Një ngjarje e rëndë ka tronditur Postribën, ku një nënë dhe dy fëmijët e saj kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një banesë në fshatin Domen.
Pas disa orësh kërkime, ekipet e emergjencës gjetën trupat e pajetë të tre viktimave në banesën e shkrumbuar nga flakët. Fillimisht ishte konfirmuar vdekja e njërit prej fëmijëve, ndërsa më pas u gjetën edhe nëna dhe fëmija tjetër.
Sipas të dhënave paraprake, nëna dhe dy fëmijët kishin shkuar në një banesë të vjetër, e cila ishte e pabanueshme, kur ajo u përfshi nga zjarri. Banesa ndodhet në një zonë të thellë malore, rreth 30 minuta në këmbë nga rruga ku mund të mbërrijnë automjetet.
Terreni i vështirë dhe njoftimi i vonuar e bënë të pamundur ndërhyrjen në kohë të forcave zjarrfikëse. Kur ekipet mbërritën në vendngjarje, banesa ishte shkrumbuar pothuajse tërësisht.
Policia dhe grupi hetimor kanë gjetur në vendngjarje një bombol gazi, ndërsa dyshohet se shpërthimi i saj mund të ketë shkaktuar zjarrin.
Sipas informacioneve të siguruara, familja kishte më shumë se 20 vite që nuk jetonte në këtë banesë. Vetëm pak ditë më parë ata kishin nisur punën për pastrimin e ambientit përreth shtëpisë, ndërsa këtë të mërkurë kishin shkuar së bashku në banesën e vjetër.
Mësohet se bashkëshorti i nënës së re që humbi jetën nuk ndodhej në banesë në momentin e zjarrit. Ai ishte duke punuar në një tokë bujqësore, në një distancë nga shtëpia, kur flakët përfshinë objektin.
Familja jetonte në Gjermani dhe kishte vetëm rreth një javë që ishte kthyer në Shqipëri.
Njoftimi i policisë
Shërbimet e Policisë dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.











