Speciale Javanews.al/ Gjatë ditëve të fundit vendi është tronditur nga disa ngjarje të rënda aksidentale të shkaktuara nga zjarri, që kanë shkaktuar viktima dhe të plagosur.
Rastet më të rënda janë ato të zjarrit të rënë në një banesë në Tiranë ku humbi jetën një fëmijë 4-vjeç dhe në fshatin Beragozhdë të Pogradecit ku shpërthimi i bombulës së gazit në lokal shkaktoi 30 të plagosur. Disa muaj më parë një rast i ngjashëm ndodhi në një pastiçeri në Tiranë ku pësuan lëndime rreth 20 persona.
Ndërkohë rreth 1 muaj më parë në një fshat të Vlorës, dy prindërit dhe vajza u plagosën rëndë nga shpërthimi i bombulës.
Referuar dosjeve hetimore të autoriteteve, këto ngjarje të rënda me pasoja kanë si emërues të përbashkët pakujdesinë dhe neglizhencën. Ngjarje si ajo e Tiranës dhe Beragozhdës kanë tërhequr vëmendjen për shkak të përmasave, por policia merr rreth 120-150 sinjalizime për vatra zjarri në muaj gjatë stinës së dimrit dhe më tepër se dyfishin e kësaj shifre gjatë verës.
Shkaktarët kryesor të zjarreve
Dosjet hetimore të policisë për rastet e zjarrit janë të kategorizuara në ngjarje aksidentale por edhe kriminale.
Numrin më të madh e zënë sigurisht ngjarjet aksidentale, me mbi 95 % të raportimeve. Si shkaktarët kryesor të vatrave të zjarrit janë kryesisht bombulat e gazit apo shkëndijat elektrike, dhe më pak raste pakujdesia gjatë përdorimit të ngrohëseve elektrike. Rastet më të rrezikshme dhe me pasoja të rënda janë ato të shkaktuara nga bombulat e gazit. Nga rrjedhja e gazit grimcat përhapen në të gjithë ambjentin, dhe mjafton një kontakt i vogël me një paisje elektroshtëpiake që të shkaktohet eksplodim i fuqishëm. Përgjithësisht këto janë edhe rastet kur zjarret kanë shkaktuar viktima. Me rrezikshmëri të lartë janë edhe shkëndijat elektrike, pasi flakët përhapen me shpejtësi në të gjithë banesën nëpërmjet linjave elektrike. Numri më i madh i zjarreve të raportuara kanë si shkaktar pikërisht shkëndijat elektrike.
Pakujdesi apo papërgjegjshmëri?
Në disa prej ngjarjeve më të rënda të ditëve të fundit zjarri që ka kushtuar jetë njerëzish ka ardhur si pasojë e kushteve teknike të bombulave të gazit. Shpërthimi në lokalin e fshatit Beragozhdë sipas ekspertizës erdhi si pasojë e rrjedhjeve nga bombula që ishte mjaft e vjetëriar dhe e pakolauduar. Po ashtu, sipas ekspertizës paraprake edhe ngjarje në banesën pranë Unazës së Re në Tiranë ku humbi jetën një fëmijë 4-vjeç erdhi si pasojë e rrjedhjes së gazit. Këto ngjarj apo edhe të tjera raste do të mund të ishin parandaluar nëse do të bëhej më shumë kujdes, por problemi më i madh janë pikat e tregtimit të bombulave dhe furnizimit me gas. Një pjesë e madhe e operatorëve nuk përmbushin as kriteret më minimale të sigurisë për të bërë kontrollin dhe kolaudimin e bombulës për ta vënë në punë pasi e mbushin me gas.
Qindra kontrolle janë kryer nga Inspektoriati Qndror Teknik, i cili ka marrë masa ndëshkimore administrative, dhe në disa raste ka aplikuar edhe paditë penale ndaj disa subjekteve. Por, pavarësisht ndëshkimeve, fenomeni i pikave fantazmë të tregtimit të gazit që nuk plotësojnë kushtet e sigurisë vijon të jetë problem.
Si të sigurohemi
Paraqet siguri teknike vetëm etiketa në të cilën janë të shënuara të gjitha instruksionet e përdorimit si dhe afatet e kontrollit dhe kolaudimit. Qytetarët duhet të kenë parasysh që sa herë të mbushin bombolën, të bëjnë kontrollin teknik të saj. Bombola duhet të mbushet vetëm në dyqane të posaçme. Ekziston edhe problemi i bombolave të importuara nga jashtë. Konsumatorët duhet të drejtohen te pikat e kolaudimit të bombolave për asistencë teknike edhe në rastet kur ata përdorin bombola të vjetra. E këshillueshme është vendosja e aparatit sinjalizues për rrezikun nga rrjedhjet apo defektet e bombulës. Në këtë mënyrë parandalohen në kohë shumë rreziqe që mund të kenë pasoja të rënda./Javanews.al