• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, November 10, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Trafiku po e bën Tiranën të pajetueshme, por kush merret me të?

by Carlo Bollino
02/02/2026 10:54
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Carlo Bollino

Trafiku i automjeteve po e bën Tiranën  të pajetueshme. Duket si një paradoks i historisë, nëse mendojmë se vetëm 35 vite më parë ky ishte kryeqyteti evropian me numrin më të vogël të makinave në qarkullim. Sot, përkundrazi, rrugët janë kthyer në ferr, dhe zemra e këtij ferri është Tirana.

Fenomeni ekziston prej vitesh, por në vend që të përmirësohet me kalimin e kohës, përkeqësohet, paralelisht me rritjen e popullsisë dhe me ardhjen e vazhdueshme të banorëve të rinj në kryeqytet, ardhje që projekti i Rilindjes Urbane, përmes përmirësimit estetik, do të duhej ta kishte zbutur. Vetëm në Tiranë është i regjistruar 35% i të gjitha automjeteve që qarkullojnë në Shqipëri.

Sot trafiku nuk është më një shqetësim urban, por një emergjencë kombëtare. Aq serioze saqë në ndryshimet e fundit të Kodit Penal është parashikuar edhe deri në një vit burg për parkimin në rresht të dytë. Por parkimet e paligjshme janë vetëm maja e ajsbergut. Problemi i vërtetë është se askush nuk mban përgjegjësi.

Kush merret me trafikun në këtë vend? Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës? Ajo duket më e zënë me tendera dhe inaugurime sesa me strategji afatgjata.

Autoriteti Rrugor? Edhe aty, tenderat janë prioriteti kryesor. Bashkia? Rrugët i dekoron gjatë festave dhe i pastron gjatë pjesës tjetër të vitit, por me trafikun nuk merret. Policia rrugore? Ajo bën vetëm gjoba. Po atëherë, kush e mendon dhe kush merret me këtë makth të përditshëm për qindra mijëra qytetarë dhe turistë? Dhe si mund të shmanget që të gjithë të merren pak me këtë çështje, por pa u koordinuar mes tyre?

Nuk mund të thuhet se problemi nuk është trajtuar, por është zgjidhja ajo që nuk është gjetur. Le të marrim Unazën e Madhe, simbolin e investimeve të mëdha dhe rezultateve të vogla. Janë shpenzuar dhjetëra milionë euro për një infrastrukturë që funksionon vetëm në letër. Brenda unazës trafiku ecën, por sapo tenton të hysh në qytet, gjithçka paralizohet. Projektuesit dhe financuesit kanë harruar të përshtatin rrugët lidhëse midis unazës dhe qytetit dhe, për pasojë, në çdo dalje krijohen radhë kilometrike me pritje të pafundme. Jo vetëm sepse rrugët lidhëse janë të ngushta, por sepse ato përfundojnë menjëherë në kryqëzime ku bashkohen rrugë të tjera, duke krijuar nyje trafiku që askush nuk arrin t’i zgjidhë. Është si të ndërtosh një ujësjellës dhe të harrosh të ndërtosh edhe tubacionet që çojnë ujin nëpër shtëpi. Çfarë kuptimi ka?

I njëjti problem përsëritet në rrugën drejt aeroportit, ose përgjatë superstradës Tiranë–Durrës, ku situata rëndohet edhe më shumë nga punimet e zgjerimit. Por edhe kur këto punime të përfundojnë, gjendja nuk do të përmirësohet ndjeshëm për aq kohë sa rrugët e hyrjes në qytet mbeten ato që janë sot: të ngushta dhe të bllokuara nga kryqëzime. Problem identik përgjatë shumë rrugëve të tjera të vendit: investime të mëdha në rrugët kryesore, asnjë investim në rrugët e hyrjes në qytete.

