Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shprehur “shumë i kënaqur” me ecurinë e operacionit ushtarak amerikan në Iran, duke theksuar se gjithçka ka qenë e planifikuar me kujdes. Në disa intervista për media amerikane si Fox News, CNN dhe New York Post, ai deklaroi se sulmet kanë qenë një sukses i jashtëzakonshëm.
Sipas Trump, gjatë operacionit janë eliminuar 49 liderë të lartë iranianë, të cilët, sipas tij, po zhvillonin një takim në mëngjes kur ndodhi sulmi. Ai u shpreh se udhëheqësit iranianë “nuk mendonin se SHBA do të sulmonte në mëngjes”, pasi zakonisht, sipas tij, faktorë si era dhe drita e diellit, e bëjnë një sulm të tillë më pak të zakonshëm në atë orar.
Presidenti amerikan theksoi se inteligjenca amerikane kishte informacion të detajuar mbi lëvizjet dhe planet e zyrtarëve iranianë. “Ishte e pabesueshme sa shumë dinim”, deklaroi ai, duke nënvizuar se operacioni kishte qenë i përgatitur prej kohësh.
Në një intervistë për CNN, Trump tha se pas eliminimit të dhjetëra figurave kyçe të regjimit iranian, nuk dihet më kush do e udhëheq vendin. Ai shtoi se situata në Iran është bërë e paqartë, pasi disa prej personave të vrarë konsideroheshin edhe si kandidatë të mundshëm për poste të larta drejtuese.
Ndërkohë, Trump nuk përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në terren. Në deklaratën e tij për New York Post, ai u shpreh: “Nuk them si çdo president tjetër se nuk do të ketë ushtarë në terren. Them se ndoshta nuk kemi nevojë, por do të ketë nëse janë të nevojshëm”. Ai shtoi se operacioni, i quajtur “Furia epike”, është shumë përpara afateve të parashikuara.
Deklaratat e presidentit amerikan pritet të rrisin më tej tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në rajon.











