Pas shqetësimit publik mbi një ngjarje të rëndë ende të pazbardhur, ku qytetari shqiptar Pëllumb Nikoll Marknikollaj dyshohet se humbi jetën nga dhuna e ushtruar prej policisë greke, Avokati i Popullit Igli Totozani, i është drejtuar homologut të tij grek, Andreas Pottakis.
Në një letër zyrtare, Avokati i Popullit të Shqipërisë i kërkon Ombudsmanit grek, Pottakis që të ndërhyjë me kompetencat që i jep ligji në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut, për nxitjen e institucioneve shtetërore në zbardhjen e së vërtetës dhe shkaqeve që çuan në vdekjen e të riut shqiptar, Pëllumb Nikoll Marknikollaj.
“Në respekt të familjes së të ndjerit dhe opinionit publik në Shqipëri, ta ndiqni këtë rast edhe në kuadër të kompetencave si mekanizëm kombëtar i parandalimit të torturës, i cili shqyrton veprimet dhe mosveprimet e organeve të policisë në respektim të të drejtave dhe të garancive të personave të privuar nga liria”, shkruan Totozani në letrën drejtuar homologut të tij grek, Pottakis.
Avokati i Popullit, Igli Totozani i dërgoi edhe një shkresë zyrtare Ministrisë së Jashtme shqiptare ku i kërkon informacione mbi hapat që po ndërmerr ky institucion lidhur me zbardhjen e rrethanave dhe përgjegjësve që shkaktuan vdekjen e shqiptarit, Pëllumb Nikoll Marknikollaj në rajonin e Policisë Kato Patisia, në Greqi.
Avokati i Popullit i shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerit Marknikollaj, duke qenë pranë tyre në këtë fatkeqësi.