Pasi më në fund futesh në Tirane, përfundon në Unazën e Vogël. Dhe këtu nis makthi i semaforëve, të cilët ndryshojnë ngjyrë çdo 30 sekonda ose me pak: në orët e pikut, arrijnë të kalojnë vetëm dy-tre makina për çdo dritë jeshile, para se të ndizet sërish e kuqja. Në qytetet e mëdha, kohëzgjatja e semaforëve studiohet me kujdes ekstrem nga komisione ekspertësh, pas analizash të gjata dhe studimesh të detajuara; në Tiranë, përkundrazi, duket se është lënë krejtësisht në dorë të rastësisë. Nuk shihet asnjë logjikë dhe asnjë studim pas atyre semaforëve që ndizen dhe fiken pa asnjë kriter. Megjithatë, ata janë të bukur dhe modernë, dhe duket se është kujdesur vetëm ana estetike: sikur të ishin më pak të bukur, por më inteligjentë (dhe të programuar me kriter), ne automobilistët do të ishim shumë më të kënaqur.

Dhe kur semaforët nuk mjaftojnë, ndërhyjnë policët për ta komplikuar edhe më shumë trafikun. Është e dhimbshme t’u ngarkosh fajin agjentëve, që janë hallka e fundit e një zinxhiri përgjegjësish të tjera, por nuk kuptohet as nëse dikush i ka trajnuar se si menaxhohet trafiku. Ata tundin shkopin sikur po vrasin mushkonja dhe fishkëllejnë pa pushim, sikur kjo të mjaftonte për të zhbllokuar një trafik të ngjeshur. Nëse pas tyre ka një radhë të pafund makinash në pritje, ata fishkëllejnë drejt korsisë bosh. Dhe kur më në fund lejojnë makinat të lëvizin, pas 30 sekondash ndryshojnë mendje dhe i bllokojnë sërish. Pa folur pastaj për rastet kur, papritur dhe pa asnjë paralajmërim, bllokojnë hyrjen e një rruge duke vendosur motorin për së gjati për të devijuar qarkullimin në një drejtim tjetër! Në cilin qytet evropian trafiku ndryshon drejtim sipas humorit të momentit të një polici?

Projekte të gabuara dhe të paplota, semaforë “budallenj”, policë të papërgatitur. Dhe pastaj, për ta përkeqësuar më tej trafikun, jemi edhe ne automobilistët, të cilët edhe në timon tregojmë mungesë totale disipline, duke filluar nga ideja absurde për të udhëtuar gjithmonë në korsinë e parakalimit, duke besuar që korsia e djathtë të ishte e rezervuar vetëm për budallenj. Një marrëzi që jashtë Tiranës ngadalëson trafikun dhe që në qytet shndërrohet në parkime të ndaluara, parkime në rresht të dytë, madje edhe ndalesa në mes të rrugës vetëm sepse kemi parë një mik që kalon në këmbë dhe vendosim të bëjmë një bisedë nga dritarja e hapur, ndërsa ata që janë pas nesh le të presin. Parkimet në rresht të dytë janë në fakt jo vetëm pasojë e mungesës së disiplinës së shoferëve, por edhe e mungesës kronike të parkimeve publike: pak hapësira që ekzistojnë janë privatizuar nga bashkia në favor të dyqaneve, bankave, siguracioneve, kafeneve, restoranteve dhe madje edhe të disa banorëve të pasur pallatesh. Hapësira të tjera janë zënë nga korsitë e biçikletave, tashmë më të gjera se korsitë për makinat, edhe pse mbeten pothuajse gjithmonë bosh. Pse duam të imitojmë modelin e rrugëve holandeze (ku të gjithë lëvizin me biçikletë), pa pasur numrin e tyre të çiklistëve? T’i japësh hapësirë biçikletave kur ka pak makina ka kuptim, por t’u heqësh hapësirë makinave pa pasur biçikleta është marrëzi.

