Tirana fitoi derbin e kryeqytetit, pasi mposhti Partizanin me rezultatin 3-1, në duelin e javës së gjashtë në Abissnet Superiore.
Dueli nisi i zjarrtë nga fillimi me bardheblutë në sulm. Redon Xhixha i dha avantazhin Tiranës në minutën e 7-të, me një supergol nga jashtë zone.
Partizani reagoi menjëherë, por Aliu u ndal nga shtylla në minutën e 15-të. Barazimi i rezultatit erdhi në minutën e 36-të. Skuka bëri gjithçka mirë në zonë dhe nxori Himallarin të lirë, i cili me portën e boshatisur nuk e kishte të vështirë për të shënuar.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa e dyta nisi me sulme të njëpasnjëshme. Hazrollaj shpërdoroi dy raste për Tiranën, ndërsa Aliu te Partizani u ndal nga shtylla.
Bardheblutë morën avantazhin në minutën e 79-të, ku Ilevski shënoi pas një asisti të shkëlqyer nga Kis në zonë.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Kisa shënoi të tretin për Tiranën me penallti, të cilën e fitoi Bernard Berisha dhe rezultati nuk ndryshoi deri në fund.
Me këtë sukses, Tirana ngjitet në vendin e katërt me tetë pikë, ndërsa Partizani zhytet në krizë dhe zbret në vendin e nëntë me 4 pikë.
Në duelin tjetër, Vllaznia fitoi 1-0 ndaj Dinamos, në debutimin e trajnerit të ri Csaba Laszo. Ky është suksesi i parë për shkodranët në këtë kampionat.

