Militantë të armatosur sulmuan një bazë të ushtrisë në afërsi të një akademie ushtarake në Kabul, duke vrarë të paktën 5 ushtarë.
Ministria afgane e Mbrojtjes tha se 10 ushtarë të tjerë u plagosën. Mësohet se sulmi u krye nga 5 militantë, katër prej të cilëve u vranë, ndërsa një përfundoi në pranga. Sulmi u mor përsipër nga Shteti Islamik dhe është i treti në Kabul në pak më shumë se një javë. Agresioni ndaj bazës ushtarake vjen pak ditë pas një sulmi kamikaz në qendër të qytetit që i kushtoi jetën të paktën 100 njerëzve.
Shteti Islamik dhe talebanët kanë intensifikuar sulmet e tyre ndaj objektivave në vend gjatë ditëve të fundit. Në sulmin ndaj bazës ushtarake u dëgjuan disa shpërthime dhe më pas breshëri armësh zjarri, ndërsa ushtarët luftonin kundër terroristëve.
Sipas autoriteteve, grupi i agresorëve kishte dhe kamikazë që hodhën veten në erë për t’i hapur rrugën të tjerëve që vinin pas. Megjithatë, burime të ushtrisë thanë se asnjë prej agresorëve nuk mundi që të shkojë përtej derës kryesore të akademisë, diçka që tregon përforcimin e ndjeshëm të masave të sigurisë pas sulmeve të fundit në kryeqytetin afgan.
a.ç