Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë ka ngërthyer një vëmendje të madhe, e cila vjen si rezultat i atyre që ndodhën mes këtyre dy kombëtareve në Beograd, ku shpërtheu dhuna ndaj kuqezinjve tanë, tifozët invaduan fushën dhe loja u ndërpre në minutën e 41-të. Pala serbe thotë se shkak për këtë u bë droni me flamurin e të ashtuquajturës “Shqipëria e Madhe”, që u ngrit dhe fluturoi mbi stadiumin e Partizanit të Beogradit.
Nuk ka qenë pjesë e këtij momenti dramatik, sepse në atë kohë Serbia drejtohej nga holandezi Dik Advokat, por do të përjetojë kthimin në “Elbasan Arena”, më 8 tetor. Trajneri aktual i kombëtares serbe, Radovan Çurçiç, ka thënë për “Novosti” se lojtarët e tij kanë një detyrë të vështirë kundër Shqipërisë, ndaj do të bëjnë çmos për t’u distancuar nga çdo problem në prag të lojës.
“Unë jam i bindur se organizimi i kësaj ndeshjeje do të jetë me nivel. Ne do të përpiqemi për t’i izoluar lojtarët gjatë qëndrimit në Shqipëri. Kjo është puna ime, të distancojmë veten nga gjithçka e papritur dhe e padëshirueshme. Nëse humbim çdo energji në çështjet anësore, ajo do të reflektohet në lojë, – tha Çurçiç. – Detyra është e vështirë për të gjithë ne, edhe për lojtarët. Nuk mendoj se duhet të fokusohemi shumë te shumë nga këto gjëra, me të cilat është mbarsur opinioni publik dhe mediat që nga 14 tetori i kaluar.
Në qoftë se merremi me të gjitha këto, do të shkojmë në ekstremin tjetër. Për ne është me rëndësi të tregojmë se jemi në gjendje ta përballojmë me sukses jë ndeshje të tillë, në fushën e lojës.”
Serbia do të jetë mysafire e Shqipërisë më 8 tetor, ndërsa tri ditë më pas do të presë Portugalinë në raundin e fundit të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Europian të Francës.”
Ndeshja në Shqipëri do të jetë, ndoshta, më e vështira larg fushës sonë, ndërsa Portugalia ka provuar të jetë skuadra më e mirë në grup. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e të dyja ndeshjeve, kemi një dëshirë të madhe për ta përfunduar këtë fushatë kualifikuesesh me rezultate të mira. Unë, absolutisht, e respektoj cilësinë e Shqipërisë. Ajo nuk është aty ku është rastësisht, u konfirmua të jetë një skuadër serioze. Gjasat janë të larta, fitorja i dërgon shqiptarët për herë të parë në finalet e një kometicioni të madh,” – shton trajneri serb për “Novosti”.
Çurçiç thotë se, absolutisht, ai beson te lojtarët që ka ftuar dhe se nuk duhet të ankohet shumë për lojtarët e lënduar, të cilët janë shumë: “Unë jam i sigurt se lojtarët do të bëjnë të mirën e tyre, brenda mundësive që kanë, nëse është e mundur edhe përtej kësaj. Ata do të përfaqësojë me dinjitet vendin e tyre. Çdo lojë është e rëndësishme, nuk kam frikë për veten time, sepse dëgjoj të thuhet se nga këto dy ndeshje do të varet nga statusi im. Mendoj se në këtë vend nuk është askush i përjetëshm, ndërsa nuk ka njeri të thotë se Shqipëria dëshiron të fitojë më shumë se unë.”
LIsta e kombëtares serbe
Portierë: Vladimir Stojković (Makabi Haifa), Predrag Rajković (Makabi Tel Aviv), Marko Dmitrović ( Alkorkon)
Mbrojtës: Branislav Ivanović (Čelsi), Nenad Tomović (Fjorentina), Marko Petković (C. Zvezda), Stefan Mitrović (Gent), Uroš Spajić (Tuluz), Duško Tošić (Bešiktaš), Aleksandar Kolarov (Mančester Siti ), Ivan Obradović (Anderleht).
Mesfushorë: Nemanja Matić (Čelsi), Ljubomir Fejsa (Benfika), Luka Milivojević (Olimpijakos), Nemanja Gudelj (Ajaks), Adem Ljajić (Inter), Sergej Milinković-Savić (Lacio), Darko Brašanac (Partizan), Zoran Tošić (CSKA), Andrija Živković (Partizan), Dušan Tadić (Sautempton).
Sulmues: Miralem Sulejmani (Jang Bojs), Aleksandar Mitrović (Njukasl Junajted), Petar Škuletić (Lokomotiva Moskva).
Renditja aktuale, Grupi I
| Skuadra | Ndeshje | Fitore | Barazime | Humbje | G.Sh | G.P | Glv | Pikë |
| PORTUGALIA | 6 | 5 | 0 | 1 | 8 | 4 | 4 | 15 |
| DANIMARKA | 7 | 3 | 3 | 1 | 8 | 4 | 4 | 12 |
| SHQIPERIA | 6 | 3 | 2 | 1 | 7 | 3 | 4 | 11 |
| ARMENIA | 7 | 0 | 2 | 5 | 5 | 11 | -6 | 2 |
| SERBIA * | 6 | 1 | 1 | 4 | 5 | 11 |
-6 |
1 |









