Rrugët afër tregut të qytetit të Mitrovicës të shtunave shndërrohen në kasaphanë të pulave, ndërsa inspektorët shëtisin me automjetet e tyre përskaj këtyre rrugëve dhe bëhen sikur nuk shohin asgjë. Xhelatët e pulave nuk zgjedhin hapësirë për ta ushtruar profesionin e tyre në këtë ditë, duke mos respektuar asnjë normë ligjore. Ata therrin pulat në rrugë me shumë pluhur, tym makinash e papastërti, ndërsa qytetarët janë të shqetësuar tej mase për një dukuri të tillë. Qytetarët fajësojnë Komunën për heshtje dhe mosveprim ndaj kësaj dukurie, e cila siç thonë ata, paraqet rrezik të ndonjë infektimi.









