Gazmend Dervishi, Dritan Nikolli dhe Bruno Shehu janë tre personat që policia ka vënë sot në pranga pasi kishin planifikuar të kryenin një atentat për të ekzekutuar një person në fshatin Manëz të Durrësit.
Por ndaj kujt kishin planifikuar atentat ata?
Panorama thotë se në fshatin Manëz janë dy fise të cilat kanë një konflikt të hapur me njëri-tjetrin prej vitesh.
Njëri prej këtyre fiseve dyshohet të ketë thirrur, porositur dhe paguar vrasjen e një personi të fisit tjetër me të cilin kanë konflikt.
Por Policia zyrtarisht thotë: “Në thelb është një konflikt midis dy grupeve kriminale për prishje të pazareve në fushën e lëndëve narkotike dhe lidhet më një tentative vrasje midis tyre”.
Sot tre personat e paguar, kishin vendosur të kryenin krimin, dhe policia i ka kapur në flagrancë, teksa këta po qëndronin në gatishmëri.
Mësohet se në momentin e arrestimit, këtyre personave iu janë gjetur një armë automatike dhe 30 fishekë, 2 maska, 3 doreza dhe dy bidona me benzinë.
Kur kanë pikasur praninë e policisë, ata kanë braktisur automjetin dhe kanë vrapur më këmbë e janë futur në tokat bujqësore në Manëz.
Policia i ka arrestuar në një terren shumë të vështirë pasi kanë tentuar të futen në pyll.
Ata po mbaheshin prej një jave nën vëzhgim nga policia e cila kishte marrë informacione për një ngjarje kriminale të lidhur me këtë grup.