Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se KESH e mbajti Fierzën në nivel të kënaqshëm deri në fund të muajit mars; megjithatë, importet e energjisë qenë të kufizuara në periudhën janar-qershor dhe të pamjaftueshme për të kompensuar për mungesën e reshjeve.
Menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, dy kompanitë publike të gjenerimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, KESH dhe OSHEE, deklaruan që vendi ishte në prag krize për shkak të thatësirës dhe mungesës së reshjeve që ushqejnë basenet e hidrocentraleve mbi lumin Drin – burimi kryesor i prodhimit të energjisë në vend.
Më 21 qershor, drejtori teknik i OSHEE Haki Musfata –produkt i marrëveshjes politike parazgjedhore midis kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Lulzim Basha – porositi hapjen e procedurave për importimin e 285.6 GWh energji me vlerë të përgjithshme prej 16.4 milionë euro si dhe me çmim mesatar prej 57.4 euro për MWh. Periudha e importimit qe nga data 28 qershor deri më 31 korrik.
Një javë më vonë, drejtori joteknik i OSHEE, Adrian Çela – i cili zëvendësoi Mustafën pas zgjedhjeve – urdhëroi hapjen e procedurave të reja të prokurimit për import shtesë nga data 7 deri më 31 korrik. Në këtë tender, OSHEE bleu 105 GWh energji me vlerë 7.2 milionë euro dhe me çmim mesatar 68.2 euro për MWh.
Në total, vetëm për të siguruar furnizimin e korrikut, OSHEE do të shpenzojë 23.6 milionë euro.
Kjo situatë krize erdhi si pasojë e rënies drastike e prodhimit nga hidrocentralet publike dhe ato private si dhe reagimit të plogësht të KESH dhe OSHEE për të ruajtur rezervën energjetike duke e kompensuar në kohë mungesën e reshjeve me importe të energjisë elektrike nga vendet e rajonit.
Thatësira ul prodhimin
Përgjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka importuar mesatarisht rreh 25 për qind të nevojave të saj, por niveli i importeve ka variuar nga 49 për qind e konsumit në vitin 2007 në 13 për qind eksporte neto në vitin 2010. Në vitin 2016, prodhimi vendës i energjisë mjaftoi për të mbuluar të gjithë konsumin si dhe realizoi një eksport neto modest. Situata paraqitet ndryshe në vitin 2017.
Të dhënat e vëna në dispozicion të BIRN nga Enti Rregullator i Energjisë përmes një kërkese për të drejtë informimi, tregojnë se prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri për periudhën janar-prill 2017 ka rënë me 20 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, e cila menaxhon kaskadën e Drinit, pësoi rënie në prodhim me 19 për qind ndërsa hidrocentralet private dhe me koncesion patën rënie me 28 për qind. Rënie të konsiderueshme pati prodhimi në katër hidrocentralet e privatizuara nga Kurum, Ulza, Shkopeti, Bistrica 1 dhe 2 me 30 për qind ndërsa hidrocentrali privat Peshqesh pësoi gjithashtu rënie me 23 për qind. Hidrocentrali i Banjës, i cili ka hyrë në prodhim për herë të parë verën e kaluar, prodhoi gjatë kësaj periudhe një sasi modeste prej 51 milionë KWh, e barazvlefshme me 2 për qind të prodhimit kombëtar.
Fierza pranë minimumit historik
Pavarësisht se rreshjet qenë të pakëta, niveli i Hidrocentralit të Fierzës u mbajt në kuotë të lartë prej 281 metrash mbi nivelin e detit deri në muajin mars, duke qëndruar afro 1.6 metra mbi nivelin mesatar shumëvjeçar të këtij muaji. Por në muajt në vijim, niveli i Fierzës ra me shpejtësi duke arritur në vetëm 272 metra mbi nivelin e detit në muajin qershor. Në qershor, niveli i Fierzës qe 17.5 metra më i ulët se sa mesatarja shumëvjeçare dhe vetëm 1.1 metra më lartë se sa minimumi shumëvjeçar i shënuar në vitin 2002. Rënia e nivelit të Fierzës mbart pasoja të dyfishta për prodhimin pasi nga njëra anë ul prodhimin si pasojë e prurjeve më të pakta ndërsa nga ana tjetër ul eficencën e prodhimit të energjisë nga përdorimi i të njëjtave burime ujore. Mirëmenaxhimi i kaskadës së Drinit përmes mbajtjes në nivel të lartë të Fierzës mund të sjellë një luhatshmëri deri në 40 për qind për çdo metër kub ujë të përdorur.
Shqipëria ka prodhuar mesatarisht 5 miliardë KWh energji elektrike përgjatë 15 viteve të fundit ndërkohë që ka konsumuar mesatarisht 6.5 miliardë KWh me një deficit mesatar të mbuluar nga importet në masën 1.5 miliardë KWh. Por prodhimi në Shqipëri luhatet në varësi të reshjeve dhe cilësisë së menaxhimit të kaskadës dhe për rrjedhojë, deficiti është luhatur nga 49 për qind e konsumit në krizën e vitit 2007 në një suficit prej 13 për qind në vitin 2010.
Importe të pamjaftueshme
Megjithëse prurjet dhe prodhimi qenë shumë më të ulëta gjatë fillimit të vitit 2017, OSHEE u kufizua në importin e sasive relativisht të vogla të energjisë në muajt janar-maj ndërsa në qershor importet ranë më shumë si pasojë e pasigurisë të shkaktuar nga emërimi i një “drejtori teknik” nga qeveria, ndërsa vetëm në korrik filluan importet në shkallë të gjerë për të shmangur krizën në furnizim. Megjithatë, të dhënat e ERE tregojnë se ulja e nivelit të Fierzës, ndonëse u përkeqësua në qershor, kishte filluar që në prill. Kështu, niveli i Fierzës në prill 2017 qe 279 metra, afro 8 metra nën mesataren shumëvjeçare ndërsa në maj ai ra në 9 metra nën mesataren shumëvjeçare.
Gjatë kësaj periudhe, KESH ndërmorri vetëm praktika të optimizimit të energjisë në sasi të vogla, praktikë që nënkupton shitjen e energjisë në orët pa konsum dhe marrjen e saj në orët me konsum për të optimizuar përfitueshmërinë ekonomike.
Ndërkohë që importet qenë të pakta, niveli i Fierzës ra me shpejtësi. Në janar, OSHEE bleu 9.5 milionë euro energji në treg të parregulluar me çmim 51 euro për MWh ndërsa në shkurt bleu 10 milionë euro të tjera ndërkohë që çmimi fluturoi në 65.2 euro për MWh. Në total gjatë periudhës janar-korrik, OSHEE bleu 50 milionë euro energji në treg të parregulluar me çmim mesatar 54.2 euro për MWh.
Për muajin gusht, importet u rritën më tej. OSHEE bleu përmes një ankandi 434 mijë MWh, e barabartë me gati 80 për qind të konsumit të pritshëm për këtë muaj me vlerë të përgjithshme prej 29.9 milionë eurosh dhe me çmim mesatar prej 69 euro për MWh, çmimi më i lartë i shënuar deri tani dhe një nga çmimet më të larta në dekadën e fundit.
Importet pritet të vijojnë të larta edhe për muajt e ardhshëm duke tharë financat e OSHEE. Kompania ka përfituar gjatë viteve të shkuara nga ulja e kostos së importeve të energjisë duke kursyer dhjetëramilionë euro si pasojë e prodhimit më të lartë. Por rikthimi te importet do ta detyrojë të shkurtojë planin e vet të investimeve për të paguar këto importe./BIRN/a.m.