Nga Baton Haxhiu
Sali Berisha nuk i pranon kurrë zgjedhjet. Por sa herë i refuzon, përdor gjithmonë të njëjtin fjalor: “u vodhën”, “u manipuluan”, “u blenë”. Tri fjalë të thjeshta që në mendjen e një opozitari bëjnë punën e një aktakuze. Janë shprehje emocionale të një ndjenje padrejtësie. Por nëse e gërmon me kujdes secilën, kupton se ato nuk shpjegojnë asgjë. Nuk dallojnë metodën, as nivelin e shkeljes, as institucionin që ka dështuar.
Në krahun tjetër, Partia Socialiste i pranon zgjedhjet por ka vite që justifikon çdo rezultat të diskutueshëm me një tjetër togfjalësh: “hapje kutish”, “ndërhyrje e bandave”.
Në zgjedhjet lokale të Dibrës, në zgjedhjet në Shijak, në Vorë e në Elbasan, fjala “bandë” ka zëvendësuar të gjithë analizën që në një shtet normal do të duhej ta bënte KQZ, SPAK-u, ose ndonjë gjykatë administrative. Fjalët kanë zëvendësuar institucionet.
Në këtë duel fjalësh që përsëritet, Shqipëria është zhytur në një varfëri të rrezikshme të gjuhës publike. Kemi ngelur me tre fjalë për të përshkruar dhjetëra forma të ndryshme shkeljesh. Dhe ky është një problem më i thellë sesa duket.
Fjalët e pakta nuk mbulojnë dot fenomenet e mëdha
Në një vend ku listat e votuesve shpërndahen derë më derë nga militantët dhe quhen “patronazh”, në një vend ku njerëzit votojnë për prindërit apo bashkëshortët dhe kjo shihet si “traditë”, në një vend ku paratë futen në fushatë pa asnjë deklarim dhe ky quhet “aktivizim i strukturave”, përdorimi i fjalëve të sakta është thelbësor.
Por në Shqipëri, në vend që të kemi një gjuhë të qartë që dallon midis shkeljes dhe krimit, midis devijimit etik dhe abuzimit me pushtetin, ne kemi mbetur me një fjalor që gjykon por nuk ndriçon. Termat “vjedhje”, “korrupsion” dhe “manipulim” janë bërë njësoj si për një votë të mbushur në kuti, për një kërcënim në lagje, për një shantazh në administratë apo për një mungesë informacioni nga KQZ. Të gjitha përfshihen brenda një termi, dhe në këtë mënyrë askush nuk mban përgjegjësi për asgjë konkrete.
Si e kanë zgjidhur vendet e tjera këtë boshllëk?
Demokracitë e konsoliduara kanë ndërtuar ndër vite një fjalor të drejtë dhe preciz për të përshkruar të gjitha ndërlikimet e zgjedhjeve. Ato nuk mjaftohen me thënien “zgjedhjet u manipuluan”. Ato pyesin: si? kush? me çfarë instrumenti? në çfarë momenti të procesit?
Në disa vende përdoren terma që dallojnë ndarjet më të vogla të shkeljes: ndikimi i papërshtatshëm ndaj votuesit në familje. Mbledhja dhe përdorimi pa leje i të dhënave personale për qëllime zgjedhore. Detyrimi moral apo ekonomik për të votuar një subjekt.
Financimi informal nga burime të lidhura me interesa të ndaluara. Mungesa e raportimit të donacioneve. Dështimi për të siguruar distancë mes administratës dhe fushatës. Të gjitha këto janë përkufizime që nuk përfundojnë në “vjedhje” por në terma të dallueshëm që ndihmojnë hetimin dhe ndëshkimin.
Në disa vende madje edhe një fjalë si “presion” ndahet në presion administrativ, psikologjik, kulturor, medial apo fizik. Kjo ndarje krijon mundësi për masa parandaluese specifike, jo vetëm për ndëshkime pas faktit.
Pse në Shqipëri nuk ndodh kjo?