Kërcënimi me burg për parkimin në rresht të dytë është një pikë uji në një oqean problemesh. Trafiku është një emergjencë absolute, e destinuar të përkeqësohet me ardhjen e sezonit turistik, dhe që sjell me vete jo vetëm ndotje më të madhe të qytetit, por edhe një kosto e llahtarshme në kohë të humbur. Nëse qeveria ka llogaritur me kënaqësi sa orë pritjeje u janë kursyer shqiptarëve në sportelet publike falë shërbimeve digjitale të E-Albania, a është pyetur ndonjëherë se sa orë humbasin ata duke qëndruar në radhë në trafik? Pse ministrat nuk provojnë të qarkullojnë në Tiranë pa eskorta, pa sirena, pa rrugë të hapura artificialisht? Vetëm atëherë do ta kuptonin vërtet se çfarë do të thotë fjala “ferr”. Dhe ndoshta edhe opozita do të bënte mirë të dilte nga retorika e skandaleve (shpesh herë) imagjinare dhe të merrej me një problem real, konkret, që prek përditë jetën e qytetarëve. Ndoshta, për herë të parë, do të kishte një kauzë të vërtetë popullore për të protestuar, pa pasur nevojë të shpikë shpifje kundër askujt.

Next Post
A do të ketë arrestime? Departamenti Amerikan i Drejtësisë reagon për dokumentet e publikuara nga dosja “Epstein”

A do të ketë arrestime? Departamenti Amerikan i Drejtësisë reagon për dokumentet e publikuara nga dosja “Epstein”

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Norvegjia po ndërton tunelin nënujor më të gjatë dhe më të thellë në botë

Norvegjia po ndërton tunelin nënujor më të gjatë dhe më të thellë në botë

November 9, 2026
Mjegulla mbulon Juglindjen, ulen temperaturat. Policia apel drejtuesve të mjeteve për kujdes të shtuar

Mjegulla mbulon Juglindjen, ulen temperaturat. Policia apel drejtuesve të mjeteve për kujdes të shtuar

November 9, 2026
“Prej 30 vitesh s’biem dakord”, Agron Duka: Të këtë një kod të ri zgjedhor, se lamë kokrrën e namit

Duka: Ky është sistemi më i dobët zgjedhor që kemi parë

November 9, 2026
“Dënimet shkojnë deri në burg përjetë”- Avokati Petraj: SPAK të nisë hetimet për protestat, jemi përballë “Nenit 221” të kryengritjes!

Petraj: Si protesta e Flamingove dhe ajo e studentëve nuk funksionojnë pa PD

November 9, 2026
Mediat greke zbulojnë të kaluarën kriminale të Robert Dukës, i dyshuar për 28 grabitje bankash në Greqi

DETAJE / Robert Duka i ka lënë në kazino paratë e grabitura në banka, u dha shokëve nga 3 mijë euro

November 9, 2026
Meçe: Protesta humbi karakterin fillestar, qytetarët e kuptuan se u manipulua nga interesa antikombëtare

Meçe: Protesta humbi karakterin fillestar, qytetarët e kuptuan se u manipulua nga interesa antikombëtare

November 9, 2026
Tragjike në Shkodër! Humb jetën elektriçisti 34-vjeçar gjatë riparimit të një defekti

Tragjike në Shkodër! Humb jetën elektriçisti 34-vjeçar gjatë riparimit të një defekti

November 9, 2026
Akuzat e reja për Vlora Hysenin, Manjani: SHISH, institucion parazit. SPAK u rëndon akuzat atyre që ankohen

Akuzat e reja për Vlora Hysenin, Manjani: SHISH, institucion parazit. SPAK u rëndon akuzat atyre që ankohen

November 9, 2026
“Plas” te republikanët, kërkohet shkarkimi i Hegseth: Shkeli Kushtetutën e SHBA-ve

“Plas” te republikanët, kërkohet shkarkimi i Hegseth: Shkeli Kushtetutën e SHBA-ve

November 9, 2026
Protesta para Kryeministrisë: Përplasje verbale dhe tensione me policinë për gjobat ndaj pjesëmarrësve

Protesta para Kryeministrisë: Përplasje verbale dhe tensione me policinë për gjobat ndaj pjesëmarrësve

November 9, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In