Me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Firences, Dario Nardella, kryebashkiaku Erion Veliaj është nisur për një vizitë zyrtare në Firence, me të cilin do të diskutojë për rritjen e bashkëpunimit mes dy qyteteve.
Mësohet se në qendër të bisedës mes Veliajt dhe Nardellës do të jetë projekti për ndriçimin LED, ku Tirana ka filluar që të ndryshojë tërësisht sistemin e saj të ndriçimit të rrugëve, si dhe projekti për një flotë biçikletash “bike-share”, si një mënyrë për të ulur nivelin e ndotjes, që vjen si pasojë e numrit të lartë të automjeteve që qarkullojnë në kryeqytet.
Një tjetër projekt me rëndësi që do diskutojnë dy homologët është edhe ndërtimi i një rrjeti pikash të posaçme për karikimin e automjeteve që funksionojnë me energji elektrike. Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës prezantoi edhe testimin e autobusit të parë elektrik.
Nardella e vizitoi pak javë më parë Tiranën, ku u takua me Veliajn të cilin e ftoi për një vizitë zyrtare në Firence.
a.ç