Sepse gjuha nuk është zhvilluar bashkë me shtetin. Ligjet nuk janë ndërtuar për të dalluar, por për të mbuluar. Mediat kanë zgjedhur ta përforcojnë emocionin dhe jo analizën. Dhe drejtësia, e paaftë të kategorizojë shkeljet, i ka ndëshkuar në mënyrë ose të përgjithshme ose selektive.
Në këtë realitet, politika është ndihmuar. Duke e mbajtur gjuhën të varfër, i ka mbajtur edhe pasojat të mjegullta. Kur gjithçka quhet njësoj, atëherë asgjë nuk mund të gjykohet me seriozitet. Dhe në këtë mënyrë, edhe zgjedhjet e ardhshme, qysh tani janë të parapërcaktuara në gjuhë: do jenë të “vjedhura” sipas njërit dhe të “sulmuara nga bandat” sipas tjetrit. Por nuk do dimë kurrë saktësisht se çfarë ka ndodhur.
Si të ndryshojmë këtë logjikë?
Së pari: të ndërtojmë një fjalor institucional për zgjedhjet. KQZ, Avokati i Popullit, Prokuroria, organizatat joqeveritare, duhet të zhvillojnë dhe shpërndajnë një sistem përkufizimesh për të gjitha format e ndikimit, shkeljes, manipulimit dhe mosfunksionimit zgjedhor. Këto përkufizime duhet të futen në ligj, në debat, në media.
Së dyti: të ndihmojmë gazetarinë që të mos i përgjithësojë fenomenet. Çdo raportim për zgjedhje duhet të tregojë formën e shkeljes, mjetin dhe qëllimin e saj, dhe jo thjesht të përsërisë “u vodhën”.
Së treti: të ndihmojmë qytetarin të kuptojë se demokracia nuk prishet vetëm nga kutia e votimit, por nga gjithë rrjeti i ndikimeve që e paraprin dhe e pason. Nëse nuk kemi fjalë për t’i përshkruar këto ndikime, nuk do kemi as mjete për t’i ndalur.
Në fund, një shoqëri që nuk përpunon dot gjuhën, nuk përpunon dot as drejtësinë. Dhe një shtet që nuk dallon midis një abuzimi të heshtur dhe një krimi të organizuar, mbetet peng i tre fjalëve që nuk ndryshojnë kurrë. Në këtë terr verbal, zgjedhjet nuk janë më një garë, por një përsëritje e ritualit të humbjes së përbashkët.
Edhe më shqetësuese është se ky boshllëk gjuhësor nuk ndodh vetëm në debate politike apo në ekrane televizive. Ai është i ngulitur edhe në vetë sistemin juridik. Kodi Penal shqiptar, i mbushur me nene të përkthyera nga modele të huaja por jashtë kontekstit, nuk arrin të kapë realitetin vendas. Në vend që të ndajë qartë format e ndikimit, të ndërhyrjes, të abuzimit apo të financimit të paligjshëm, ai përmbledh gjithçka në dy fjalë: “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre”.
Në vendet ku ligji ndërtohet për të ndarë dhe saktësuar, këto terma ndahen në dhjetëra kategori të qarta. Tek ne, çdo gjë ngjeshet në një formulim të paqartë që më shumë mjegullon sesa ndriçon. Lobimi cilësohet korrupsion. Përfitimi i paautorizuar quhet shpërdorim. Edhe një vendim pa konflikt interesi, por me mungesë transparence, mund të përfundojë në të njëjtin nen si një ryshfet i drejtpërdrejtë. Dhe e kundërta: një shkelje e rëndë, nëse nuk futet dot në një nga këto dy fjalë, shpesh mbetet pa emër dhe pa ndëshkim.
Sepse kur ligji nuk emërton, drejtësia nuk funksionon. Dhe kur as drejtësia nuk flet dot saktë, atëherë zgjedhjet nuk janë as të lira, as të vjedhura. Janë thjesht të pakuptueshme. Dhe kjo është humbja më e madhe.











