deri në themel!
E themi këtë sepse, kur shtohen masat e sigurisë pa asnjë lloj sqarimi zyrtar, në popull por dhe në qarqet ndërkombëtare krijohet një situatë e rëndë e një mesazh i nënkuptuar, sikur rreziku për këta prokurorë vjen zyrtarisht nga pushteti e shteti, dhe pse kjo deri më tani s’na rezulton të jetë e vërtetë, por ama rrezikon të dëmtojë në këtë mënyrë imazhin e Shqipërisë, në këtë moment negociatash! Pasi, një vend që po punon fort për integrimin në BE por dhe kërkon krijimin e një klime të favorshme për thithjen e investimeve serioze të partnerëve tanë të mëdhenj, nuk mund të paraqitet në publik dhe arenën ndërkombëtare, me probleme të tilla ku prokurorët kanë nevojë për mbrojtje nga politika e zyrtarët e lartë të shtetit. Pra që janë nën kërcënim nga shteti!
Qofshim të gabuar, por përpjekja që në krye të herës nga ana e prokurorëve të SPAK për të paraqitur veten si të ngërthyer në një luftë për jetë a vdekje me qeverinë, tregon se është pjesë e përpjekjes për të krijuar një imazh të rremë e të rrejshëm, se janë nën kërcënimin me jetë të politikës! Duket sikur një kompani mirëfilli imazhi po punon fort në këtë drejtim, për krjimin e këtyre perceptimeve aspak të vërteta, për të prodhuar lajme e mbajtur me këtë ‘ushqim’ mediat e për më tepër publikun e etur për ‘telenovela’ dhe teori konspiracioni!
E themi këtë pasi dhe në momentin e fundëm të prezantimit të kreut të ri të SPAK, më shumë se sa platforma e tij, dihej se Braho do të pasonte Dumanin, bëri lajm nxjerrja nga çanta e shishes personale të ujit, gotës plastike për t’i vënë në tryezë si dhe mënyrës ceremoniale të këtyre veprimeve.E bëri në mënyrë aq ceremoniale e të përpiktë këtë veprim, duke shfrytëzuar audiencën brenda dhe jashtë vendit, kujtojmë se ishin disa ambasadorë prezentë, sa u duk si një veprim ‘protokollar’ tepër i studiuar për bërë “PR’, dhe për të tërhequr vëmendjen që në krye të herës se këta prokurorë punojnë në kushte ekstreme rreziku, aq sa dhe një gotë plastike uji, larg qoftë do t’i helmonte! Dikujt ndoshta iu duk dhe gallatë, por dëmi ishte tmerrësisht serioz!
Ishte një aktrim i gjallë, me e pakta që mund të themi për këtë veprim dhe për veprime të tjera! Pavarësisht se një pjesë e këtyre prokurorëvë, më të shumtit shkojnë nëpër stadiume lirshëm, marrin pjesë në dreka e darka si gjithë të tjerët me miqtë dhe të afërmit e tyre pa prishur terezinë! Madje dhe hanë groshë me terezi nëpër këto lokale periferie me njerëzit e afërt të tyre, pa i parë askush kuptohet se duhet të tregohen trendi në sytë e publikut, pavarësisht se me groshë janë rritur, traditë kjo nga vendet nga vijnë! Dhe mirë bëjnë, madje t’i shtojnë vaktet e konsumuara!
Ndërsa një pjesë e prokurorëve kërkojnë masa të shtuara sigurie kur kanë në dorë dosje të zyrtarëve socialistë, ata prokurorë që janë vënë nën kërcënimet me libër shpie nga ana e Berishës pasi po hetojnë dosjet e tij dhe familjarëve të tij, nuk kanë kërkuar masa të shtuara! Përfshirë këtu dhe Altin Dumani, i cili si kryetar ka qënë ‘shoqërues’ prokurorësh për shumë dosje! Nuk dimë, nëse nuk e konsiderojnë Berishën, e quajnë të parrezikshëm apo është ndonjë element tjetër që nuk ‘frikësohen’ prej tij! Se Berisha ka dhënë prova në fund të herës se është një çikë si i rrezikshëm! Apo i bijmë këtyre socialistëve që janë të butë! Nuk e kemi kuptuar se përse Dumani, pasi iku nga posti i kryetarit të SPAK kërkoi shtim truprojash!
