Ish-ministri i Financave, Rivdan Bode, presidenti aktual i Skënderbeut, Ardjan Takaj, dhe ish-presidenti Agim Zeqo pritet të pyeten nga prokuroria mbi dyshimet për paracaktim të rezultateve në garat sportive.
Ministria e Drejtësisë ka çuar në prokurori raportin e UEFA-s, ku thuhet se në gjashtë vitet e fundit klubi korçar Skënderbeu ka manipuluar mbi 50 ndeshje, 41 prej të cilave në Shqipëri.
Në këtë raport përmendej edhe emri i ish-ministrit të Financave, Rivdan Bode, i cili së bashku me presidentin aktual Ardjan Takaj dhe ish-presidentin Agim Zeqo, janë personat kryesorë të klubit të lidhur me bastet.
Në dokumentin prej 31 faqesh shkruhej se integriteti i ish-ministrit Bode vihej në pikëpyetje pas privatizimit të Lotarisë Kombëtare dhe hetimit për fshehje të borxhit kombëtar.
Më tej theksohej se Ardjan Takaj, me një të shkuar të pastër, është qendra e komplotit dhe se ai ka pasur lidhje direkte dhe indirekte me kompanitë e basteve në vend.
BW/d.i.