Policia e Tiranës ka arrestuar dy ditë më parë shtetasin Orgest Dhëmbi, i cili në muajin korrik të 2016 ka plagosur rëndë me shishe shtetasin Kid Konesha, ku shkak i sherrit mësohet të ketë qënë një konflikt për një sasi lekësh në bastet sportive. Dhëmbi ishtë shpallur në kërkim nga prokuroria, por vetëm dy ditë më parë u arrestua nga policia. Në këtë çështje edhe autori i krimit Orgest Dhëmbi dhe i dëmtuari Kid Konesha, janë marrë të pandehur pasi që të dy gjatë përleshjes kanë dëmtuar rëndë me mjete të mprehra njëri-tjetrin. Nga hetimet paraprake rezulton e provuar se personat nën hetim Kid Konesha dhe i dëmtuari Orgest Dhëmbi, të moshave 22 dhe 21 vjeç, janë të njohur me njëri-tjetrin, por se në ç’shkallë janë marrëdhëniet ndërmjet tyre deri në këtë fazë të hetimit, nuk dihet. Gjatë kohës së Kampionatit Evropian të futbollit ata kanë pasur marrëdhënie në lidhje me dhënie-marrje parash. Konkretisht, personi nën hetim Kid Konesha ka qenë borxh në një shumë prej rreth 10.000 lekësh dhe në vend të tyre ka lënë peng dy ora dore. I ati i tij, shtetasi Artur Konesha i ka kërkuar orët djalit dhe ai ka bërë përpjekje për t’i marrë dhe në konflikt e sipër, para një muaji, ata kanë qenë edhe në Komisariatin e Policisë, nga ku kanë dalë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen me mirëkuptim.











