Presidenti amerikan Donald Trump, i shoqëruar nga Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, në një deklaratë për mediat ku foli për operacionin ushtarak të kryer në Venezuelë dhe për të ardhmen e vendit pas kapjes së Nicolas Maduros.
Trump u shpreh se Maduro do të mbajë përgjegjësi për veprat e tij dhe do të ndëshkohet si kreu i një karteli të rrezikshëm droge.
“Diktatori dhe krimineli Maduro do të mbahet përgjegjës dhe do të ndëshkohet. Ai dhe gruaja e tij tani janë në një anije që përfundimisht do të përfundojë në Nju Jork. Bandat që Maduro ka financuar për vite me radhë kanë mbjellë terror dhe vdekje në Shtetet e Bashkuara. Maduro nuk do të jetë më kurrë në gjendje të kërcënojë jetën e qytetarëve amerikanë,” tha Trump.
Presidenti amerikan theksoi se Shtetet e Bashkuara do të drejtojnë zhvillimet në Venezuelë deri në një tranzicion të qetë dhe demokratik.
“Ne do të drejtojmë zhvillimet në Venezuelë derisa të ketë një tranzicion të qetë. Nuk do të rrezikojmë asgjë. Ne duam paqe dhe drejtësi për qytetarët e vendit dhe duam që ata të kthehen lirisht në vendin e tyre. Nuk do të lejojmë askënd të shfrytëzojë boshllëkun e Maduros,” u shpreh ai.
Trump njoftoi gjithashtu se kompanitë amerikane të naftës do të rikthehen menjëherë në Venezuelë me miliarda dollarë investime, duke e cilësuar këtë si një partneritet të ri SHBA–Venezuelë që do ta bëjë popullin venezuelian “të pasur, të pavarur dhe të sigurt”.
“Venezuelianët që jetojnë në SHBA do të jenë jashtëzakonisht të lumtur. Ata nuk do të vuajnë më,” shtoi ai.
Duke e quajtur Maduron një “diktator të paligjshëm”, Trump e akuzoi atë si përgjegjës për sjelljen e “sasive kolosale të drogave vdekjeprurëse” në SHBA dhe si udhëheqës të kartelit Cartel de los Soles, akuza të cilat Maduro i ka mohuar më herët.
Në përfundim, Trump deklaroi se “vuajtjet nën diktaturën e Maduros kanë mbaruar” dhe se Venezuelianët tashmë janë të pavarur dhe të lumtur, duke e cilësuar operacionin ushtarak si një hap vendimtar drejt një epoke të re për vendin e Amerikës Latine.











