Shkatërrohet një grup që shfrytëzonte disa vajza për prostitucion.
Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona për “shfrytëzim prostitucioni”.
Raportohet se personat në fjalë kishin rekrutuar vajza të cilat kryenin shërbime seksuale kundrejt pagesës në disa qendra estetike.
Këto baza të aktivitetit, reklamoheshin pikërisht si qendra estetike, por misioni ishte tjetër.
Sipas informacioneve bëhet me dije se janë ndaluar edhe disa vajza.
Ky rrjet prostitucioni mendohet se kishte të paktën një vit që ishte aktiv.
Detajet e aksionit:
Finalizohet pas 7 muajsh hetimi, operacioni policor i koduar “Extra Service”.
Në pranga 3 administratore qendrash masazhi për veprat penale të “Shfrytëzim Prostitucioni” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, si dhe 1 u shpall në kërkim.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune hetimore 7-mujore, finalizuan operacionin policor të koduar “Extra Service” në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve:
– H. D., 33 vjeç, banues në Tiranë
– A. M., 28 vjeçe, banuese në Tiranë
– L. Q., 34 vjeçe, banuese në Tiranë
si dhe është shpallur në kërkim shtetasi M.M., 43 vjeç, banues në Tiranë
Ambientet e qendrave të masazhit qe administronin, ata i vendosnin në dispozicion për të ushtruar prostitucion, vajzat e punësuara në to. Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë 7 punonjëse në këto qendra, për ushtrim prostitucioni.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale DVR, kamera vëzhguese, aparate celulare dhe 4 ambjente ku ushtrohej ky aktivitet. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të metejshme./a.m.