Ish Presidenti Bamir Topi shprehet se reforma në drejtësi duhet t’i lihet ekspertëve, ndërsa politika do duhet thjesht ta votojë atë. Kreu i FRD thekson se përplasja mes maxhorancës dhe opozitës për formulën e votimit të instancave të larta është një çështje intepretimi, dhe se për të votimi i cilësuar me 3/5 është më i duhuri. Ish presidenti tha se reforma do duhet të jetë konsensuale, në të kundërt, referendumi është zgjedhja e duhur.
“Me 2/3 bën impeachment, me 2/3 shkarkohen, me 2/3 ndryshon kushtetuta, dhe përfytyroni se çfarë lloj paradoksi është tek ata që e kundërshtojnë. Ne kishim zgjedhjen e presidentit me 3/5 dhe ata e çuan me 71 vota, tani kërkojnë që anëtarët e gjykatës së lartë ti emërojmë me 2/3.”- tha Topi.
“Nëse nuk arrijmë konsensus, duhet të shkosh tek vota, nëse nuk e arrin me votë duhet të shkosh në referendum. Pse i trembet klasa politike referendumit. Në rast se kushtetuta është ndryshuar në 1998 me referendum, pse i tremben referendumit… pse i rrinë larg, sepse referendumi sjell me vete dhe verdiktin popullor.” Shtoi Bamir Topi.
Në intervistë për gazetaren Eni Vasili në Studio e hapur, Ish Presidenti Topi tha se nuk është për ndryshimin apo ndërprerjen e mandateve që mund të vijnë me reformën në drejtësi.
“Unë nuk jam për ndërprerje mandatesh të institucioneve të rëndësishme. Sigurisht u takon atyre, po unë shpreh mendimin tim që varet edhe nga struktura e ndryshimit që do të ketë ligji, apo kushtetuta, por në esencë në parim unë jam për vazhdimësinë e mandatit të institucioneve të rëndësishme. Besoj që këtë e ka konstatuar edhe Komisioni i Venecias.”- tha Topi.
Topi: Rama? I perkushtuar por nuk ka ekip
Ish Presidenti Bamir Topi e cilëson Kryeministrin Edi Rama si një person që përpiqet mjaft për qeverisjen, por sipas tij problemi është apo qëndron në faktin se nuk ka një ekip të mirë ekspertësh.
Njeri që është përpjekur shumë por pa ekip. Pa lojën e grupit, të harrojë dikush që të ketë sukses. Ka shumë ekspertë që ndihen të braktisur. Koha e një qeveri ikën shumë shpejt për fat të keq.
Pjesë nga Intervista:
Zoti Topi kryefjala kësaj mazhorance për vitin 2016 është konsideruar reforma në drejtësi. Tashmë procesi ka arritur në pikën kritike…në mars pritet të vijë opinioni i Venecias, dhe beteja do të bëhet këtu… si e keni parë ecurinë e këtij procesi deri më tani?
Në si subjekt politik kemi mbështetur reformën në drejtësi. Madje kemi dërguar prej kohësh të gjithë opinionin tonë më shkrim, dhe herë pas herë jam shprehur dhe kam qenë pjesë një tryeze të ekspertëve së bashku me politikanë dhe ish kryetar shteti që do të thotë që Reforma në drejtësi është një domosdoshmëri për etapën në të cilën kalon vendi dhe institucionet. Mbështetja ka qenë jo vetëm në planin politik dhe moral por edhe me opinione të cilat derivojnë edhe nga programi i FRD, ku gjërat më të rëndësishme janë ato që kanë të bëjnë me shtetin dhe në mënyrë të posaçme me institucionet e drejtësisë.
Çfarë mendoni për draftin e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë?
