Nga Ben Andoni
Poezia që i ka dhënë titullin vëllimit poetik dygjuhësh “Falmi sytë e tu, Homer” është fare e shkurtër, por në fakt me një peshë të madhe, atë të panginjes së kërkimit në jetë. Për këtë nuk të duhen tekste të gjata filozofike, apo rravgime të vështira politike, por thjesht për pak vëzhgues që mund të përdorin lirisht gjinitë dhe zhanret letrare në poezi. Dhe, autori Agim Vinca në vëllimin e botuar në Malin e Zi në dy gjuhë, shqip dhe malazezisht, këtë kërkon që përmes veprës së tij poetike të tregojë në një hapësirë të madhe të përfytyrimit, vëzhgimit dhe rrokpamjes. “Falmë sytë e tu\ Sytë e tu të Verbër\ H\o\m\e\r\ ta shoh\ Në sy\ Verbimin tim!” thotë më shumë se tekste të gjata, me analiza të vështira për jetën.

Ky vëllim është një lloj antologjie jetësore historike për vetë Kosovën, ku me aftësinë e madhe vëzhguese autori i njohur sendërton pjesëza jete, vëzhgime dhe i kthen në fabula mirëfilli poetike. Ku dashuria për Kosovën është e thellë, e hidhur, e dhimbsur dhe mbi të gjitha sublime. Autori rrugëton me të dhe një njeri që e njeh më afër dhe ka jetuar në përditshmërinë e Vincës mund ta kuptoj edhe si një ditar të tij emocionesh për Kosovën. Në njërën syresh (datuar më 11 Mars të vitit 1998), Vinca shkruhet me filozofin politik Ukshin Hoti dhe përmes tij referon konceptin e lirisë për kosovarët: “Nuk e kanë vështirë të të burgosin.\ As të të vrasin nuk e kanë të vështirë.\ vështirë e kanë të të lënë të lirë.\ Të të lënë pa pranga, pa zinxhirë!” Në një farë mënyre flet për Kosovën dhe atë sesi e shihnin asokohe serbët, ish-krahinën e tyre që i ka sjellë aq andralla Beogradit prej vuajtjes dhe privimit të lirisë dhe që shqiptarët në kthim i dhanë pafund rezistencën dhe mbi të gjitha fatin i hidhur që ua kishte blatuar historia me Kosovën jashtë tyre. Në një simbolikë diku përdor erën, lajmëtaren e madhe të shekujve dhe moteve: “Çka që gjëmon kjo erë e marrë\në këtë natë pa gjumë në sy”. Era që kaloi në trojet e Kosovës solli vërtetë shumë lajme bashkë me mandatat e morteve dhe eksodit.

Përpos këtyre tematikave, e përmes poezive të ndryshme dhe asosiacioneve lexuesi shkon si në fëmijërinë e tij por edhe në kujtesën e autorit, që dora-dorës me kohë është shfrytëzuar nga dituria e tij, për të sjellë poezi, përfytyrime dhe përsiatje për jetën. Autori është dëshmitar në aksion dhe gati paraparës i atyre që do të ndodhin në trojet e tij. Me një tematikë krejtësisht të gjerë, autori na përfshin në galeritë e pafundme të përjetimeve të veta, ku lirizmi, heroika, tragjikja, mbathur me koncepte të drejta të estetikës zbulojnë shumë. Lexuesi vetë, jo vetëm ai që i njeh këto tematika por edhe cilido tjetër që ka përjetuar mjediset e shkruara, përfshihet normalisht. Bukuria e këtyre vargjeve të dhëna në një përmbledhje të këndshme të bën ta përjetosh të gjithën bukur mirë. Kurse kërshëria të bën që librin ta marrë dhe ta mbarosh me një frymë, për t’ju kthyer ndoshta ndonjë etydi mes poezish ose detaji që mund t’i jetë shmangur vëmendjes. Vetë shkrimi i këtyre poezive të duket pak i kundërt me atë imazh të parë që duket sikur jep instinktivisht autori: “si i vrazhdë dhe pak i ashpër” me qëndrimet e tij. Emocioni lirik i tij është shumë i natyrshëm dhe duket se e kapërcen atë dukje të parë. “Kam frikë se më shkrihesh në gojë\ si fjollë bore\ Se më thahesh në diell\ si fije bari\ Kam frikë.\ Kur jam me ty…\ Në ato çaste të vogla amëshimi\, shkruan diku me një lirizëm tejet të brishtë. Përmes tyre ti shikon një poet që njeh kuptimin e fjalës dhe forcën e saj të madhe, ndaj shumë nga vjershat të përcjellin në përfytyrime shumë interesante dhe mbi të gjitha në vramendje vërtetë intelektuale. Do të kishte shumë për të shkruar dhe nëse do t’i bëhej një analizë realisht teknike poezisë së tij do të kuptoje se forca e poezisë nuk shkon vetëm me figuracionet dhe bukurinë dhe rreptësinë e kanoneve të respektuara poetike por edhe mendimet dhe mbi të gjitha aftësinë që mendimin e tij poetik, Vinca e ka shndërruar në sublimitet. Të tillë e bën pa ekzagjerim Prekazin, si simbol të martirizimit të Kosovës dhe shqiptarëve në kohët postmoderne të historisë ose periudhën e fundit të historisë: “Prekazi s’është Trojë, as Çanakala a Termopile.\ Prekazi është një fshat i thjeshtë, që lind e vdes shqip\ dhe luftën e bën luftë-pa hile!”
Angazhimi i autorit bën një gjë të madhe, atë që poeti ka një armë që pakkush e ka: të zhytet atje ku mendimi, koha dhe mbi të gjitha përditmëria nuk të lë, vendin e individit shqiptar në histori . Sa për vete, Vinca e zgjidh thjesht dhe na e sjell tek Poezia me titullin “Të jesh poet”, ku i jep përgjigje misionit të tij…Që është si: “Të ndërtosh varrin tënd në majën më të lartë të bjeshkës\ dhe të shndërrohesh në rrufepritës”. Një vlerësim në fund e meriton përkthyesi i njohur Smajl Smaka, për detyrën e vështirë të përkthimit poetik, gjetjes së asosacioneve të duhura dhe mbi të gjitha ruajtjen e kadencës në gjuhës e fqinjëve tanë malazezë, që me anë të Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore në Podgoricë e ka zgjedhur këtë libër për publikun dhe në të ardhmen edhe për të rinjtë gjimnazistë.











