Një vajzë 20-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën disa ditë pas gjendjes kritike në spital, për shkak se ra nga ballkoni i banesës së saj.
Viktima, e identifikuar nga media italiane IlPiacenza si Anxhela Byku, u rrëzua të martën nga ballkoni i banesës së saj në Piacenza, ku ajo jetonte me bashkëshortin e saj.
Ajo u transportua menjëherë në gjendje shumë të rëndë në spitalin e Piacenzës, ku u shtrua në repartin e terapisë intensive. Megjithatë, për shkak të plagëve shumë të rënda të marra nga rënia nga lartësia, 20-vjeçarja ndërroi jetë në mbrëmjen e së enjtes, më 12 mars.
Autoritetet italiane kanë nisur hetime për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Karabinierët e njësisë hetimore po përpiqen të rindërtojnë çdo detaj të asaj që ka ndodhur. Deri në këtë fazë të hetimeve, nuk dyshohet për përfshirjen e ndonjë personi tjetër në këtë ngjarje, por nuk sqarohet nëse konsiderohet të jetë aksidentale apo tentativë vetëvrasjeje.
Ndërkohë, miq dhe të afërm kanë shprehur dhimbjen e tyre për humbjen e të resë.
Në ditët kur ajo luftonte për jetën në spital, shumë persona qëndruan pranë familjes së saj. Sipas IlPiacenza, edhe një ditë para se të konfirmohej vdekja, rreth 40 persona ishin mbledhur jashtë repartit të reanimacionit të spitalit, në pritje të lajmeve për gjendjen e saj.











