Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara ndodhen përballë një zgjedhjeje vendimtare lidhur me Iranin: arritjen e një marrëveshjeje diplomatike ose përfundimin e konfliktit përmes forcës ushtarake.
Në një intervistë për televizionin amerikan Fox News, Trump ka përsëritur se Uashingtoni duhet të vendosë nëse do të vijojë përpjekjet për një marrëveshje me Teheranin apo do të ndërmarrë veprime ushtarake për t’i dhënë fund përballjes.
“Duhet të arrij një marrëveshje apo duhet t’i jap fund atyre? Kjo është e vetmja pyetje”, është shprehur presidenti amerikan.
Trump ka folur gjithashtu për situatën në Ngushticën e Hormuzit, një korridor strategjik për transportin ndërkombëtar të naftës, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kanë kontroll të plotë mbi zhvillimet në këtë zonë.
“Ne marrim gjithçka, ata nuk marrin asgjë”, ka deklaruar ai, duke nënvizuar atë që e konsideron epërsi amerikane në përballjen me Iranin.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një klimë të tensionuar mes Uashingtonit dhe Teheranit, ku përpjekjet për një zgjidhje diplomatike mbeten përballë kërcënimeve për përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak.
Zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit kanë rëndësi të veçantë për tregjet ndërkombëtare të energjisë, për shkak të rolit të saj në transportin e naftës. Çdo përshkallëzim i konfliktit mund të ketë pasoja për sigurinë rajonale dhe furnizimin global me energji.
The post Trump: Marrëveshje me Iranin ose shkatërrim ushtarak appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë








