Nga Lorenc Vangjeli
Për të kuptuar se çfarë kemi të ngjashme këtej dhe andej kufirit politik mes Tiranës dhe Prishtinës, duhen parë fillimisht diferencat. Duhet nënvizuar diferencat e sjelljes dhe reagimit për kushte të ngjashme dhe çështje të njëjta për të kuptuar se çfarë është e përbashkët dhe shpesh edhe identike.
Pesë vjet më parë, Shqipëria kërkonte të bënte ndarjen e kufirit detar me fqinjin jugor. Dhe e bëri. Shpejt e shpejt. Në mënyrë të përciptë. Firmosi një marrëveshje të gabuar nga “…pikpamja proceduriale dhe substanciale…”, siç do të shprehej Gjykata Kushtetuese duke i dhënë fund një ankthi që pak kishte prekur publikun dhe që e kishte ndarë atë si zakonisht në dy pjesë: në tifozët e qeverisë Berisha të bindur se kryeministri i tyre nuk gabon kurrë dhe në kritikët e saj që gjykonin se qeveria Berisha gabonte gjithmonë e në gjithçka, edhe kur kthente faqen e kalendarit.
Partia Socialiste atëherë në opozitë ishte partia që inicoi ndëryrjen e gardianëve të kushtetutës. Ata dhanë unanimisht një vendim që qetësoi shumë shpirtëra, por la shumë hesape hapur dhe pezull.
Hesape me ligjin.
Hesape me moralin.
Hesape me të shkuarën dhe të ardhmen e vendit.
Pala shqiptare e komisionit të përbashkët me grekët dhe gjithë ata që e kanë firmosur më pas – përfshi ish-ministrin e jashtëm – nuk kanë respektuar rregullat formale të negocimit dhe kanë lënë jashtë kufirit shqiptar disa qindra kilometra katror det, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Me fjalë të tjera, kanë bërë dorëzim të territorit një fuqie të huaj.
Dy nene të Kodit Penal dënojnë deri në burg të përjetshëm kundravajtësit. Madje “pa apelim” në ligj, pa “amnisti” publike dhe me përbuzje nga e sotmja dhe e nesërmja normale e një vendi. Ndoshta Kodi Penal i një vendi antar të NATO-s e ka të pamundur të reflektojë se çfarë ndodh në një rast të tillë përballë një tjetër vendi antar të NATO-s, teorikisht dhe praktikisht fqinj, partner dhe bashkudhëtar historik në të shkuarën e në të ardhmen e përbashkët, me plot hesape të lëna hapur, me plot hesape të tjera të mbyllura keq dhe me shumë hesape që i hap ose budallallëku, ose mendje të sëmura që shohin nga e ardhmja me kokën pas. Por në Tiranë këto dy nene nuk janë përdorur kurrë:
Neni 208/ Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i territorit një shteti apo fuqie të huaj, me qëllim për të cënuar pavarësinë dhe integritetin e vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm. Neni 210/ Marrëveshja për dorëzim territori: Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cenuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Nuk ndodhi asnjë hetim i mëpasshëm sepse në Tiranë harresa është dhuratë perëndie për të gjithë mëkatarët.
Partia që qeveriste atëherë vendin sot është në opozitë, por me gjasë shqiptarët e ndëshkuan me votë për gjithçka tjetër përveç aktit të ndarjes së detit. Shefi i saj sot betohet për patriotizëm të artë vetjak si flori 24 karatësh dhe ka shumë edhe që e besojnë madje.
Ish-ministri i jashtëm, më pas edhe kryetar bashkie i Tiranës, është bërë kryetar i opozitës. Për të ka vetëm një vend të nesërm pune në dispozicion: të bëhet kryeministër ose të ikë në shtëpi. Lulzim Basha mund të ikë në shtëpi ose të bëhet kryeministër për një mijë e një arsye, por askush nuk do t’i kujtojë që ka hedhur firmën e gabuar dhe ka shtrënguar duart me Dorën homologe greke në marrëveshjen e gabuar.
Shumica dërmuese e antarëve të tjerë të komisionit për ndarjen e detit patën ngritje në detyrë dhe askush, nuk i kujton si kandidatë për t’ju nënshtruar hetimit penal.
Në Tiranë partia që e kundërshtoi atëherë marrëveshjen, sot qeveris vendin, falë edhe këtij fakti dhe beteje “anësore” në luftën për pushtet.
Një nga protagonistët kryesorë të ndeshjes me komisionin, Myslym Pasha bën jetën modeste të pedagogut. Gjithë pjesa tjetër është histori dhe arkiv. Në Tiranë pak i besojnë historisë dhe më pak akoma kanë kohë, nge e dëshirë të shohin arkivat.
Në Prishtinë është ndryshe. Natyrisht që në Prishtinë i dinë shumë më mirë punët e tyre dhe çdo vështrim nga kjo anë e kufirit duhet të jetë shumë më e kujdesshme, por një gjë mund të vihet re dhe mund të nënvizohet lehtësisht: Në një situatë të ngjashme për ndarjen e kufirit, si ajo që Tirana e provoi pesë vjet më parë, askush nuk ka mbetur indiferent. Prishtina është e trazuar sa nga gazi lotësjellës në Parlament, sa nga prangat për opozitën në rrugë duke e futur gjithë vendin në një spirale të paqartë për të nesërmen e afërt.
Çfarë po ndodh andej është një mundësi për të verifikuar çfarë ka ndodhur dikur në Tiranë. Së paku andej kufirit ka shumë më pak indiferencë. Dhe kjo nuk është pak nëse shihet gjysma plot e gotës nën furtunë. Ditët e dikurshme të paqes në Evropën Juglindore që kishin fituar shqiptarët me luftën e NATO-s, tashmë janë trazuar keqas; është rikthyer sërish Ballkani armiqësor në Prishtinë. Si nga rrjedha e ngjarjeve, si nga mënyra sesi remohen ngjarjet nga politika në këtë rrjedhë nervoze konflikti politik ku të gjithë po tentojnë të gjejnë emra dhe fytyra për patriotët e tradhëtarët.