Tirana ka mundur Kastriotin me rezultatin 2-0, duke fituar kështu titullin kampion në Kategorinë e Parë.
Greca, Sentamu dhe Karabeci provuan me radhë për të shënuar në portën e krutanëve, por skuadra që dominoi grupin A këtë sezon arriti të ruajë rrjetën të paprekur. Në pjesën e dytë, Halili kishte shansin t’i jepte avantazhin, por dështoi edhe pse me një goditje të bukur, ndërsa pak minuta më vonë Maveje, i rrëzuar në zonë, protestoi më kot për një penallti.
Dominimi i Tiranës u konkretizua pas shumë përpjekjeve me golin e Grecës, që i shpëtoi mbulimit duke shënuar në portën e Kastriotit. Skuadra e trajnerit Nikaj tentoi të rikthente barazpeshën, por dëshira e krutanëve ishte pak përballë kualiteteve të skuadrës bardheblu.
Greca shënoi dhe golin e dytë që mbylli llogaritë e finales, në një aksion të nisur për Sentamu, i cili humbi kohën duke i dhënë mundësinë shokut të tij të ekipit të shënonte.
Skuadra e drejtuar nga braziliani Ze Maria ka dominuar në grupin B të Kategorisë së Parë, duke kryesuar gjatë gjithë kohës, ashtu siç bëri edhe në finale. Por, pasi morën medaljet e kampionit, kapiteni Erando Karabeci nuk e ngriti trofeun, duke ia dorëzuar stafit. Të gjithë lojtarët u drejtuan në dhomat e zhveshjes, madje edhe pa folur me mediat./a.m.