Së pari grupi i ekspertëve ka qenë mjaft profesional ndonëse për hir të së vërtetës paragjykohen. Ka rrethana specifike pse ata paragjykohen sepse në një mënyrë apo tjetër dikush është afër një partie politike dikush pranë një tjetre, dikush është i pavarur për shkak se qëndrimi i tij është në sintoni me atë të një partie, konsiderohet kundërshtar nga pala tjetër. Për aq sa unë i njoh, kanë qenë ekspertë të cilët kanë punuar nga afër edhe me ekspertë ndërkombëtar, dhe unë besoj që mendimi i Venecias do të jetë konkludiv dhe shpresoj që të mos paragjykohet, sikur ndodh herë pas herë në politikën shqiptare. Unë do kisha preferuar, nëse do isha pjesë e këtyre negociatave që Komisioni i Venecias të mos kërkojë dy herë apo tre herë për të ndërhyrë. Është një komision jopolitik, shumë profesional, që mendimet e veta i jep jashtë çdo lloj influence, shkon sipas standardeve të jurisprudencës ndërkombëtare, natyrisht njeh shumë mirë situatën e drejtësisë në Shqipëri dhe besoj nuk ishte e nevojshme që Venecias ti ktheheshim për herë të dytë.
Ishte e nevojshme për shkak të këndvështrimit të ndryshëm të palëve dhe për hir të konsensusit? Konsensusi është çështje vullneti politik. Unë besoj që po të shkosh në ekspertizë, ta pranosh atë, të pranosh këshillat që ka Komisioni i Venecias besoj se është e mjaftueshme.
A ka të drejtë opozita të kërkojë një votim me 2/3 për njerëzit e drejtësisë… me argumentin se me variantin 3/5 që është në draft, shumica kap sistemin?
Kjo është një çështje e një interpretimi qoftë edhe i natyrës subjektive..Në këndvështrimin tim 3/5 është kuota e një votimi të cilësuar e cila jo pa arsye është e ndarë nga 2/3. Kushtetuta e ka parashikuar qartë. Besoj që kushtetuta e miratuar në vitin 1998 , që ka kaluar nëpërmjet një referendumi, natyrisht ka patur mjaft ekspertizë. Koha ka treguar që votimi me 3/5 që konsiderohet një votim i cilësuar për mjaft nga problemet që parashikon emërimi i disa institucioneve dhe 2/3 kanë absolutisht nocione dhe kuptime të kundërta. Me 2/3 bën impichment, me 2/3 shkarkohen, me 2/3 ndryshon kushtetuta, dhe përfytyroni se çfarë lloj paradoksi është tek ata që e kundërshtojnë. Ne kishim zgjedhjen e presidentit me 3/5 dhe ata e çuan me 71 vota, tani kërkojnë që anëtarët e gjykatës së lartë ti emërojmë me 2/3.
Ju e dini arsyen, fakti që kjo maxhorancë ka të gjitha votat? A është kjo pozitive…. për një vend
Sigurisht nuk është pozitive që të paragjykosh procesin. Historia e kushtetutës nuk është një histori që shkon me frekuencën e zgjedhjeve. PO këta janë mësuar të gjithë me radhë që kur i duhet për të ndryshuar për interesat e tyre e bëjnë këtë dhe brenda një nate. Të shkosh tek ndryshimet kushtetuese duhet të jesh shumë i kujdesshëm. Pra të mendosh që ti do të marrësh peng procesin me 2/3 se nuk i ke votat ose se këta i kanë 3/5.
A nuk duhet të garantohet edhe pjesëmarrja e opozitës në këtë proces kaq të rëndësishëm?
Kjo duhet të vijë nëpërmjet një procesi. Opozita e sotme nuk erdhi në çast në jetën politike, ajo ka qenë maxhoranca e djeshme. Ne e kemi fjalën këtu për mënyrën e sjelljes politike. Ti nuk mund të ndryshosh, ndryshe ishe dje kur ishe ne pushtet që kërkoje gjithçka ta realizoje mundësisht me 71 vota, sot ta bësh ndryshe pse je në opozitë. Kjo i ngjan asaj lojës së fëmijëve shiko se më more topin dhe unë nuk dëshiroj të luaj. Unë besoj që defektin politika shqiptare e ka tek mënyra ë dialogimit, tek komunikimi dhe tek koherenca për çështje të rëndësishme, sepse këta duan pushtet nuk duan shtet.
Besoni se do të arrihet konsensus?
