Tri shtete kanë vendosur të dërgojnë qindra anëtarë të Gardës Kombëtare në Uashington si pjesë e përpjekjes së administratës Trump për të riorganizuar policinë: Karolina e Jugut, Ohaio dhe Virxhinia Perëndimore.
Virxhinia Perëndimore do të dërgojë 300 deri në 400 trupa të Gardës Kombëtare në Uashington, me kërkesë të administratës Trump, njoftoi të shtunën guvernatori i këtij shtetit.
Zyra e guvernatorit të Virxhinias Perëndimore, Patrick Morrisey, deklaroi se ky dislokim është “një shenjë angazhimi për sigurinë publike dhe bashkëpunimin rajonal”, dhe se shteti do të sigurojë pajisje dhe “rreth 300-400 personel të kualifikuar, sipas udhëzimit”.
Ky zhvillim vjen pas urdhrit të Donald Trump për të dislokuar qindra trupa të Gardës Kombëtare të Uashington DC-së për të demonstruar forcën dhe përkohësisht për të marrë nën kontroll departamentin e policisë së qytetit, me synimin për të frenuar atë që presidenti e përshkruan si një emergjencë të lidhur me krimin dhe mungesën e strehimit në kryeqytetin amerikan.
Megjithatë, sipas të dhënave të mbledhura nga departamenti i policisë së Uashingtonit, krimet e dhunshme ishin në nivelin më të ulët të 30 viteve të fundit kur Trump u rikthye në detyrë në janar, dhe kanë rënë edhe 26% më shumë që atëherë.

Siç shkruan “The Guardian”, fundjavën e kaluar, fundjavën e kaluar, Trump urdhëroi banorët e pastrehë të distriktit të largoheshin, ose të përballeshin me zhvendosje të detyruar, pasi autokolona e tij kaloi pranë një grushti njerëzish të pa strehë gjatë rrugës për në fushën e tij të golfit jashtë qytetit.
Të enjten, zyrtarët lokalë larguan një nga kampet buzë rrugës për të cilat Trump ishte ankuar, duke argumentuar se ata mund ta bënin këtë në një mënyrë më humane sesa forcat federale të patrajnuara.
Një urdhër nga Departamenti i Drejtësisë për të zëvendësuar shefen e policisë së Uashingtonit, Pamela Smith, me kreun e DEA-s, Terry Cole, si “komisioner emergjent i policisë”, hasi në kundërshtime pas një padie në një gjykatë federale nga prokurori i përgjithshëm i Uashingtonit, Brian Schwalb.
Pa dhënë një vendim përfundimtar, gjykatësja federale Ana Reyes sinjalizoi se Smith duhet të mbetet në detyrë.
Megjithatë, përpjekjet për të rritur kontrollin federal mbi qytetin rifilluan të shtunën me urdhrin për dislokimin e Gardës Kombëtare të Virxhinias Perëndimore.
Zëdhënësi i guvernatorit Morrisey, Drew Galang, deklaroi se Garda Kombëtare mori urdhrin për të dërguar pajisje dhe personel në Uashington DC vonë të premten dhe po punon për organizimin e dislokimit.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha agjencisë Reuters të shtunën se po thirreshin më shumë trupa të Gardës Kombëtare në Uashington për të “mbrojtur asetet federale, të krijojnë një ambient të sigurt për forcat e rendit dhe të sigurojnë një prani të dukshme për të penguar krimin”.
Që nga ardhja në Uashington javën e kaluar, rreth 800 trupa të Gardës Kombëtare nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Trump-it kanë qenë të pranishëm në zonat publike, duke kryer detyra administrative, logjistike dhe pastrimi zonash, sipas “Wall Street Journal“.
Zyrtarë të mbrojtjes deklaruan se trupat nuk do të mbajnë armë, por “armët janë të disponueshme nëse nevojiten dhe do të qëndrojnë në arsenal”, njoftoi ushtria amerikane në një deklaratë.
Një zyrtar amerikan i tha Reuters se një urdhër zyrtar për t’i autorizuar trupat të mbajnë armë do të jepet, por kjo do të ndikojë kryesisht te policët ushtarakë me armë zjarri.
Shtëpia e Bardhë deklaroi gjithashtu se trupat e Gardës Kombëtare po patrullojnë në këmbë dhe me automjete rreth “National Mall” dhe “Union Station“, dhe aktualisht nuk po bëjnë arrestime.
Trump ka sinjalizuar se mund të marrë veprime të ngjashme në qytete të tjera të kontrolluara nga Demokratët. Një gjykatës federal në San Francisko pritet të japë një vendim javët në vijim për të përcaktuar nëse Trump e ka shkelur ligjin duke dislokuar Gardën Kombëtare në Los Angeles në qershor, pa miratimin e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom.
Në mënyrë tipike, Garda Kombëtare dërgohet vetëm kur e kërkon një guvernator shteti, megjithatë, Garda Kombëtare e Uashingtonit i përgjigjet direkt presidentit.











