Pas një kohe të gjatë pa folur publikisht për jetën e saj private, Chiara Ferragni ka vendosur të tregojë anën më të vështirë të viteve të fundit. Sipërmarrësja italiane ka ndarë detaje të dhimbshme për martesën me reperin Fedez, ndarjen e tyre dhe periudhën e vështirë psikologjike që përjetoi.
Në një intervistë për revistën “Vanity Fair”, të dhënë para publikimit të dokumentarit të saj në Netflix, Ferragni është kthyer te ngjarjet që tronditën jetën personale dhe profesionale të saj. Ajo ka folur për skandalin e pandoros Balocco, krizën që pasoi dhe prishjen e marrëdhënies me ish-bashkëshortin.
“Kishte mëngjese kur nuk mund të ngrihesha. Mëngjeset ishin më të këqijat, problemet shtoheshin dhe gjithçka ishte gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit tim.”
“Federico ishte familja ime. Nuk ishte një familje perfekte, por ishte familja që shpresoja se do të zgjaste. Të ndihesha e braktisur më lëndoi shumë. Kur shembet gjithçka ku ke besuar, kupton se ndoshta ke qenë e vetmja që ka jetuar vërtet atë marrëdhënie.”
Ajo u ndal edhe te një prej episodeve më të komentuara të Festivalit të Sanremos, kur Fedez puthi në skenë Rosa Chemical. Sipas Chiarës, ky veprim e bëri të ndihej e poshtëruar, veçanërisht pasi ajo kishte kërkuar që bashkëshorti ta respektonte gjatë festivalit.
“Në fillim të festivalit i kërkova të më respektonte dhe të ndihej krenar për mua. Por ai tregoi para gjithë Italisë se nuk më respektonte. U ndjeva e turpëruar.“
Por një tjetër goditje për sipërmarrësen ishte zbulimi i marrëdhënies së Fedez me Angelica Montini. Chiara tregon se më 19 dhjetor 2024, një vit pas shpërthimit të skandalit Balocco, arriti të merrte përgjigjet që kërkonte prej kohësh. Pas këmbënguljes së saj, reperi i tregoi për lidhjen me një tjetër grua.
“Më tha për Angelica-n. Ishte tronditëse të zbuloja se kishte pasur një lidhje me të. Herën e fundit që e kisha parë, ishte një muaj para dasmës sonë.”
Duke folur për atë që kishte ndodhur, Ferragni pranon se për një kohë të gjatë kishte besuar se ndjenjat mund të kapërcenin çdo problem, edhe kur marrëdhënia po kalonte vështirësi të mëdha.
“Unë e dua dashurinë dhe besoja te kjo ëndërr. Ai kishte shumë të meta, nuk ishim një çift perfekt, por kishte dashuri dhe mendoja se dashuria do të rregullonte gjithçka. Nuk ndodhi kështu”, shprehet ajo.
Megjithatë, jeta sentimentale e Chiarës duket se ka marrë një drejtim të ri. Në intervistë, ajo flet edhe për lidhjen me José Hernández, të cilin e njohu gjatë një udhëtimi në Kolumbi. Sipas saj, puthja e tyre në mesnatën e 1 janarit shënoi një fillim të bukur, në një moment kur ajo kishte nevojë për energji pozitive dhe për të hapur një kapitull të ri në jetën e saj.
Pas gjithë këtyre përjetimeve, sipërmarrësja thotë se ka ndryshuar edhe raportin me famën dhe vlerësimin e publikut. Nëse më parë miratimi i të tjerëve kishte një ndikim të madh në mënyrën se si e shihte veten, sot ajo i jep më shumë rëndësi qetësisë së saj personale.
“Sot nuk jetoj më për duartrokitjet e njerëzve. Sigurisht që më pëlqen ende miratimi i tyre, por nuk jam më e varur prej tij. Dhe kjo ndryshon gjithçka.”










