Shpërthimet me lëndë eksplozive janë rikthyer në vend. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në një pikë karburanti në Fushë Krujë është vendosur një sasi eksplozivi dhe si pasojë e shpërthimit është shkatërruar i tërë objekti, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Mësohet se me të ndodhur shpërthimi, Policia e Durrësit dhe zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje duke nisur hetimet dhe duke normalizuar situatën.
Sipas informacioneve të para, policia ka zbuluar se shpërthimi u shkaktua nga një sasi prej 200 gramësh eksploziv. Sipas burimeve nga blutë e Fushë-Krujës mësohet se pika e furnizimit ishte në pronësi të shtetasit Zyhdi Çela. Po ashtu veç objektit janë dëmtuar dhe disa automjete që ishin aty pranë. Policia sqaron se një nga pistat kryesore të hetimit është hakmarrja, pasi djali i 60-vjeçarit Çela ësht drejtor i OSHE-së në qytet.