Unë besoj se ka ardhur koha sepse e kemi tepruar me këtë shpresoj por vërtet ka ardhur koha, kjo është arsyeja që unë jam shprehur drejtpërdrejt që për reformë në drejtësi, klasa politike shqiptare, ata që janë në parlament duhet të bien dakord në parim që të behët kjo reformë, ti lihet në dorë ekspertizës dhe në fund fare ta miratojnë formalisht.
Mendoni që duhet patjetër të arrihet një konsensus për këtë reformë, apo mendoni që duhen vetëm votat e maxhorancës?
Jo, jo unë dhe në sjelljen time politike për çështje të rëndësishme kam kërkuar konsensus. Edhe kur kam qenë president, baza e sjelljes, substanca ka qenë për të kërkuar konsensus. Por çdo gjë ka një limit. Nëse nuk arrijmë konsensus, duhet të shkosh tek vota, nëse nuk e arrin me votë duhet të shkosh në referendum. Pse i trembet klasa politike referendumit. Në rast se kushtetuta është ndryshuar në 1998 me referendum, pse i tremben referendumit… pse i rrinë larg, sepse referendumi sjell me vete dhe verdiktin popullor. Por këta janë mësuar që të hyjnë në pazare, unë nuk e harroj 21 prillin e 2008 dhe e gjithë anomalia që ndodh sot në institucione është rrjedhojë e asaj dashurie të një nate vere , ndonëse ishte pranverë, 21 prill, për të bërë ndryshime në kushtetutë, ndryshoi demokracinë në Shqipëri. Sot ka një pushtet të pakufishëm të kryetarëve të partive. Madje të atyre që bëjnë ligjin në Shqipëri, ato që kanë vendimmarrje politike sot kanë një pushtet të pakufishëm.
A do ta komprometonte procesin, mungesa e konsensusit?
Sigurisht që mungesa e konsensusit do të komprometonte procesin kështu që të gjithë duhet të kenë patjetër më shumë respekt për ekspertizën.
Kjo reformë prek mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm.. e shikoni si një reformë që synon emra të përveçëm?
Unë nuk jam për ndërprerje mandatesh të institucioneve të rëndësishme. Sigurisht u takon atyre, po unë shpreh mendimin tim që varet edhe nga struktura e ndryshimit që do të ketë ligji, apo kushtetuta, por në esencë në parim unë jam për vazhdimësinë e mandatit të institucioneve të rëndësishme. Besoj që këtë e ka konstatuar edhe Komisioni i Venecias.
A mund të realizohet kjo reformë përmes blerjes së votës? A keni besim se do të prodhohet një reformë e shëndetshme, jashtë ndikimit të politikës?
Kjo është arsyeja pse them që ky lloj parlamenti, të cilin e vlerësoj si institucion por jo si përbërje, dy gjëra duhet të bëjë të jetë dakord në vullnet të çojë dorën dhe këtë e kanë e bërë së dyti të lërë ekspertët dhe në fund fare pasi të marrim mendimin e Komisionit të Venecias të gjithë në mënyrë formale të miratojnë reformën në drejtësi. Në rast se do të ndërhyhet nga politika me mendimin që disa politikanë janë shumë ekspertë të çështjeve juridike të jesh e sigurt që brenda ka paragjykime të natyrës politike. Ky proces mund të bëhet shumë i thjeshtë, ia kemi lënë në dorë ekspertëve, ekspertët janë edhe andej dhe këtej, por në moment që flasin ekspertë ndërkombëtar të institucioneve të specializuara, atëherë pse duhet të ndërhysh. Pastaj nëse do të flasim për ekspertët politikanë juristë në parlamentin e Shqipërisë, këtu është një problem tjetër.
Nuk keni besim tek ata..?
Unë nuk i njoh për herë të parë. Si ka mundësi tre apo katër njerëz që janë pjesa emblematike e përfaqësimit të një partie politike kane qenë në komisionin hetimor të 21 janarit.
Për kë e keni fjalën?
Njëri që iku nga PD që e merr qeveria paradoksalisht si ekspert, Ilir Rusmali, tjetrin Eduard Halimi ish-ministër i Drejtësisë dhe kryetar i Komisionit Hetimor për 21 janarin, tjetri Enkelejd Alibeaj i njëjti pozicion, më thoni ku po shkojmë. A ka memorie politika dhe institucionet?