Më 7 tetor 2023, sulmi i Hamasit ndaj Izraelit shënoi nisjen e një konflikti që fillimisht u përqendrua në Izrael dhe Rripin e Gazës.
Tre vite më pas, lufta është shtrirë në një pjesë të madhe të Lindjes së Mesme, duke përfshirë Libanin, Sirinë, Jemenin, Detin e Kuq dhe Iranin, ndërsa në konflikt janë përfshirë drejtpërdrejt edhe Shtetet e Bashkuara.
Sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 la mbi 1,200 persona të vrarë dhe 251 pengje të marrë në Gaza. Izraeli nisi një ofensivë ushtarake që ka shkaktuar një bilanc të rëndë viktimash dhe shkatërrimesh në Rripin e Gazës.
Konflikti u zgjerua shpejt. Hezbollahu nisi sulmet nga Libani, ndërsa në Detin e Kuq rebelët Houthi në Jemen filluan të godasin anijet tregtare, duke detyruar kompani të mëdha të devijojnë itineraret e tyre dhe duke sjellë ndërhyrjen ushtarake të SHBA-ve dhe aleatëve.
Një tjetër pikë kthese ishte përplasja direkte mes Izraelit dhe Iranit. Në prill 2024, Teherani kreu sulmin e parë të drejtpërdrejtë me raketa dhe dronë ndaj Izraelit.
Përplasja u përshkallëzua në vitin 2025 me luftën 12-ditore mes dy vendeve dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë amerikane ndaj objektivave iraniane.
Ndërkohë, Gaza ka mbetur epiqendra humanitare e konfliktit. Luftimet kanë shkaktuar dhjetëra mijëra viktima palestineze, shkatërrim të gjerë të infrastrukturës dhe zhvendosje masive të popullsisë.
Edhe pse janë arritur marrëveshje armëpushimi, konflikti nuk është mbyllur përfundimisht. Çështjet e çarmatimit të Hamasit, kontrollit territorial, rindërtimit të Gazës dhe së ardhmes politike të palestinezëve mbeten të pazgjidhura.
Në vitin 2026, përplasja ka marrë një tjetër dimension me përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së dhe Iranit dhe me kërcënimet ndaj transportit detar në Gjirin Persik.
Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një pikë kyçe të krizës, duke rritur shqetësimet për tregtinë dhe furnizimin global me energji.
Tre vite pas 7 tetorit, harta e konfliktit ka ndryshuar rrënjësisht. Ajo që nisi si një luftë mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza është shndërruar në një krizë rajonale që prek Libanin, Jemenin, Iranin, Detin e Kuq dhe Gjirin Persik. Gaza mbetet në qendër të konfliktit, por fronti tashmë shtrihet në mijëra kilometra.











