Të paktën 22 persona kanë vdekur dhe mbi 50 të tjerë janë lënduar si pasojë e daljes së një treni nga shinat në jug të Pakistanit të dielën, njoftuan zyrtarët pakistanezë.
Younis Chandio, zyrtar i lartë policor, tha për mediat lokale më 6 gusht se operacionet e shpëtimit kanë nisur për t’i nxjerrë njerëzit nga vagonët.
Ai tha se 10 vagonë të trenit dolën nga shinat. Ministri Khawaja Saad Rafique, tha se “ky është një aksident shumë i madh. Ekipet e shpëtimit kanë mbërritur në vendngjarje”.
Treni doli nga binarët afër stacionit hekurudhor Sahara në qytetin Nawabshah, në jug të provincës Sindh. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale i shfaqin dhjetëra njerëz në vendngjarje, disa prej të cilëve duke i thyer dritaret për t’i ndihmuar udhëtarët të dalin nga vagonët e rrokullisur.