Për më tepër që Shqipëria nuk ka prodhuar mafiozë, pavarësisht se për t’i dhënë forcë lajmit themi se u kap ky apo ai mafioz, kërcënoi ky apo ai mafioz.
Shqipëria ka banda keqbërësish, hajdutësh, trafikantësh, batakçinjsh, që vetëm mburren por janë minorë krahasuar me mafizët ‘institucionalë’ me papion në Itali e gjetkë! Madje këta ‘çerrat’ tanë, nuk kanë as kod nderi, pasi punojnë për të gjitha palët, ngacmoijnë gratë e njëri tjetrit! Këtë e thonë përgjimet e zbardhura nga agjencitë e huaja sëpaku! S’kemi atë lloj mafie që mund të ekzekutojë gjyqtarë, siç ka ndodhur në Itali me ekzekutimin e gjyqtarëve Giovanni Falcone e Paolo Borsellino. Që për hir të së vërtetës ishin gjyqtarë jo prokurorë! Dhe te ne u vra në sallën e gjyqit fatkeqësishtr një prokuror, thjeshtë e vetëm për mungesë sigurie!
Dhe drejtësia në Shqipëri, prokurorë e gjyqtarë nuk janë si ata të anti-mafias italiane, pavarësisht se me këto kërkesat për shtim truprojash, kërkojnë të bëjnë si ata, t’i imitojnë ata, duke ecur rëndë si ata, për të shkuar deri dhe në stadium deri te dera me truproja, çka nëse do të ishin nën kërcënim real do të kishin qënë kërcënim për tifozët e kombëtares sonë apo ekipeve të superligës! Shqiptarët e kanë treguar se vdesin që të duken një çikë si ‘sherifë’, me shumë truproja, veshje luksoze dhe duke imituar homologët e tyre të famshëm! Që nga shtetarët e deri tek këta çerrat e drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë! Një ‘sindomë’ që ka kapur dhe kandidatin për kryeministër në ekzil Pilinçin, i cili si punë të parë në ‘turin’ e tij për t’u bërë kryeministër mori dy makina shoqërime plot me truproja. Për t’u dukur një çikë si shtetar i madh, me shumë rëndësi që i rrezikohet dhe jeta madje! Në një nivel janë shqiptarët, me plus minuset për secilin!
Ne nuk kemi as mafie e mafiozë dhe as drejtësi të niveleve të larta deri më tani, thjeshtë kemi disa karagjozë që duan të duken, dhe përmes truprojave e elementëve të tjerë të rremë! Është e udhës që institucionet përkatëse të vendosin një kornizë me të vërtetë ligjore, për t’i dhënë fund këtyre përpjekjeve që jo vetëm po dëmtojnë drejtësinë, por dhe po na marrin erzin në sytë e aleatëve tanë, SHBA e BE. E mbi të gjitha na dëmtojnë imazhin në rrugën e integrimit në BE!












Shkruaj sa te duash,prradha rrena e mashtrime,imazhin e Shqiperise,e cenon vetem korrupsioni,kokaina e pastrimi i parave.Per te gjitha kto,eshte fajtor vetem palloshi,me hajdutet e tije te pa ngopur.Kane vjedhur parate,e taksa paguesve,e pasurite e shqiptarve e te Shqiperise.
Kur merr fund ndarha e pushteteve merr fund dge demokracia. Zvicrra per probleme qe cenojne publikun i rwfwrohet referendumeve dhe sovrani vendos dhe eshte mbi kushtetyten.Pse Rama nuk ben rwferendum per pagat e drejtesise kur diget qe buxheti pagihet nga populli ?