Përmbledhja ekzekutive e raportit të komisionit hetimor të Dhomës së Përfaqësuesve për sulmin e 6 janarit 2020 dokumenton se si presidenti i atëhershëm Donald Trump u paralajmërua në mënyrë të përsëritur nga njerëzit më të afërt të tij, anëtarët e kabinetit, zyrtarët e fushatës dhe madje edhe anëtarët e familjes, se pretendimet se ai kishte humbur zgjedhjet për shkak të mashtrimeve ishin të rreme. Por zoti Trump i përhapi ato pretendime gjithsesi.
Gënjeshtrat e ish presidentit Trump për humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 nxitën sulmin mbi Kongresin amerikan më 6 janar. Ato gjithashtu kanë ndihmuar në mbledhjen e donacioneve prej miliona dollarëve për ish-presidentin republikan.
Në vijim janë detajet që tregojnë se atij iu tha e vërteta për humbjen dhe në vend të kësaj zgjodhi të gënjejë për këtë çështje.
PLANIFIKIMI I GËNJESHTRËS PARA KOHËS
Komisioni i 6 janarit e ka bërë të qartë se zoti Trump kishte planifikuar prej kohësh të shpallte fitoren, pavarësisht nëse fitonte, apo jo. Aleatët e tij mburreshin sesi mund të përpiqeshin të mashtronin publikun që të dukej se ai kishte fituar rizgjedhjen. Komisioni citon korrespondencën e Tom Fittonit, nga grupi konservator “Judicial Watch”, me Shtëpinë e Bardhë në tetor 2020, në të cilën ai i kërkon zotit Trump të thotë pas mbylljes së votimeve: “Ne i zhvilluam zgjedhjet. Unë fitova”.
Komisioni siguroi gjithashtu një video regjistrim të këshilltarit të zotit Trump, Steve Bannon, i cili, një javë para zgjedhjeve, u tha bashkëpunëtorëve se “ajo që do të bëjë Trumpi është të shpallë fitoren. Ai do të shpallë fitoren. Por kjo nuk do të thotë se ai është fitues. Ai thjesht do të thotë se është fitues”.
Zoti Trump me muaj të tërë kishte folur kundër votimit me postë, i cili u rrit në popullaritet gjatë pandemisë “COVID-19”. Presidenti i atëhershëm gjithashtu këmbënguli se e vetmja mënyrë se si ai do të humbiste zgjedhjet do të ishte mashtrimi masiv i votuesve.
Zoti Trump shpalli fitoren një ditë pas zgjedhjeve, herët në mëngjes, duke shfrytëzuar faktin që në atë moment ai udhëhiqte me vota, pasi fillimisht ishin numëruar votat që ishin hedhur në qendra votimi dhe ende nuk ishin numëruar ato të dërguara me postë.
Ai kërkoi që zyrtarët lokalë të zgjedhjeve të ndalonin numërimin e fletëve të votimit të mbetura, të cilat favorizonin demokratët.
“Vendimi i Presidentit Trump për të shpallur fitoren në mënyrë të rreme natën e zgjedhjeve dhe, në mënyrë të paligjshme, të kërkonte ndalimin e numërimit të votave, nuk ishte një vendim spontan”, thotë komisioni që hetoi sulmin e 6 janarit 2020 në përmbledhjen ekzekutive të raportit të tij. “Vendimi ishte i paramenduar”.
GENJESHTRAT PËR PAJISJET ELEKTRONIKE TË VOTIMIT
Më 7 nëntor, kur votat e mbetura që favorizonin demokratët përfunduan së numëruari dhe shumica e medias shpalli fitoren e Joe Bidenit, vetë fushata e zotit Trump e dinte se ai kishte humbur.
“Grupi që shkoi tek qendra elektorale e zotit Trump, u përcolli vlerësimin tim se shanset që ai të fitonte pas ndonjë numërimi, ishin vetëm 5 deri 10 për qind”, dëshmoi menaxheri i fushatës së tij, Bill Stepien, përpara komisionit, duke shtuar se vetë zoti Trump e besoi atë, “Ai ishte mjaft realist me këndvështrimin tonë”.
Megjithatë, ish presidenti Trump vazhdoi të këmbëngulte se kishte fituar.
Ekipi i tij ligjor u zëvendësua nga ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudolph Giuliani dhe avokatja tjetër, Sidney Powell, të cilët filluan të hidhnin akuza për mashtrim. Deklaratat e tyre tmerruan avokatët e Shtëpisë së Bardhë, të cilët e paralajmëruan zotin Trump, se ato ishin të rreme.
Presidenti u kap pas një rasti në një qark rural, konservator në Miçigan, ku makinat e votimit fillimisht e kishin llogaritur gabim, si më të vogël diferencën e tij si fitues në atë zonë. Shkaku për këtë më pas doli se kishte një gabim njerëzor, jo i aparaturave. Kur fletët e votimit u numëruan dhe kaluan përsëri përmes aparaturës, shifrat dolën të sakta.
Ish presidenti Trump e dinte këtë, thuhet në raportin e Komisionit të 6 janarit, sepse Prokurori i Përgjithshëm William Barr ia tha këtë më 1 dhjetor 2020. Zoti Barr dëshmoi se ai e vuri në dijeni presidentin se numri i fletëvotimeve përputhej me rezultatet përfundimtare.
Megjithatë, të nesërmen, zoti Trump tha gjatë një fjalimi: “Në një qark të Miçiganit, që përdori pajisjet elektronike “Dominion”, u zbulua se gati 6,000 vota ishin ndërruar gabimisht nga pro Trump në pro Biden, dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut”.
