Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nisi një sulm të ri ndaj Volodymyr Zelensky-t , duke e quajtur rifillimin e sulmeve ukrainase ndaj rafinerive ruse një “turp” dhe duke akuzuar homologun e tij ukrainas se shkaktoi një rritje të çmimeve ndërkombëtare të naftës.
Në një intervistë, Trump pohoi se është më e vështirë të punosh me Zelensky-n sesa me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa vuri në dyshim qëllimin e vërtetë të Kievit për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Komentet e presidentit amerikan erdhën pas sulmit me dron të Ukrainës në një rafineri në rajonin Ryazan të Rusisë, sulmi i parë në një strukturë energjetike ruse që kur Trump njoftoi të dielën se Moska dhe Kievi kishin rënë dakord për një armëpushim energjetik.
I pyetur për rifillimin e sulmeve, Trump shprehu pakënaqësi të fortë, duke i lidhur sulmet ukrainase me rritjen e çmimeve të karburantit.
“Është për të ardhur keq! Ka kaq shumë objektiva të tjerë”, tha ai, përpara se të fajësonte Zelenskyn për ndikimin e sulmeve në tregun global të energjisë.
“E tëra çfarë bën është të rrisë çmimet e naftës në mbarë botën. Zelensky nuk dëshiron vërtet një marrëveshje”, tha presidenti amerikan.
Trump nuk u kufizua vetëm në kritikimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike ruse, por gjithashtu vuri në dyshim gatishmërinë e presidentit ukrainas për të bërë një marrëveshje me Moskën.
“Është më e vështirë të punosh me Zelenskyn sesa me Putinin”, argumentoi ai, duke shtuar se presidenti ukrainas “nuk dëshiron të bëjë një marrëveshje. Ai thotë se po, por në realitet nuk po e bënë”.
Këto deklarata intensifikojnë përballjen publike midis Uashingtonit dhe Kievit në lidhje me vazhdimin e sulmeve ukrainase ndaj objektivave energjetike ruse, si dhe kushtet për arritjen e një marrëveshjeje.
Presidenti ukrainas e bëri të qartë se Kievi nuk ka ndërmend të vazhdojë pezullimin e operacioneve kundër objekteve ruse të energjisë, ndërsa i bëri një apel të drejtpërdrejtë homologut të tij amerikan që të mos mbajë anën e “agresorit”, duke iu referuar Rusisë.
Rifillimi i sulmeve ukrainase dhe reagimi i Trump nxjerrin në pah mosmarrëveshjen midis dy palëve në lidhje me këshillueshmërinë e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, ndërsa çështja e arritjes së një marrëveshjeje për luftën mbetet e hapur.
The post Trump sulmon Zelensky-n për sulmet ndaj rafinerive ruse: Turp, është më e vështirë të bashkëpunosh me të sesa me Putinin appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë

