Një edukatore është arrestuar nga Komisariati i Policisë Korçë, pasi dyshohet se ka dhunuar një fëmijë 4-vjeçar në kopshtin ku ai qëndronte.
Ngjarja është zbuluar pas kallëzimit të bërë nga nëna e të miturit, e cila iu drejtua policisë pasi djali i saj, prej disa ditësh, shfaqte gjendje jo të mirë.
Sipas informacioneve paraprake, fëmija i ka treguar nënës se ishte goditur nga edukatorja e kopshtit. Pas denoncimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë kryer veprimet hetimore, përfshirë edhe këqyrjen e pamjeve filmike.
Në përfundim të verifikimeve, edukatorja është arrestuar për veprën penale të “Keqtrajtimit të të miturve”. Materialet procedurale i janë referuar prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.