William Barr dhe të tjerët në administratë vazhduan t’i thoshin zotit Trump se nuk kishte asgjë të dyshimtë në Michigan dhe as me kompaninë e pajisjeve elektronike të votimit Dominion. Zoti Barr dhe zv/Prokurori i Përgjithshëm Jeffrey Rosen i thanë ish presidentit se nuk kishte probleme të dukshme dhe madje edhe këshilltari i zotit Trump për sigurinë kombëtare, Robert O’Brien, e hodhi poshtë një teori konspirative rreth lidhjes së kompanisë Dominion me qeveritë e huaja armiqësore. Por, vazhdon më tej raporti i Komisionit të Kongresit, mes nëntorit 2020 dhe 6 janarit 2021, zoti Trump shkroi në Twitter mbi 30 herë për makinat e votimit të firmës Dominion.
GËNJESHTRAT PËR VOTUES TË VDEKUR
Zoti Trump nxiti edhe teori të tjera konspirative, pavarësisht se iu tha se ishin të rreme. Ai pretendoi se më shumë se 5,000 njerëz të vdekur votuan në Xhorxhia, një shtet të cilin e humbi me më shumë se 11,000 vota. Por, Sekretari i Shtetit të Xhorxhias, republikani, Brad Raffensperger, e korrigjoi atë gjatë një telefonate të 2 janarit, duke thënë se zyrtarët vendorë të zgjedhjeve e kishin hulumtuar këtë çështje.
“Numri i vërtetë ishte dy”, i tha zoti Raffensperger presidentit. “Dy persona të vdekur figuruan si votues. Pra, kjo është e gabuar.”
Katër ditë më vonë, gjatë fjalimit në tubimin e 6 janarit përpara se mbështetësit e tij të sulmonin Kapitolin, zoti Trump deklaroi: “Mbi 10,300 vota në Xhorxhia u hodhën nga individë, emrat dhe datat e lindjes të së cilëve përputhen me banorët e atij shteti që vdiqën në vitin 2020 dhe para zgjedhjeve.”
Zoti Trump nxori më shumë shifra të pavërteta megjithësi i ishte thënë se ishin të rreme.
“Presidenti vazhdoi të këmbëngulte se kishte ‘më shumë vota se votues’ ”, dëshmoi Richard Donoghue gjatë bisedës me komisionin e Kongresit lidhur me një bisedë që kishte patur me zotin Trump më 27 dhjetorit 2020. Në atë kohë zoti Donoghue ishte zëvendësprokurori i përgjithshëm në detyrë. Ai tregoi se i tha presidentit se po krahasonte regjistrin e votuesve të vitit 2016 me numrat e votimeve të vitit 2020, gjë që ishte e pasaktë, sepse më 2020, kur presidenti kërkonte mandatin e dytë, ishin regjistruar më shumë njerëz për të votuar. Ai më vonë e paralajmëroi presidentin në mënyrë të veçantë kundër përdorimit të një numri të rremë për shtetin e Pensilvanisë.
Por më 6 janar, ish presidenti Trump deklaroi: “Në Pensilvani, kishte 205,000 vota më shumë sesa kishte votues”.
SULME TË RREME NDAJ PUNONJËSVE TË ZGJEDHJEVE
Zoti Trump gjithashtu pretendoi në mënyrë të pabazë se punonjësit e zgjedhjeve po kryenin mashtrime, pavarësisht se zyrtarët e tij të zbatimit të ligjit i kishin thënë se këta punonjës nuk po bënin asgjë të keqe. Zoti Rosen dëshmoi në komisioni për një bisedë të 15 dhjetorit, në të cilën zoti Trump pyeti për një video që supozohej se tregonte punonjësit e zgjedhjeve në Xhorxhia duke marrë një valixhe me fletë votimi.
“Ne i thamë, ‘nuk ishte valixhe. Ishte një kosh. Kjo është ajo që ata përdorin kur numërojnë fletët e votimit’”, kujton zoti Rosen.
Një javë më vonë, thuhet në raport, zoti Trump deklaroi: “Ekzistojnë madje edhe video të regjistruara nga kamerat e sigurisë në Xhorxhia që tregojnë zyrtarët duke u thënë vëzhguesve të zgjedhjeve të largohen nga dhoma përpara se të nxirnin valixhet me fletë votimi nga poshtë tavolinave dhe të vazhdonin numërimin për orë të tëra”.
Zoti Trump u ankua për këtë gjatë telefonatës së 2 janarit me Sekretarin e Shtetit të Xhorxhias, Raffensperger.
“Unë mendoj se është jashtëzakonisht për të ardhur keq që Rudy Giuliani, ose njerëzit e tij, e kanë prerë videon duke e nxjerrë jashtë kontekstit”, i tha zotit Trump, Sekretari i Shtetit Raffensperger.
Zoti Raffensperger ofroi t’i dërgonte ish presidentit linkun e një video nga një stacion televiziv lokal që hidhte poshtë gënjeshtrat. “Unë nuk kam nevojë për linkun”, u përgjigj zoti Trump.
Të nesërmen, zoti Turmp u ankua se zoti Raffensperger nuk ishte i gatshëm, ose në gjendje t’u përgjigjur pyetjeve të tilla si mashtrimi i ‘fletëve të votimit nën tavolinë’, shkatërrimi i fletëvotimeve, ‘votuesit’ jashtë shtetit, votuesit e vdekur dhe më shumë. Ai nuk ia ka idenë!”, u shpreh zoti Trump. /VOA